Fatjon Kaloci: Qeverisja artificiale

98
Sigal

Socialistët e dikurshëm nuk gjenden më. Ata i zëvendësuan patronazhistët dhe deputetët, që i kthejnë kurrizin njerëzve, apo i mbajnë varur me premtime. Tashmë s’kanë kohë për t’u marrë me ta, u duhen vetëm për votime!

Pas gati një dekade në pushtet socialistët po ashpërsojnë gjithnjë e më shumë qëndrimet për të paralizuar akoma edhe më shumë opozitën. Dëshpërimi socialist vjen pasi një numër i lartë zyrtarësh të mazhorancës rezulton në afera të mëdha korruptive dhe shumë prej këtyre aferave janë denoncuar nga opozita. Rreziku i hapjes së “petëve të lakrorit” dhjetë vjeçar që socialistët e kanë gatuar ndonjëherë edhe bashkë me opozitën, por që për të ngrënë kanë zgjedhur veten duket se po i çon ata në të vetmen mënyrë mbrojtje, sulmin. Dikur nevoja për dialog mes partive prevalonte, ndërsa sot deputetët e mazhoracës për të rënë në sy urdhërave, si pionerë kësaj here të xhaxhi Edit votuan ndryshimin e rregullores së Kuvendit, që ka për qëllim përjashtimin deri në 60 ditë të opozitarëve që “u hapin” probleme në paqësinë e tyre të aferave, që ende vijojnë dhe që për opozitën kanë në epiqëndër një njeri të vetëm që duket se po kthehet në një personazh të përrallave të Andersenit. Gjithçka ai thotë për atë copë popull që ka mbetur pas largimeve masive kthehet në suksese për të. Vetëm pak vite më parë në luftën kundër armikut të padukshëm të koronavirusit, një fabrikë e madhe vaksinash u tha se do të hapej në Shqipëri. Fatmirësisht ajo periudhë kaloi, por simtomat e saj duket kanë mbetur e po japin efekte anësore për të, sidomos kur ai i anës së djathtë të tij Arben Ahmetaj “u sëmurë” rëndë nga korrupsioni, apo shëndeti i një ish-ministri shëndetësie që po shfaq të njëjtat simtoma tek i afërti i tij i dikurshëm Ilir Beqaj. Socialistët e dikurshëm nuk gjenden më. Ata i zëvendësuan patronazhistët dhe deputetët që i kthejnë kurrizin njerëzve apo i  mbajnë varur me premtime. Tashmë s’kanë kohë për t’u marrë me ta, u duhen vetëm për votime. Ata u rritën me sytë përballë karriges ku rri në qendër të parlamentit kryeministri i tyre. Dhjetë vite shikime të asaj karrige nuk ka sesi të mos jenë kthyer në zilinë për t’i zënë fronin mbretit që ata, i do pa kushte, sepse nuk dinë dhe urdhërohen kollaj. Pas fronit të tij parlamentar një ish ministre arsimi e përfolur për notat e saj me pesa është një shembull i mirë se duke zbatuar ato që ai thotë mund të ngrihesh në pushtet, funksione edhe detyra. Por sapo dikush mund të bjerë në ndonjë aferë apo e përfshin atë në valle dihet përgjigja “përgjegjësia” është personale. Në betejat e përditshme për të tërhequr vëmendjen nga aferat e mëdha, që kanë mbuluar Shqipërinë kryeministri po detyrohet të gjejë copëza të vogla suksesi brenda dështimeve për t’i trumpetuar para shqiptarëve si suksese të mëdha. Një gërshërë e prishur spitalore e sterilizimit u shit prej tij si një arsye suksesi që do t’i hapte rrugë një korrupsioni miliona eurosh. Edhe dje, pas Brukselit ai u shpreh i gëzuar për mos pasjen e një date se kur do të hapen kapituj të rinj. Përtej se nuk na dhanë datë ai u shpreh i lumtur për ekipin e tij që e rrënoi vetë nga lëshimi pa fre i gjuhës jodiplomatike me fqinjin jugor Greqinë. Pasi u nis të hapte Ballkanin befas ndjeu se po e mbyllte Shqipërinë edhe me gjysmën e saj Kosovën ku vizionari ynë zgjidhte hallin e Albinit për të marrë vëmendjen e të qënit faktor i madh rajonal i ardhur nga Shqipëria e vogël e dështimeve të tij të suksesshme. Sëmundja e të shiturit mend kur je keq duket paradoks. Njësoj si ato njoftimet kur edhe pse në 2023 policia thotë u asgjësuan me sukses dhjetra mijëra bimë narkotike, por se kush i la që të mbilleshin nuk u sqarua dot kurrë. Njëlloj si ai paradoksi ku Policia është tani më e mirë, por befas na u dashka të kuptojmë se kush po flet me kriminelët në SkyEÇ, njëlloj si Shqipëria e fermerëve, që i thuhej për të ndjekur studime nëpër akademi se kështu do bëhen vetë të zgjuar për fonde pasi ca prej atyre që iu takonin, mund t’i kemi marrë vetë. Sot, inteligjenca artificiale është kryefjala e një qeverisje aq të vonuar sa duket se e ka dëgjuar për herë të parë këtë fjalë dhe ua shet votuesve të saj +65 vjeçarë si modele suksesi, që mund të tregojnë përmes inteligjencës artificiale kjo e tyre paska qënë thjesht një qeverisje artificiale.