Është koha ti rikthejmë popullit pushtetin e vjedhur

303
Sigal

Analizë nga Prof.Dr. Jordan Daci/ E drejta e Lirisë së Shprehjes, Mendimit, Tubimit dhe Zgjedhjeve të Lira, janë shtyllat e demokracisë. Hapat e shndërrimit të demokracisë shqiptare në diktaturë nisin me lëshimet ligjore, abuzimi me pushtetin ekonomiko-financiar, korruptimi politik dhe grumbullimi i pushtetit në pak duar, marrja në kontroll e organeve të pavarura dhe ndryshimi i ligjeve themelore të shtetit. Shfaqet delirante për ta parë liderin si “Shpëtimtar” apo “Baba” nga shërbëtorët janë fillimet e diktatorit.

Pesë hapat e shndërrimit të demokracisë Shqiptare në diktaturë!

Prof. Dr. Jordan Daci

E Drejta e Lirisë së Shprehjes dhe e Drejta e Lirisë së Organizimit dhe Tubimit së bashku me të Drejtën e Lirisë së Mendimit janë shtyllat e një demokracie. Ndërsa e Drejta e Zgjedhjeve periodike dhe të Lira realizon rivendosjen e ekuilibrave shoqërore dhe politik në shoqëri. Këto të drejta janë mjetet me të cilat demokracia rigjenerohet dhe mbrohet nga orvatjet e pushtetit dhe pushtetarëve për të marr sa më shumë pushtet gjë e cila përkthehet në rrëshqitjen e demokracisë drejtë formave të diktaturës nga ato më të lehta deri tek ato më të rënda. Dallimi se kur një demokraci rrëshqet lehtë apo rëndë drejtë një diktaturë varet në një masë të madhe tek ndërgjegjja juridike dhe politike e një shoqërie për të ndaluar pushtetin të keqpërdori pushtetin që i ka dhënë populli. Nga ana tjetër, demokracia e bazon mbrojtjen e saj midis të tjerash tek një tërësi institucionale kushtetuese e cila ka si bazë balancimin dhe kontrollin e ndërsjellët të pushteteve, ose më saktë të interesave të ndryshme të ushtruesve të pushtetit shtetëror etj. Një demokraci pa këto mekanizma nuk do të mund të mbijetonte gjatë dhe do të ishte vetëm një demokraci e çalë, por nga ana tjetër një demokraci pa të drejtën e lirisë së shprehjes, tubimit dhe organizimit do të ishte një demokraci e vdekur. Kjo pasi këto tre të drejta themelore janë mekanizmat me të cilët mbahet gjallë një demokraci dhe shërohet sa herë që mendjet e sëmura të pushtetit e rrënojnë atë. Të gjithë diktaturat pavarësisht kohës kur ka kanë ekzistuar, kanë të përbashkët abuzimin e pushtetit në kurriz të interesave të popullit dhe në favor të pushtetarëve.

Pesë hapat e shndërrimit të një demokracie në diktaturë

Hapi i parë

Hapi i parë i instalimit të çdo diktature fillon fillimisht me një apo disa lëshime apo shkelje të cilat në pamje të parë janë dukur jo shumë serioze dhe janë toleruar, për t’u pasuar më pas me shkelje të tjera gjithnjë e më serioze, derisa shkelja bëhet udhë dhe shoqëria humbet aftësinë për të kontrolluar më abuzuesin dhe për ta ndaluar atë për të mos bërë më shkelje të tjera. Në këtë moment, abuzuesi merr titullin e merituar diktator dhe diktatura e tij, nuk njeh më kufi.

Hapi i dytë

Hapi i dytë fillon me abuzimin me pushtetin ekonomik duke ndikuar në shpërndarjen e të ardhurave dhe grumbullimin e pushtetin ekonomik në pak duar dhe vetëm në duar që janë të lidhura me pushtetin.

Hapi i tretë

Hapi i tretë është korruptimi politik që konsiston në zhveshjen e politikbërjes së vendit nga çdo virtyt demokratik e atdhedashës dhe vlerë e cila bie ndesh me qëllimet afatgjata të grumbullimit të pushtetit në pak duar. Kjo fazë domosdoshmërisht shoqërohet edhe me manipulimin e votës së lirë dhe uzurpimin e pushtetit nëpërmjet mekanizmave jo demokratik.

Hapi i katërt

Hapi i katërt është marrja në kontroll e organeve të pavarura duke përcaktuar personat që i drejtojnë dhe vendimmarrjen e tyre. Marrja nën kontroll e gjyqësorit është ëndrra më e madhe e çdo diktatori ndërsa shpartallimi i tij ka qenë privilegj i fare pak diktatorëve të botës, aq pak sa mund të numërohen me gishtat e dorës.

Hapi i pestë

Hapi i pestë dhe goditja përfundimtare është ndryshimi i ligjeve themelore të shtetit, kalimi nga abuzim pushteti në represion ndaj cilido që nuk pranon të nënshtrohet, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut e shoqëruar me varfëri të tejskajshme dhe largim masiv të trurit nga vendi dhe marrja nën kontroll e çdo mendje të lirë në vend. Në këto fazë ligji humbet kuptimin e tij dhe kthehet vetëm në mjet për kontrollin shoqëror të kundërshtarëve dhe instrument imuniteti për vjedhjen dhe abuzimin. Ndërkohë, paralelisht shoqëria dhe i gjithë shtetit, bëhen të paaftë për të ndaluar vazhdimin dhe për të ndëshkuar fajtorin. Zakonisht kjo fazë karakterizohet thuajse gjithmonë me shfaqje delirante të liderit diktator, i cili fillon të shikohet si “Shpëtimtari”, “I Gjithëdituri”, apo edhe si “Baba”e atyre që tashmë kanë humbur çdo virtyt njerëzor. Turmat e servilëve dhe shërbëtoreve rreth diktatorit që më parë i bënin kryesisht elozhe dhe i siguronin privilegje e mbrojtje, tashmë kalojnë në vetëflijim të plotë shpirtëror dhe politik ndaj tij. Në këtë fazë, pushteti dhe imuniteti gjithnjë e në rritje i japim diktatorit besim dhe fuqi absolute sa fillon të nëpërkëmb dhe tall publikisht cilindo që i kundërvihet. Në këtë fazë, mund të themi që çdo ekuilibër ka humbur, demokracia ka vdekur dhe ajo mund të ringjallët vetëm me largimin e diktatorit, largim i cili lë pasoja që zgjasin me dekada. Duke u nisur nga këto tregues, rezulton që demokracia Shqiptare ka kaluar në të pesë këto faza dhe është shndërruar zyrtarisht në një diktaturë. Në vendin tonë midis të tjerash demokracia ka vdekur pasi mekanizmat e saj të ringjalljes sikurse janë e Drejta e Lirisë së Shprehjes dhe e Drejta e Lirisë së Organizimit dhe Tubimit së bashku me të Drejtën e Lirisë së Mendimit, janë kufizuar nga Qeveria dhe Kuvendi ilegjitim. Megjithatë, në gjithë këtë ekspoze të zymtë, ka një lajm të mirë se të gjithë diktatorët kanë një fund të njëjtë dhe ky fund është thjesht çështje kohe dhe nuk i referohem fundit të cilin i ka rezervuar Zoti çdo njeriut, por fundin që populli i tyre u rezervon diktatorëve. Është koha që të diskutojmë e protestojmë për të drejtat tona themelore! Është koha të diskutojmë dhe protestojmë kundër diktaturës të ulur këmbëkryq! Është koha t’i rikthejmë popullit pushtetin e vjedhur!