Erion Braçe kryqëzon Taulant Ballën dhe lidhjet nepotike të tij: Po emërohen njerëz me të kaluar të errët në krye të PS duke e spastruar partinë nga socialistët e vërtetë

229
Sigal

Duket se mes socialistëve në Lushnje ka nisur përplasja. Një informacion i mbërritur në adresën e Syri Televizion, tregon se deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe është “përjashtuar” nga takimet me strukturat e kësaj partie në bashkinë e Lushnjes. Në grupin e What’s App, Erion Braçe ka dërguar një mesazh ku shpreh pakënaqësinë e tij se është përjashtuar nga takimi me anëtarët ku është bërë prezantimi i kreut të ri të socialistëve të Lushnjes. “Askush nuk më njoftoi për mbledhjen ku qenka prezantuar kryetari i PS. E kuptoj arsyen, unë isha kundër kandidaturës së këtij kryetari që u emërua sot. Patjetër për shkak të tij, mospërmbushjes së kriterit të arsimit, ky është pa arsim të lartë, disponon diplomën e një universiteti të mbyllur nga qeveria për shitje diplomash. Ky banon në Tiranë në një lagje me mua, 200 metër me tutje. Ky gënjen për arsimin, gënjen për vendbanimin. Unë mendova që Lushnja ka potencial intelektual kontribuitiv në PS shumë herë më shumë se ky kandidat. Ky emër u caktua kryetar duke mos përmbushur kriteret, por edhe përmes vetos së drejtuesit politik për emërimin e tij, pa mbështetjen e kërkujt në atë mbledhje, madje nën dyshime të mëdha, përfshirë edhe kryetarin e partisë,”-pretendohet se ka shkruar Erion Braçe në grup, ku ndodhen edhe socialistët e tjerë. Ergest Krakulli është personi i emëruar në krye të PS në Lushnje dhe i kundërshtuar nga Erion Braçe, edhe pse nuk e përmend me emër. Ndërsa figura e Krakullit është mbështetur nga Taulant Balla. Në të njëjtin artikull, “Syri” shkruan se Ergest Krakulli, i emëruar në krye të PS në Lushnje dhe i kundërshtuar nga Erion Braçe, është baxhanak i Edmond Begos, i akuzuar si ish-anëtar i bandës së Lushnjes dhe mik i ngushtë i Taulant Ballës. Ndërsa Balla për të mbrojtur miqtë e tij duket se ka vendosur të përjashtojë nga PS zërin më të fuqishëm, i cili mbron të drejtat e qytetarëve të thjeshtë. Braçe është deputeti i Partisë Socialiste, i cili nuk përton të zbresë në terren, por jo për të prerë shirita, por për të dëgjuar problemet e banorëve. Braçe merr pjesë edhe në protestat e fermerëve dhe më pas bëhet edhe zëri i tyre edhe në Parlamentin shqiptar. Ndërsa i vetmi zë, i cili duket se përfaqëson votuesit e socialistëve po tentohet të shuhet. Edhe në këtë rast, si në çdo tjetër, Erion Braçe kërkonte që përfaqësuesi i socialistëve në Lushnjë të mos ishte një mashtrues, por një person që ka integritet e vlera që e përfaqësojnë vendin. I kontaktuar nga mediat Erion Braçe deklaroi se mes tij dhe Partisë Socialiste nuk ka asnjë problem, duke mos e komentuar më tej situatën.