Fajësimi i McGonigal tregoi pse opozita erdhi në këtë situatë, që do ta tejkalojë dhe z. Berisha e ka të gjithë përvojën!

39
Sigal

“Për sa i takon bashkëpunimit tonë, ai është për të mbrojtur ato parime amerikane që janë dhe në Kushtetutën tonë dhe që e çuan dhe McGonigalin atje ku e çuan”.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e vlerësoi sot bashkëpunimin me z. Sali Berisha dhe me Partinë Demokratike, duke e konsideruar këtë parti si qëndrën e gravitetit për shkak të asaj përkrahjeje që ka. Ilir Meta vlerësoi po ashtu faktin se pranimi i fajësisë së Charles McGonigal në Uashington tregoi se qartë se korrupsioni dhe favorizimet financiare ishin bërë në këmbim të marrjes së porosive nga kryeministri Edi Rama për ta goditur opozitën dhe dobësuar atë.

“Ajo është një tregues i qartë pse opozita erdhi në këtë situatë, pse opozita është në këtë situatë dhe sesi opozita duhet ta tejkalojë këtë situatë e padyshim që z. Berisha ka një rol të rëndësishëm në këtë drejtim”, theksoi kreu i PL.

Në vijim, dy nga pyetjet drejtuar z. Meta sot gjatë konferencës për shtyp:

Pyetje: A mendoni se bashkëpunimi me z. Berisha është i frytshëm?

Ilir Meta: Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me çdo faktor opozitar për fuqizimin e opozitarizmit, kur dihet që investimi kryesor i qeverisë aktuale dhe i kryeministrit aktual është pikërisht blerja e opozitës, përçarja e opozitës, është pengmarrja e opozitës. Kemi, ditët e fundit, edhe pranimin e fajësisë më në fund përpara Gjykatës Federale të Uashingtonit  nga McGonigal për sa i takon rolit të tij me Shqipërinë dhe është shumë e qartë se McGonigal, këto veprime të paligjshme me qëllime përfitimi, korrupsioni dhe favorizimesh  financiare i ka bërë në këmbim të marrjes së porosive për të goditur opozitën nga kryeministri aktual.

Kështu që në këto kushte, Partia e Lirisë qëndron e vendosur si një opozitë e vërtetë përballë këtij regjimi dhe do të bashkëpunojë me çdo faktor i cili nuk bëhet zgjatim i Edi Ramës dhe i këtij regjimi në një mënyrë apo në një tjetër.

Pyetje: Z. Meta, a mendoni se juve personalisht si ish-president,  është duke ju dëmtuar bashkëpunimi me Sali Berishën?

Ilir Meta: Unë nuk jam këtu për t’ju folur juve për vlerësimet e mia për këto çështje që thatë ju. Unë jam këtu për të shprehur edhe njëherë, respektin tim më të madh për parimet më bazike të demokracisë dhe bashkëpunimi ynë ka qenë me atë Parti Demokratike që kanë parë gjithë shqiptarët, të 11 Dhjetorit dhe që pa asnjë diskutim, në vlerësimin tim mbetet qendra e gravitetit për shkak të asaj përkrahjeje që ka të opozitës, aktualisht.

Dihet pastaj që vulën këtu e kanë gjykatat e Edi Ramës, se kjo është histori që nuk ka njeri që nuk e di dhe kuptohet që çdo gjë është shumë e sqaruar tani edhe me vulën që mori vetë fajësimi i McGonigalit në Gjykatën Federale të Uashingtonit. Ajo është një tregues i qartë pse opozita erdhi në këtë situatë, pse opozita është në këtë situatë dhe sesi opozita duhet ta tejkalojë këtë situatën dhe padyshim që z. Berisha ka një rol të rëndësishëm mendoj unë në këtë drejtim, e ka të gjithë përvojën dhe eksperiencën  që mund të kontribuojë. Për sa i takon bashkëpunimit tonë, ai është për të mbrojtur ato parime amerikane që janë dhe në Kushtetutën tonë dhe që e çuan dhe McGonigalin atje ku e çuan.