Monika Kryemadhi: Të ulet TVSH-ja për mallrat ushqimore nga 20% në 5%. Kandidatë të përbashkët me PD-në

456
Kryemadhi: LSI kërkon për uljen e TVSH-së për mallrat ushqimore nga 20 në 5%
Kryetarja e LSI-së, pranon se do të kenë kandidatë të përbashkët me PD në zgjedhjet lokale, opozita i jep kohë qeverisë deri në qershor për hapjen e negociatave, kryeministri Rama është aktor
Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, në një bashkëbisedim me gazetarët, duke iu referuar varfërisë të madhe që ka pllakosur shqiptarët nga keqqeverisja e Rilindjes Socialiste, si edhe politika e taksave të larta, theksoi se “ themi për investimet, flasim për strategji, flasim për reforma, por në fakt në fund të ditës harrojmë që 90% e shqiptarëve diskutojnë kafshatën e bukës, ku tashmë në Shqipëri jemi kthyer në filmin e famshëm që kemi parë gjithë lojërat e urisë.” Kryetarja e LSI-së Kryemadhi, duke parashtruar edhe platformën anti-varfëri të LSI-së, tha se LSI ka propozuar amendamentin e saj për uljen e TVSH-së për çmimet produkteve bazë të shportës në 5%. Gjithashtu, zonja Kryemadhi iu referua edhe punësimeve në administratën publike, duke evidentuar se “Komisioneri i ri për mbikëqyrjen e shërbimit civil, institucioni që monitoron punimet e administratës civile në Shqipëri konkludon se të 30% e të gjitha marrëdhënieve te punës të verifikuara nga institucionet e shtetit janë kryer në mënyrë të paligjshme me emërim të drejtpërdrejtë nga titullari i institucionit dhe pa konkurs”.
Znj. Kryemadhi, rasti i Gjirokastrës dje kur kishit një bashkëpunim mes LSI dhe PD a është një sinjal për bashkëpunim për zgjedhjet që vijnë?
Unë dua te them diçka për sa i përket rastit të Gjirokastrës. Jo vetëm ky rast ka dhe shumë të tjera që janë në funksion. Kjo nuk ka të bëjë thjesht për sa i përket bindjes politike, apo angazhimeve ne partitë politike. Ka të bëjë në funksionimin e Këshillave Bashkiak të cilat janë në shërbim të drejtpërdrejt me qytetarët. Nuk kemi te bëjmë më një parlament, nuk merremi ne diçka personale apo me një projektligj i cili është në shërbim të një grupi interesi por kemi te bëjmë me funksionimin e një bashkie. Jo vetëm nga qeveria, por edhe reagimi i strukturave të Bashkisë të cilat drejtohen në segmente të caktuara nga elementë të PS, jo vetëm që e kanë bojkotuar, por përveç se e kanë bojkotuar, edhe e kanë sabotuar. Unë mendoj që ka qenë një vendim i duhur i Këshillit, qoftë të PD, qoftë të LSI, për t’i dhënë zgjidhje situatës. Këshilltarët në çdo këshill bashkiak nuk janë këshilltarë të partive politike, por janë këshilltarë të cilët paraqesin interesat e qytetarëve.

Znj. Kryemadhi, ju do nisni bisedimet me qeverinë për reformat anti-varfëri dhe për hapjen e negociatave?
Bashkëpunimi ynë në shërbim të luftës kundër varfërisë, kundër krimit të organizuar , të një jetë më të mirë për shqiptaret, të ndalimit të kësaj hemorragjie njerëzore që po i ndodh Shqipërisë është i hapur dhe transparent. Nuk kompleksohemi, jemi te gatshëm. Ashtu si për ligjin e policisë qe ne dhamë 19 votat tona, për Vettingun që duhet bërë në radhët e policisë, për ri-funksionimin e policisë kanë qenë të hapura, ashtu do të jetë për çdo gjë që ka të bëjë në ndihmë të qytetarëve. Edhe për rastin e TVSH-së për biznesin e vogël, pra që ne do ta rikthejmë përsëri dhe njëherë, edhe në rastin e paketës anti-varfëri, kur unë mendoj që është një gjë shumë e thjeshtë. Nuk kemi asnjë kompleks që edhe ti marrin propozimet tona edhe ti bejnë copy paste dhe t’i vërë firmën dhe vulën e Rilindjes Edi Rama. Për ne është më e rëndësishme dalja nga skema e varfërisë së 200 mijë familjeve shqiptare se sa pushteti apo karriget e një grushti njerëzish.

Znj. Kryemadhi, LSI propozoi disa amendamente për ligjin e Vettingut në Polici. A ka një bashkëpunim mes jush dhe PS dhe si janë marrëdhëniet tuaja me z.Basha?
E kam thënë dhe e them gjithmonë, marrëdhëniet e mia qoftë me Z.Basha, edhe me z.Rama personale janë marrëdhënie shumë të mira. Me z.Basha aktualisht jemi në marrëdhënie bashkëpunimi për sa i përket frontit opozitar. Doja t’ju pyesja si i komentoni akuzat e PS-së në drejtim të PD-së në lidhje me bashkëpunimin me rusët? Mua më duken shumë qesharake. Problemi sot më i madh nuk është se a ka bërë fotografi me Presidentin Trump Lulzim Basha, apo ka paguar PD nga fondi apo buxheti i saj për lobing në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Besoj që e mbani mend që Edi Rama veshi fustan për të bërë një fotografi me Obamën para disa viteve dhe nuk ishte kjo gjëmë kaq e madhe. Unë vetë personalisht jam kundër kompanive lobiste, sepse kompanitë lobiste kanë një strategji që të bëj pak pis, që të të pastrojë nesër. Unë mendoj që e gjithë klasa politike marrëdhënien e saj me SHBA duhet ta ketë nëpërmjet Ambasadës së SHBA-së, të cilët janë ata prezantuesit e institucioneve të shtetit amerikan dhe janë të detyruar t’i përgjigjen klasës politike për sa i përket agjendës politike të partive të ndryshme apo dhe individëve të ndryshëm. Në fakt, po bëhem shumë egoiste, po e heq petkun e kryetares së partisë. Mua nuk më intereson se çfarë ndodh me të rinjtë ne Evropë. Por më intereson se çfarë ndodh me të rinjtë në Shqipëri. Dhe droga që vjen në Shqipëri apo konsumohet këtu e rendit Shqipërinë të parën në botë për përdorimin e kokainës. Dhe të kesh sot një brez të ri që e mban vendin e parë në botë për përdorimin e kokainës, do të thotë që shumë shpejt, brenda 3-4 vitesh si si Shqipëri, si shtet, si komb, nuk do ofrosh më mësues, pra shkollat tona do vijnë duke u varfëruar çdo ditë e më shumë.

Zonja Kryemadhi, ditën e enjte është një interpelancë me kryeministrin Rama për ndihmën sociale, e kërkuar nga PD. Cili do jetë qëndrimi i LSI?
Unë dua të them që historia e bashkëpunimeve underground në LSI nuk do ekzistojë. E them këtë sepse bashkëpunimet do jenë transparente, jo vetëm për mediat, por në radhë të parë për partinë, për gazetarët dhe gjithë shqiptarët. Bashkëpunimet underground janë bashkëpunime që prodhojnë kriza, destabilitet dhe varfëri dhe prodhojnë pushtet për oligarkët. Dua të them që të gjithë deputetët e LSI-së, që do mbajnë fjalën atë ditë, aq kohë sa na është lënë në dispozicion do të jenë dhe do i referohen paketës anti-varfëri të cilën LSI ka përgatitur, për ta bërë prezent në parlament dhe për t’ua ofruar pa asnjë lloj kushti dhe pa asnjë lloj kompleksi qeverisë shqiptare që ta përdori.

Do prisni muajin qershor për të rinisur protestat?
Personi të cilit i intereson më shumë moshapja e negociatave është Edi Rama, sepse hapja e negociatave e vendos brenda një kuadrati ligjor dhe rregullash të cilat ai nuk i ka me shumë dëshirë ti zbatojë. Hapja e negociatave janë kushte, hapja e negociatave janë detyrime që duhet ti bërë qeveria shqiptare dhe jo opozita, sepse opozita të vetmen gjë që ka në dorë është vetëm një monitoruese e qeverisjes dhe ka fjalën e saj në Parlament, ka fjalën e saj me protesta në rrugë për të thënë që këto gjëra janë gabim. Hapja e negociatave nuk është më thjesht një spektator në ringun e politikës shqiptare, por do të jetë një arbitër që do të vendosë rregullat e lojës shumë të qarta për klasën politike shqiptare. Që do të thotë së pari, mospërdorimi i parave të drogës për deformimin e mandateve në parlamentin shqiptar. Së dyti, do të thotë mosndërhyrjen e krimit të organizuar në strukturat e shtetit shqiptar. Së treti, mospërdorimi i parave të drogës dhe injektimi i tyre në ekonominë shqiptare, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse disa nga elementët kryesorë që jo vetëm kanë kriminalizuar shtetin shqiptar, jo vetëm kanë kriminalizuar institucionet shqiptare, por kanë mbjellë një varfëri dhe një pasiguri të qartë në Shqipëri, e cila është shumë e vështirë për ta ç’rrënjosur, E vetëm hapja e negociatave është vetëm një nga antidotët kryesorë të këtij realiteti të hidhur për të ç’bërë këtë realitet. E them këtë me bindje të plotë dhe për këtë jam e bindur, sepse edhe në letrën që i kam dorëzuar dhe dërguar Komisionerit Hahn, të cilën në fakt nuk e kam bërë publike, është një letër, ku personalisht në emër të LSI-së i kam kërkuar hapjen e negociatave pa kushte për Shqipërinë, pavarësisht se kush e drejton Shqipërinë, pavarësisht se kush është mazhorancë në Shqipëri.

A jeni të gatshëm të bashkëpunoni me Partinë Socialiste në zgjedhjet lokale?
E para, ky nuk është një vendim që më përket mua. E dyta, ky është një vendim që i përket strukturave të partisë. E treta, zgjedhjet lokale nuk kanë të bëjnë me programet politike, zgjedhjet lokale kanë të bëjnë me individët. Pra, individi do të jetë ai që do të garojë, nuk garon Monika Kryemadhi si kryetare e LSI-së, por garojnë individë të tërë në listat e këshillave bashkiakë, të cilët në fund të ditës janë ata që përplasen për ujin e pijshëm, për rrugët, për kanalet e ujërave të zeza, për shkollat dhe tavanet e shkollave që shemben, për kopshtet, për çerdhet e për shumë e shumë gjëra të tjera. Për certifikatat ku rrinë me orë të tëra në radhë për ti marrë dhe duhet të paguajnë lek nën dorë. Kështu që, ka të bëjë me individin. Për sa i përket bashkëpunimit elektoral, LSI është e vendosur në pozicionin e saj opozitar.

Mos ka ndonjë tërheqje nga ana e LSI-së për të denoncuar me emra konkretë aferat korruptive apo keqqeverisjen?
LSI nuk është organi i akuzës, nuk është Prokuroria e Përgjithshme. LSI është një parti politike e cila ofron alternative. Dhe në 27 vite tranzicion jemi mësuar që të përbaltim njerëzit, jemi mësuar që të ngremë akuza. Unë nuk jam prokurore, as gjyqtare. Unë mbi të gjitha jam nënë në radhë të parë, jam bashkëshorte, por jam zgjedhur edhe kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe detyra jonë është që ne tu japin njerëzve alternativa për zgjidhjen e problematikave. Alternativa e LSI-së nuk është përmendja e emrave. Denoncimin sigurisht që duhet ta bëjmë. Por ajo që është më e rëndësishme është që ne nuk bëjmë politikë për të kënaqur ambiciet dhe etjen e militantëve tanë. Ne duhet të bëjmë politikë duke dhënë alternativë dhe duke zgjidhur problemet.

Një koment të shkurtër për përballjen e djeshme të Kryeministrit me artistët. Keni një koment në lidhje me këtë? Nuk i keni mbështetur artistët apo jo?
Ne i kemi mbështetur por nuk duam ta politizojmë çështjen. Ne i mbështesim të gjitha grupet e interesit që luftojnë për të drejtat e tyre. I mbështesim politikisht dhe nuk kemi asnjë lloj problemi por ajo që kemi dashur ishte që të mos i politizojmë problematikat e tyre. Në fakt ka një problem: ne nuk kemi nevojë për teatër sepse kemi aktorin e madh Edi Rama. Ka filluar të bëhet një aktor vetë. I ka kthyer në arena teatrale të gjitha studiot televizive; diku qan, diku qesh, diku kërcënon, diku përkëdhel. Kështu që duke pasur parasysh që ne kemi një Kryeministër të gjithanshëm, edhe sportist, edhe artist, edhe shkrimtar, edhe piktor, edhe ushtarak, edhe polic, edhe bodiguard. Kemi edhe godinën e Kryeministrisë dhe ai nuk ka nevojë për Teatër Kombëtar. Ne kemi godinën e Kryeministrisë për teatër.

Do të keni kandidatura të përbashkëta me PD-në në zgjedhjet e ardhshme lokale?
Po edhe mund të kemi. 
Sigal