Fati i Olta Xhaçkës në fije të perit, Kushtetuesja sot në test para politikës

160
Sigal

Opozita: Banda e qeverisë po i bën presion Kushtetueses për mandatin e  Olta Xhaçkës që i siguroi burrit të saj statusin e investitorit strategjik

 Gjykata Kushtetuese ka parashikuar të marrë në shqyrtim sot më 18 janar, dy padi të ngritura nga deputetët e opozitës lidhur me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit për ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik për ndërtimin e një hoteli në Dhërmi. Socialistët e zvarritën çështjen rreth 6 muaj dhe në fund e mbrojtën duke refuzuar heqjen e mandatit. Për këtë arsye demokratët ju dorëzuan të ndarë Kushtetueses. Këto dy seanca duket se do jenë një test për Gjykatën Kushtetuese. Dje kjo e fundit u plotësua me 9 anëtarë dhe për herë të parë ka një trupë me figura të reja.

Ministrja kërkon të shpëtojë mandatin me procedurë

Përmes mbrojtjes së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, avokati i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka pretendon se kërkesa për papajtueshmërinë e mandatit është dorëzuar përtej afateve ligjore – ndërsa argumenton se ligji nuk rregullon përgjegjësinë e deputetit për sjelljen e familjarëve të tij.

Opozita

Kryetari demokrat, Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp  për të denoncuar presionin që po i bëhet Gjykatës Kushtetuese për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës.“Jam sot para jush për të denoncuar me forcën më të madhe përpjekjen e rrezikshme mafioze, mobilizimin e papërmbajtur të Edi Ramës, Olsi Ramës, Amant Josifit, Artan Gaçes, Olta Xhaçkës për ndikime të shumëllojta mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në vendimin e tyre.Ky grup i strukturuar ka ndërmarrë dhe po ndërmerr forma antiligjore, antikushtetuese presioni ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim që të përligjin grabitjen përmes firmës së Edi Ramës nga Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, të statusit të investitorit strategjik me së paku 5 milionë euro favore.Kur ministrja Xhaçka siguron për burrin e saj strategjik, statusin e investitorit strategjik ka shkelur nenin në Kushtetutë në mënyrën më flagrante. Xhaçka kryen vepra të rënda penale, implikon kunatën e saj amerikane, me banim në Boston, si bashkëpronare në këtë aferë të tmerrshme korruptive,”- tha Berisha.