Kruja mbetet ende problem, sa raste të reja me koronavirus u zbuluan në 24 orët e fundit

304
Sigal

Pas një qetësie të ditëve të fundit, rikthehet frika sërish në Krujë, ku vetëm në 24 orët e fundit janë zbuluar pesë raste të reja. Ditën e djeshme i janë nënshtruar ekzaminimit 85 qytetarë në Krujë, shumica e të cilëve janë punonjës të fasonerive.

Nga 85 tamponë të bëra në total vetëm pesë dyshohet të jenë pozitivë, një në qytetin e Fushë krujës dhe katër në qytetin e Krujës.

Burimet e Fax News bëjnë me dije se tre personat pozitivë kanë qenë raste kontaktesh, ndërsa dy të tjera janë vatra të reja infeksioni.

Deri dje në vendin tonë kanë rezultuar në total 803 persona të prekur, 8 prej të cilëve ishin zbuluar në 24 orët e fundit, ndërkohë që ka një rënie të numrit të personave që kërkojnë trajtim spitalor.

“Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 803 qytetarë dhe aktualisht 68 % e tyre janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 229 persona aktivë me COVID19.

Pjesa më e madhe e të prekurve po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja paraqitet e qëndrueshme.

Aktualisht janë të shtruar 34 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive”, njoftonte dje ministria.