Erisa Xhixho: Ilir Meta tregoi që është lider duke dalë në listën e hapur,ja pse nuk pranoi të jetë deputet i sigurt

34
Sigal

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në një intervistë , ka folur për atmosferën e fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, duke vënë theksin te bashkëpunimi me Partinë Demokratike dhe angazhimi i strategut amerikan Chris LaCivita.

“Një nga risitë më të mëdha të fushatës sonë është bashkëpunimi me Chris LaCivita, strategu që ka drejtuar fushatën e presidentit amerikan Donald Trump. Ai sjell një tjetër energji dhe fokus tek mesazhet që denoncojnë 12 vitet e krimit dhe keqqeverisjes së Edi Ramës,” u shpreh Xhixho.

Ajo theksoi se opozita po ndjek një strategji të unifikuar komunikimi dhe fushate, ku fokusi është programi dhe zgjidhjet për vendin. Sipas saj, prania e LaCivitës është edhe një sinjal i fortë për tejkalimin e narrativës se opozita nuk gëzon mbështetje ndërkombëtare.

“Sot kemi 3 rezoluta të qarta nga partitë evropiane dhe nga IDM në SHBA, që njohin persekutimin politik të opozitës në Shqipëri. Rasti i Ilir Metës është i qartë – izolimi i tij është në shkelje të hapur të Kushtetutës,” tha Xhixho.

Ajo u ndal edhe te vendimi i Ilir Metës për të qenë pjesë e listës së hapur në qarkun e Tiranës, duke e cilësuar si një akt frymëzimi.

“E gjithë përpjekja për izolimin e Metës ka qenë për ta penguar në fushatë dhe për të goditur Partinë e Lirisë. Megjithatë, vendimi i tij për të qenë në listë të hapur ka ngjallur emocione dhe një sensibilizim të jashtëzakonshëm te strukturat tona,” theksoi deputetja.

Xhixho kujtoi gjithashtu se Meta nuk e pranoi këtë format të listës së hapur në 2008-ën, kur bëri grevë urie kundër ndryshimeve kushtetuese. “Kjo është një betejë që ai do ta vazhdojë edhe në parlament. Kjo nuk është thjesht fushatë, është një mision për të mbrojtur demokracinë dhe përfaqësimin real,” përfundoi ajo.