Veliaj me banorët e Njësisë 7: Investimet në zonë kanë rritur 2-3 fish vlerën e pronës

122
Sigal

Në  një takim të zhvilluar me banorë të Njësisë 7 në kryeqytet, kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj, u theksoi se investimet në zonë kanë bërë që vlera e pronës është rritur me të paktën dyfishin e saj, krahasuar me pak vite më parë.

“Sot, po të shohësh se si me zhvillimin e ish Fushës së Aviacionit dhe me hapjen e Astirit pas tre vitesh bllokim, krejt papritur e gjithë lagjja tjetër po konturohet dhe qyteti po rritet me të njëjtën shpejtësi, do të thotë që jo vetëm mund të ecim përpara, por edhe mund të mbajmë ritmin me zhvillimin e pjesëve të tjera të qytetit. Fakti që edhe gjysma tjetër që konsiderohej një xhep midis Lanës dhe Fushës së Aviacionit, sot është kantieri më i madh i zhvillimit dhe urbanizimit, flet vetë dhe mezi pres që ta vazhdojmë këtë punë dhe të ecim përpara,”- u shpreh Veliaj.

Për këto arsye, ai ftoi të gjithë qytetarët që të vënë të parë familjen e tyre dhe jo partitë e të votojnë për ata që kanë besim se do i çojnë gjërat përpara.

“Familja më e rëndësishme politike është familja jote. Nëse ty të intereson çerdhja, kopshti, shkolla, do lidhësh kontratë me ata që të bënë kopshtin, çerdhen e shkollën. Nëse dikush thotë hajde bëjmë luftë me Amerikën, nuk besoj se ka njeri këtu që do të bëjë luftë me Amerikën. Kur mendoj se sa ka qenë çmimi i pronës te ish Fusha e Aviacionit në 2015 dhe si në disa raste është 2 apo 3-fishuar, do të thotë që kjo mbjellje pemësh, ky pastrim, ky mjedis këtu me terrenet sportive, i japin vlerë. Kur bëhet edhe rruga, edhe infrastruktura arsimore, në atë zonë që konsiderohej xhep, sot i jep vërtetë vlerë pronës,”- deklaroi më tej ai.

Veliaj u takua kryesisht me banorë të zonës së ish Fushës së Aviacionit, me të cilët mbolli edhe disa pemë në vijim të fushatës së gjelbër drejt 14 Majit.