Ermal Dredha tregon programin për Vlorën: Fokus kryesor, turizmi dhe zhvillimi i hotelerisë

203
Sigal

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha nuk e sheh si rival të fortë, kandidatin e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, -Hysni Sharra.

Dredha u shpreh se Vlora është bastion i socialistëve dhe në këto vite janë kryer investime, të mbështetura nga qeveria.

Sipas Dredhës, investimet dhe vizioni i kryeministrit Edi Rama, janë një tregues që Vlora do të vazhdojë majtas.

“Çdo njeri ka vendin e vet në të gjithë këtë proces. Nuk e shikoj si një rival të fortë, me thënë të drejtën. Kjo edhe për shkak të kontekstit që ka vetë Vlora. Është një bastion i majtë, është një bastion socialist. Aq më tepër, kemi edhe parasysh të gjitha investimet që ka bërë qeveria socialiste dhe kryeministri i vendit tonë, zoti Edi Rama. Ka vendosur një vizion shumë të qartë se ku do të jetë ose ku do të projektohet Vlora në 10 vitet e ardhshme. Mendoj se të gjitha këto investime që janë bërë, janë një tregues që Vlora do të vazhdojë majtas”,- theksoi ai.

“Prioritet, në fakt për Bashkinë e Vlorës, janë edhe projektet që janë nisur nga qeveria shqiptare. Do të jetë loti 3, vazhdimi i Lungomares, do të mbërrijë deri në Orikum. Ky mendoj, është një projekt që duhet parë me seriozitet dhe do të ketë të gjithë mbështetjen tonë. Sa i përket ndërtimeve, kjo është një fazë tjetër, është për t’u parë me një vendim kolegjial, bashkë me këshillin bashkiak që do të zgjidhet në zgjedhjet e ardhshme. Por patjetër, ndërtimet, aty ku lejohen, do të ketë, por jo në mënyrë abuzive.

Sa i përket projekteve të mëdha, ne jemi më shumë të orientuar të shikojmë, të promovojmë, apo të mbështesim fort investime që i përkasin turizimin. Hoteleria do të jetë një nga shtyllat bazë të programit tonë dhe këtë e them gjithmonë duke iu referuar edhe kërkesës qytetare që ka për dhoma hotelesh. Kemi një fluks të madh turistësh, sidomos në periudhëne verës. Duhet t’u përshtatemi dhe t’u ofrojmë kushtet që kërkohen për një turist. Duhet të ketë më shumë dhoma hotelesh”,- theksoi ai.