Erion Braçe revoltohet: Fshati ka traktorë, jo rezidenca pasanikësh

422
Sigal

Erion Braçe i revoltuar me Samir Manen: Fshati ka traktorë e zetorë, jo rezidenca për familjet e pasura

 Ish zv.kryeministri Erion Braçe, aktualisht deputet i PS, është shprehur i revoltuar me faktin se në librin e historisë së klasës së katërt, ilustrohet fshati me një foto nga kompleksi luksoz Rolling Hills i Samir Manes.

Braçe e konsideron si skandal faktin që teksa flitet për një fshat shqiptar, në foto është vënë kompleksi luksoz ku rrinë të pasurit dhe jo shumica e shqiptarëve.

“Fshati ka traktorë, zetorë, autokombajna, karroca. Fshatin e zakonshëm e ruan bashkëjetesa, askush në fshat nuk vjedh komshiun, as në punë e as në lagje,” shkruan Braçe. Megjithatë duket se kjo revolta e Braçes, pavarësisht skandalit me tekstet shkollore, do të kishte më shumë vlerë, sikur gjatë kohë që ishte zv.Kryeministër, minimalisht të mos firmoste vendimet që i zgjasnin afatet kohore, por edhe sipërfaqet, fshatrave turistikë, në zona të ndryshme të vendit.

“I dashur 10 vjeçar! Fshati nuk i ka të gjitha rrugët me asfalt, madje ka fshatra ku “rruga automobilistike”është e vështirë, e paasfaltuar dhe kalohet nga makina të rënda ose karroca; është gënjeshtër ajo që thuhet në libër. Pooo, fshati është i bukur, i gjelbër, me pyll, me ajër të pastër, me shumë kafshë, lopë, dele, qingja, pula, zogj, kuaj, gomerë, ndodh edhe me dhelpra, çakej prej vërteti! Tani, ky që sheh në libër, është diçka aty në anë apo poshtë fshatit tënd, nuk është fshati yt. Aty jetojnë njerëz, por nuk je ti, as prindërit e tu, as komshinjtë e tu në fshat. Ata që jetojnë aty janë njerëz që as e njohin e as e dinë ç’është fshati; një pjesë e tyre kanë shkatërruar qytetin dhe tani duan fshatin. Plot prej tyre janë të pasur, jo prej punës, nderit e dinjitetit, por prej abuzimit me detyrën që kanë patur apo kanë, prej korrupsionit e prej krimit; i njeh gjithë Tirana këta. Po ka aty edhe njerëz të ndershëm, të cilët nuk i njeh kush, sepse punojnë shumë, gjithçka e kanë prej punës së ndershme, as prej favoreve nga cilido pushtet, as prej shkeljes së ligjit ë fshehjes së parave shtetit”,- shkruan ndër të tjera Braçe.