Europarlamentarët letër Ramës për mos ekstradimin e turkut Simsek: Vendimi juaj, ndikim në integrimin e vendit

285
Sigal

Nëntë europarlamentarë i kërkuan qeverisë të mos deportojë shtetasin turk Selami Simsek, pasi kjo do të përbënte shkelje të Konventave ndërkombëtare.

Në një letër dërguar kryeministrit Rama ata pohojnë se janë vënë në dijeni nga mediat për refuzimin e kërkesës për azil ndaj Simsek.

Europarlamentarët argumentojnë se Shqipëria duhet të respektojë Konventën e Gjenevës për Refugjatët si dhe Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe sjellin në vëmendje hetimin e nisur nga Kombet e Bashkuara për këtë çështje.


Ata theksojnë se kjo ngjarje do të ketë ndikim në procesin e integrimit europian të vendit.

Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët, rrëzoi më 10 shtator ankimin e shtetasit turk Selami Simsek për refuzimin e azilit në Shqipëri.

Komisioni argumentoi se Simsek apeloi vendimin e Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme jashtë afatit 15 ditor dhe kishte refuzuar të marrë dijeni për vendimin.

Shtetasi turk, Selami Simsek apeloi pranë Komisionit vendimin e Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme, i cila refuzoi kërkesën e tij për azil në Shqipëri.

Avokati i Simsek, Elton Hyseni argumentoi se refuzimi i azilit ishte ndërmarrë në shkelje të ligjit, pa kryer verifikime mbi rrezikimin e jetës së Simsek.

Ai shtoi se vendimi ishte mbajtur i fshehur për muaj me radhë.

Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët është shkalla e apelit për të huajt, të cilëve u është refuzuar azili në Shqipëri.

Ai përbëhet nga 4 përfaqësues të qeverisë, një përfaqësues i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një anëtar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.