Fehmi Abdiu: Komisioni i Venecias nuk ndikohet politikisht, rekomandimet që do japë të miratohen me konsensus

479
Prof. Fehmi Abdiu ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet për misionin e Komisionit të Venecias në Tiranë. Prof. Abdiu, pohon se Komisioni i Venecias nuk ka ardhur në Tiranë, që të vlerësojë asnjë draft më të mirë të ndonjë palë politike, por për të njohur situatën dhe do të kërkojnë që mundësisht, të dërgohet atje një draft unik për t’u diskutuar. Prof, Abdiu kujton se Komisioni i Venecias përherë, që në 1991 ka ndihmuar edhe për hartimin e Kushtetutës së parë pluraliste, edhe për ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese. Prof. Abdiu pohon se Komisioni i Venecias do të do studiojnë edhe ato 30 mendime që pati Unioni Gjyqtarëve të Shqipërisë, do të shtojë kërkesat e veta ndaj faktorit shqiptar, aq më tepër që sot, organet kryesore kushtetuese kanë mendime të ndryshme, diametrikisht të kundërta për reformën dhe nuk do të pajtohet me shumë problematika që janë në propozimet konkrete. Nuk besoj që ata të lejojnë standarde të ndryshme që janë parashtruar në projekte për organe të ndryshme. 
-Zoti Abdiu, cili është misioni i Komisionit të Venecias, në Tiranë, për reformën e drejtësisë?

-Ardhja e ekspertëve të Komisionit të Venecias në Shqipëri u trajtua nga shtypi te ne, në mënyra të ndryshme. Si mentalitet dominues u duk sikur pritej që të vinin disa arbitra (nga Komisioni i Venecias) për të thënë fjalën e tyre, për cilën palë (politike, maxhoranca apo opozita) kishte të drejtë dhe cila ishte në pozita të padrejta, të gabuara, lidhur me atë çfarë i është kërkuar Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi. Në fakt, sipas mendimit tim, ardhja e ekspertëve të Komisionit të Venecias në Shqipëri këtë javë, duhet trajtuar si një ngjarje shumë e rëndësishme, si një vlerësim i madh që ka bërë dhe bën Komisioni i Venecias, që ka marrë vendimin të dërgojë ekspertët e saj shumë të mirë të së drejtës kushtetuese, që kërkon të njohë realisht gjendjen tonë, të zbutë klimën politike, veçanërisht lidhur me këto objektiva që kërkohen për reformën në drejtësi e më gjerë, si edhe të parashikojë, të planifikojë dhe të japë opinionet e veta cilësore për reformën tonë në drejtësi. 
– Si duhet ta shikojmë ardhjen në Shqipëri të ekspertëve të Komisionit të Venecias, për reformën në drejtësi?

– Unë mendoj se duhet ta shikojmë në disa këndvështrime. Sipas meje, puna dhe kontributi i Komisionit të Venecias, veçanërisht, pas viteve ’90, duhet konsideruar dhe vlerësuar si një kontribut i jashtëzakonshëm që është dhënë nga ata për të gjitha problemet në Europë, veçanërisht për vendet që ndryshuan sistemin shoqëror, për të gjitha ato vende që patën nevojë dhe kanë nevojë edhe sot, që të reformojnë legjislacionin e tyre, dhe mbi të gjitha, të reformojnë legjislacionin kushtetues. Në këtë aspekt kontributi i Komisionit të Venecias për Shqipërinë ka qenë, shumë i madh. Ky kontribut ka pasur vlerat e veta pozitive, që në vitin 1991. Për herë të parë një delegacion i parlamentit të parë pluralist shqiptar, kryesuar nga kryetari dhe zv.kryetari i parlamentit të asaj kohe, dhe disa deputetë, nga Islami, Meksi, Imami, unë, si deputetë dhe specialistë që kishte Parlamenti, jemi ftuar dhe kemi bashkëpunuar me ekspertë të Komisionit të Venecias për 5 ditë rresht për projektin e parë kushtetues që pritej në ato kohë, të bëhej në fund të vitit 1991. Ndihma dhe kontributi i Komisionit të Venecias ka vazhduar në mënyrë shumë intensive, sa jo shumë kohë pas asaj, ka ardhur (ish) kryetari i Komisionit të Venecias, njëri nga personalitetet më të mëdha, të asaj kohe që kishte Europa në fushën e Jurispodencës, zoti Lapergula dhe kanë trajtuar mjaft problematika të karakterit kushtetues dhe ligjor që kishte në atë kohë, sepse nuk kishte as ligj kushtetues. Opinionet, mendimet, kontributet e tyre u pa dhe dha efektet pozitive për ligjin për dispozitat themelore kushtetuese.
– Konkretisht, cila ishte ndihma që dha Komisioni i Venecias?

– Ata, si në rastin e parë që u punua nga ekspertët tanë, si edhe kur erdhën vetë në Shqipëri, morën dhe trajtuan një për një draftet, mendimet, opinionet që ishin hartuar paraprakisht në projektet fillestare. Ballafaquan eksperiencën e vendeve të tjera, veçanërisht të vendeve që kishin dalë nga sistemi totalitar komunist, me standardet demokratike që kishin vendet europiane dhe pranuan, rekomanduan, ato ide dhe standarde që duheshin për Shqipërinë në ato vite. Më vonë, ato kanë ballafaquar eksperiencat e vendeve të tjera me përvojën e pakët që kishte Shqipëria dhe mund të themi se me Kushtetutën e 1998, Komisioni i Venecias arriti që standardet përgjithësisht të pranuara të vendeve europiane t’i bëjnë që të gjejnë pasqyrim edhe në Kushtetutën tonë. P.sh., në shumë kapituj të saj, siç është të Drejtat e Njeriut, mund të themi pa ndrojtje edhe sot, që është një nga kapitujt më të mirë, sepse Kushtetuta jonë u miratua pas shumë kushtetutave të tjera, pra u shfrytëzua edhe eksperienca pozitive për ato problematika që ishin konstatuar edhe në vende të tjera. 
– Cila ka qenë ndihma konkrete që ka dhënë Komisioni i Venecias, për Gjykatën tonë Kushtetuese?

– Ajo që më ka bërë shumë përshtypje mua në këtë punë, është fakti që, gjithë ai organ me gjithë atë autoritet, Komisioni i Venecias, jo vetëm që është futur për të ndihmuar një vend, qeverinë, parlamentin tonë, por ka dhënë edhe një ndihmesë të veçantë edhe me Gjykatën Kushtetuese, e cila ishte institucion i ri dhe ne ishim të detyruar që në vitin 1998 dhe më vonë të kërkonim ndihmën e Komisionit të Venecias dhe në të gjitha rastet që ne e kërkuan ndihmën e tyre, ata nuk patën asnjë hezitim për të na ndihmuar. Është bërë objekt i diskutimit në Komisionin e Venecias projekti i ligjit “Për Gjykatën Kushtetuese Shqiptare”, ku jemi ftuar, kemi referuar, kemi treguar synimet kryesore që kemi vënë për ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Në 1999 erdhën ekspertët e Komisionit të Venecias, të cilët kanë punuar disa ditë bashkë me ne, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe me ekspertë të tjerë kushtetues, për të plotësuar mangësitë e draftit, që ne kishim përgatitur për ligjin “Për Gjykatën Kushtetuese”. Ishte kontributi i tyre kryesor, që ndikoi në faktin që Parlamenti ynë nuk pati shumë vërejtje, shumë probleme, shumë pretendime për ligjin “Për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë”. 
– Komisioni i Venecias, sa herë është ftuar është ngritur mbi palët politike dhe nuk është ndikuar politikisht për të dhënë gjykimin dhe rekomandimet e tij?
– Komisioni i Venecias hedh dritë, dëshmon për profesionalizëm, për kualifikim shkencor kushtetues dhe në përgjithësi, nuk ndikohet fare nga opinionet apo nga mendimet e ndryshme politike që kërkojnë që të ndikojnë te Komisioni i Venecias për njëanshmëri ose për një qëndrim dyshues. Pra, të gjitha ato rekomandime që jepen nga Komisioni i Venecias, janë tërësisht të bazuara tërësisht në standardet bashkëkohore. Kjo aftësi e tyre u duk edhe në bashkëpunimin që kishim në Gjykatë Kushtetuese, edhe më vonë, pasi u miratua ligji “Për Gjykatën Kushtetuese”. Ka qenë Komisioni i Venecias ai që ka qenë bashkorganizator për konferenca ndërkombëtare, për 5 vjetorin e Kushtetutës në Tiranë, ku ka qenë zoti Bukikio, që tani është kryetar i Komisionit të Venecias, si edhe në 10 vjetorin e konferencës për 10 vjetorin e Gjykatës Kushtetuese. Për Shqipërinë dhe institucionet kushtetuese Komisioni i Venecias ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm ndihme, vlerësimi dhe kontributi. Aq e rëndësishme është kjo, sa edhe në momentet kyçe, kur Gjykata Kushtetuese pati një problem, një përplasje me parlamentin lidhur me vendimin që Gjykata Kushtetuese mori për (ish)Prokurorin e Përgjithshëm, Albert Rakipi, ku pati shumë debate në atë situatë konfliktesh, por që tërësisht mendimi politik ishte i gabuar, lidhur me qëndrimin për vendimin që mori Gjykata Kushtetuese, duke filluar që nga mendimi politik i Presidentit (të asaj kohe) dhe deputetëve të veçantë, Komisioni i Venecias ndërhyri dhe solli notën e vet parlamentit dhe qeverisë shqiptare kundër qëndrimit politik që ata mbajtën për çështjen konkrete. Pra, dua të theksoj se për probleme të rëndësishme të demokracisë dhe standardeve kushtetuese të Shqipërisë, Komisioni i Venecias ka ndërhyrë edhe në çështje konkrete. 
– Cili është autoriteti ndërkombëtar i Komisionit të Venecias?

– Komisioni i Venecias ka krijuar një autoritet shumë të rëndësishëm ndërkombëtar, për shkak të ndihmës dhe kontributit që ka dhënë për vende të ndryshme. Në fakt, ai nuk merr vendime të detyrueshme për vende të ndryshme, por merr dhe studion problematikat që kanë dalë dhe veçanërisht, në momentin që merr kërkesa të organeve më të rëndësishme shtetërore, siç është presidenti, qeveria, parlamenti, Gjykata Kushtetuese, bën objekt diskutimi ato kërkesa në komisionet e saj dhe kur është vendi, merr vendime për ta ndihmuar shtetin që ka bërë kërkesën zyrtare. Komisioni i Venecias nuk angazhohet dhe nuk ka marrë përsipër (mesa di unë), të jap opinione dhe vlerësime për drafte të partive, apo organeve të bazës. Ai sjell mendimin e vet vetëm institucioneve kryesore kushtetuese, që i paraqesin kërkesën zyrtare atje. 
– Meqë mazhoranca dhe opozita kanë dërguar secila drafte të ndryshme për reformën në drejtësi, në këtë rast, mendoni që Komisioni i Venecias do t’i shqyrtojë veç e veç apo do japë një vlerësim të përbashkët?

– Unë nuk mund të jap ndonjë ide mjaft të qartë, por kam mendimin se, sikundër jam shprehur edhe në një nga intervistat e mia te gazeta juaj “Telegraf”, Komisioni i Venecias nuk do të pranojë që të vihet në pozitat e një arbitri. Komisioni i Venecias këtë radhë kanë ardhur, për të dëgjuar zërin e organeve kryesore të vendit, për të njohur situatën, klimën e debatit për reformën në drejtësi, edhe jam i sigurt, që Komisioni i Venecias dot ë japë orientime konkrete në të ardhmen, jo për t’i thënë njërës, apo tjetrës palë politike, që ka të drejtë, por për të diskutuar standardet sipas një drafti unik. Unë mendoj se Komisioni i Venecias nuk do të pranojë të punojë mbi drafte paralele, por d t’u kërkojnë faktorëve shqiptarë, që të paraqitet te ata me një projekt konkret të përbashkët. Pa një konsensus midis forcave politike, unë mendoj që Komisioni i Venecias të jap opinione e veta, sepse, edhe nëse, për shumë zgjidhje, për shumë probleme teorike doktrinare, ka mendime të ndryshme, por që të gjitha mund të jenë brenda standardeve kushtetuese bashkëkohore, Komisioni i Venecias duhet të hetojë, të pranojë dhe të mbështetë më shumë ato opinione, që janë më afër mentalitetit, traditave shqiptare dhe pse jo, edhe ballkanike. Unë kam mendimin se Komisioni i Venecias do të shtojë kërkesat e veta ndaj faktorit shqiptar, aq më tepër që sot, organet kryesore kushtetuese kanë mendime të ndryshme diametrikisht të kundërta për reformën dhe jam i sigurt se do të kërkojë që të paraqiten të gjithë faktorët me një projekt të vetëm, duke synuar që të përzgjidhet për çdo dispozitë, për çdo problem ajo zgjidhje që mund të jetë më cilësore, më e pranueshme nga faktorët shqiptarë. Mendoj se Komisioni i Venecias nuk do të pajtohet me shumë problematika që janë në propozimet konkrete. Nuk besoj që ata të lejojnë standarde të ndryshme që janë parashtruar në projekte për organe të ndryshme. 
– Konkretisht?

– Fjala vjen për mbarimin e mandateve kushtetuese, në mënyrë të parakohshme për organe të veçanta, si për Prokurorin e Përgjithshëm, KLD, që është parashtruar ideja që mandatet e tyre të përfundojë sa të miratohet kjo reformë dhe të rizgjidhen dhe të funksionojnë nga e para, sipas ndryshimeve që kërkojnë të bëhen. Ndërkohë, për organet e tjera kushtetuese, Gjykatë të Lartë, Gjykatë Kushtetuese, etj, është mbajtur, dhe realisht, duhet të mbahet qëndrim i kundërt, sepse standardet lidhur me mandatet kushtetuese janë rigoroze, por nuk mund të ndërpriten për shkaqe, qofshin edhe të tilla, siç thuhet dhe argumentohet në draftin e paraqitur nga Komisioni Parlamentar për reformën në drejtësi, fjala vjen, me nevojën që pretendohet se e diktojnë reforma në drejtësi. Në fakt, reforma në drejtësi është domosdoshmëri, por ajo duhet të jetë fryt i punës së madhe, të përgjithshme, konsensuale, të të gjithë forcave politike. Duhet të jetë fryt i mendimit të ekspertëve, veçanërisht me ata që janë marrë me fushën e së drejtësi kushtetuese dhe qeverisjes së vendit. Duhet të jetë e tillë që t’i kushtohet koha e duhur për të bërë sa më transparente gjithë veprimtarinë, gjithë punën deri në përfundimin e saj, me qëllim që çdo shqiptar, në vija sado të përgjithshme, të jetë në dijeni për çfarë ndodh dhe përse duhet të bëhet kjo reformë. Sipas meje, qëllimi kryesor i reformës në drejtësi, ndryshme nga çfarë mendohet sot, nga shumë njerëz, dhe personalitete, që duket se shikojnë ngushtë reformën, thjesht si një masë për të ndëshkuar gjyqtarët e korruptuar, unë mendoj se synimi i reformës duhet të jetë madhështor, që të synojë që të shtojë besimin e shqiptarëve të drejtësia e vet, te gjyqtarët, te prokurorët dhe nëpunësit e tjerë të drejtësisë, të cilët, duhet të rishikojnë qëllimin, sjelljen, përgjegjësinë, profesionalizmin e tyre, duke ballafaquar me nivelin e homologëve të tyre në vendet e tjera. 
– Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë në asamblenë e vet, para pak ditësh theksoi me të madhe, se ndryshimet kushtetuese të paraqitura në Komisionin e Venecias cenojnë rëndë pavarësinë e Gjyqësorit. Mundet që Komisioni i Venecias të japë mendim dhe rekomandim për këtë?

– Synimi kryesor i ekspertëve të Komisionit të Venecias është ky: Ata do të shikojnë, sesa propozime konkrete të draftit, projektit janë konformë standardeve kushtetuese europiane. Unë jam i sigurt që ata do të vështrojnë, do analizojnë, do studiojnë edhe ato 30 mendime që pati UGJSH, të cilat sipas meje janë shumë të pakta, por në fund të fundit ishin diçka kurajoze, që janë të lidhura drejtpërdrejt me punën e tyre. Dhe mendoj që do të jepet një opinion i përgjithshëm për 30 propozimet e UGJSH. Por unë mendoj se UGJSH e vlerësonte parimisht rëndësinë e reformës, bënte përpjekje për t’i thënë opinionit shqiptar dhe ndërkombëtar se në Gjyqësor ka shumë gjyqtarë të ndershëm dhe profesionistë, të përgjegjshëm dhe me personalitet, sikundër ka edhe shumë problematika, korrupsion, për zvarritje të jashtëzakonshme të çështjeve, të cilat duhet të diferencohen domosdo nga armata e gjyqtarëve në përgjithësi. 
(vijon)
Sigal