Erion Veliaj: Takim me kryetarët e PS-së në Tiranë për zgjedhjet e 2025: Fushatë mobilizmi, familja jonë duhet të shtohet

Qëllimi i Partisë Socialiste është ta çojë vendin përpara, duke vijuar punën për zhvillimin e ekonomisë, të turizmit dhe shpejtimin e integrimit në Bashkimin Europian. Ky ishte mesazhi që Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, kishte për kryetarët e Partisë Socialiste në Tiranë, në takimin e zhvilluar në selinë rozë, duke shënuar kështu nisjen e punës për zgjedhjet e vitit 2025. Veliaj u shpreh se Partia Socialiste mirëpret çdo të ri të talentuar, që dëshiron t’i bashkohet familjes më të madhe progresiste të vendit, duke i porositur kryetarët e PS që të nisin një fushatë mobilizimi në të gjithë Tiranën. “Ne synojmë një mandat të katërt për Kryeministrin Edi Rama dhe forcën tonë politike, e cila është familja më e madhe, më patriotike dhe më progresiste në vend. Kush mendonte se pas tre mandateve në bashki unë do ta ulja ritmin, ju premtoj publikisht se kjo do të jetë fushata ku unë do të impenjohem edhe më shumë, do të punoj edhe më fort, jo vetëm për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, por për faktin se kjo forcë politike dhe Kryetari i saj e kanë transformuar Shqipërinë në një mënyrë të paimagjinueshme, po ashtu edhe Tiranën, çdo qelizë të jetës së vendit. Rizgjedhja e Partisë Socialiste në krye të vendit është mision kombëtar, po ashtu edhe puna jonë, si dega më e madhe në vend”,- tha ndër të tjera Erion Veliaj.

NOA