Ergys Alushi: “Xhepistët” e politikës, Vlora dhe simbolet në zhdukje të saj, si pasojë e papërgjeshmërisë

394
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kur ndërtohej bazamenti i Monumentit të Pavarësisë!

Më 17 gusht të vitit 1972 do të fillonte rrethimi dhe ngritja e bazamentit për ngritjen e Monumentit të Pavarësisë në sheshin e Flamurit. Skulptorët janë Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe Shaban Hadëri. Monumenti po ngrihet mbi një shkëmb të vendosur mbi bazamentin. Në qendër do të jetë Ismail Qemali. Qytetarët shkojnë në mëngjes në punë dhe është e pamundur të kalojnë para atij kantieri e të mos kthejnë kokën. Gurëskalitësit kanë ardhur nga Korça, si Vangjel Jorgji me shokë. Me këta gurë të skalitur bukur nga duart e mjeshtrave do të vishen shkallët anësore të shkallëve, të cilat do punohen me mermerin gri me rrëmba të bardha të sjellë nga Priska. Punëtorët e NSHN “Perlat Rexhepi” po vendosin pllakat e mëdha prej guri, që do të mbulojnë atë pjesë sheshi rreth monumentit. Monumenti peshon 35 tonë. Punohet edhe natën kur  vinçat, kamionat shkarkojnë gurë e mermer. Sot, 50 vjet pas ndërtimit, bazamenti rrezikon prishjen. Çfarë pune u prish ai bazament, që lartëson veprën e madhe të Ismail bej Vlorës dhe patriotëve të tjerë shqiptarë?! Përse duhet të prishet?! Kudo ku ndërhyhet për sistemimin e qendrave të vjetra historike, ndodh që e reja i përshtatet të vjetrës, simboleve, ato nuk lëvizin nga vendet ku janë, sepse ç’kuptim do të kishte. Çfarë impakti më shumë do të ketë për turizmin dhe historinë, zbritja në shesh e Monumentit të Pavarësisë?!

Disa rreshta për skelën e parë në Evropë…

Skelën që rrezikojmë ta humbasim! Ne, nuk kemi se ku ta gjejmë skelën e parë të qytetit tonë, që ndoshta ka qenë e vendosur në zonën e Triportit, Zvërnec. (Ptolemeu në veprën e tij “Geografia”, e quan “tokën e taulantëve” duke e quajtur qytet, skelë). Nuk kemi ku ta gjejmë as skelën e mëvonshme, të zhvendosur në zonën përreth aty ku është sot stacioni i trenit (Në veprën “Mbi ndërtimet” që e shkroi rreth vitit 560, Prokopi përmend një listë të gjatë të ndërtimeve dhe fortifikimeve që u bënë nën urdhërin e Justinianit). Por, kemi skelën aty ku është sot. (Pas vitit 519 shkëputet nga vendi në Triport dhe vendoset në rrëzë të kodrës së kështjellës malore të Kaninës, aty ku është skela e sotme. Pra kemi skelën e sotme, pasardhësen e skelave të mëparshme, e cila ka lëvizur e zhvendosur bashkë me qytetin. E vjetër dhe e famshme po aq sa dy skelat e mëparshme, për kohën në të cilën ato kanë ekzistuar!E rëndësishme sa më s’ka për historinë e Vlorës, jetën qindra vjeçare të saj, “portën” hyrëse dhe dalëse për miqtë dhe armiqtë e saj. Skela nga ku jemi pushtuar dhe çliruar. Skela nga ku kanë mbajtur frymën gjallë e kanë bërë tregti vlonjatët e hershëm.  Skela e ullinjve, vajit, bitumit, gjësë së gjallë, mermerit të Karaburunit e gurëve nga gurorja antike e Ujit të Ftohtë, të cilën e zhdukëm me betonin e lungomares 2.

Skela ku kanë zbritur bejlerë, pashallarë, lordër e deri Mbretër e Perandorë!

Skela ku zbriti për herë të parë në qytet, 18 shtatort 1908, Ismail bej Vlora, por dhe u largua më 1914! Skela nga ku erdhi në qytet arkivoli me trupin e pajetë të njeriut që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë! Skela ku zbriti për herë të parë në qytet edhe Fan Noli, që zhvilloi për herë të parë një meshë në gjuhën shqipe!Skela ku zbritën në qytet, për puishtimin e parë të Vlorës, 25 dhjetor 1914, dhe për pushtimin e dytë, 7 prill 1939, italianët, fqinjët e përtej detit!

Skela nga ku dhe u larguan të dyja herët italianët!Skela ku zbriti Avni Rustemi, pas vrasjes në Paris të Esad pashë Toptanit, por edhe nga ku u soll arkivoli me trupin e tij të pajetë, pas atentatit më 20 prill 1924 në Tiranë.Skela nga ku paria e Vlorës hynte e dilte për të lobuar për të mirën e Vlorës, në kancelaritë e huaja.Skela e kurbetllinjëve dhe emigrantëve, të kohëve të vjetra e moderne. Skela e eksporteve dhe e dhjetra anijeve ushtarake e civile, që kanë hyrë e kanë dalë nga gjiri i Vlorës.Skela e notarëve të famshmë të Vlorës, e skelarëve të dashuruar me detin, e njerëzve të shquar dhe e patriottëve të saj!Skela e sa e sa ngjarjeve të mëdha e të vogla!

Skela nga e cila mori emrin një zonë e qytetit, e cila ishte gati si një qytet më vete, aq sa edhe sot, nga vlonjatët e skelarët, ruhet dhe përdoret shprehja “do shkoj deri në Vlorë” apo dhe anasjelltas!

Vlonjatët e Skelarët, kjo specie në zhdukje e sipër…

Kaq ngjarje mjaftojnë që “skela e parë në Evropë”, të ruhet e të jetë një monument i historisë sonë. Skelën të cilën rrezikojmë ta humbasim në emër të zhvillimit, të së ardhmes, të ndërtimit aty, në vend të saj, të një porti jahtesh. Sipas parimit që “historia fillon me ne”!A nuk mund ta ruajmë edhe “skelën e parë në Evropë” bashkë me ndërtimin e portit të jahteve?! A nuk mund ta mbushim me tabela treguese për ngjarjet dhe historitë e saj? Në shërbim të të gjithë atyre që do të zbresin nga jahtet për turizën? Përse duhet ta prishim skelën e vjetër, historike, një nga simbolet që na ka identifikuar si qytet?! Përse druhemi të themi mendimin tonë dhe kur e themi, përse duhet të na paragjykojnë, të na përqeshin, të na e keqpërdorin si antizhvillim e antiqeveri?!Sa për këtë të fundit, dua më shumë Vlorën se Qeveritë, që shkojnë e vijnë.

“Xhepistët” e politikës!

Duhet të keni dëgjuar për xhepistët. Nëse jo, po ua tregoj shumë shkurt se çfarë janë xhepistët. Xhepist quhen në fjalorin popullor të gjithë ata njerëz që nëpërmjet shkathtësisë së gishtave(kryesisht dy gishtave), ju vjedhin lekët në xhepa apo në çanta njerëzve të tjerë. Këta quhen xhepist, që vjen nga fjala “xhep” (xhep i brendshëm i xhaketës apo xhepat e pantallonave). Xhepistët vjedhin në disa mënyra, por njëra nga mënyrat më klasike është “të bërit xhep” me ndihmën e shokut.Po si?  Ky shoku qëndron pranë ose ngjitur me “viktimën”dhe i mbulon rrezen atij që do të bëj xhep, që të mos shikohet apo kuptohet nga ai që do ti vidhen lekët në xhep. Mjaftojnë vetëm pak sekonda që lekët të ikin nga xhepi i atij që i ka dhe të përfundojnë në xhepin e xhepistit, pa e parë njeri tjetër përreth. Fenomeni “xhepist” mu kujtua teksa po mendoja për shumë drejtues institucionesh këtu në Vlorë, njerëz që vijnë dhe ikin papritur nga drejtimi, nga pushteti dhe po ashtu krejt papritur mëson dhe kupton se janë bërë të pasur, pavarësisht se mundohen me njëmijë e një mënyra për ta fshehur lekun. Edhe kjo kategori njerëzish pa frikë mund të quhen “xhepistat” e politikës, të pushtetit.Sepse edhe këta ashtu si ata xhepistët tek tregu, tek radha apo tek autobuzi, kanë dikë, që për të vjedhur, e vendosin përpara që tu bëj rreze, për të mos u parë nga të tjerë, që të vjedhin rehat.

Dhe kështu i bëjnë “xhep”shtetit, e vjedhin.Janë “xhepistë” që kanë ardhur e kanë ikur, por edhe po vijnë përsëri vetëm për të bërë “xhep”, për të vjedhur.Dhe nuk janë të vetëm në “punën” e tyre.Kanë edhe atë që i mbulon, përkrah, me të cilin ndajnë lekët që fituan nga “të bërit xhep”. Ky shteti dhe pushteti si dhe taksapaguesit shqiptarë vidhen përditë nga këta “xhepistë”të politikës dhe shtetit, të cilët vetëm e vetëm sepse kanë dikë atje lart në Tiranë apo këtu poshtë në Vlorë, që i mbron, nuk kanë të ngopur në “bërjen xhep” të shtetit. Çfarë të bëj i shkreti njeri, “xhepistë” në rrugë e në autobus që e vjedhin, “xhepsitë” edhe në institucionet e shtetit në Vlorë, që përsëri e vjedhin. “Xhepistët”kanë nisur të aktivizohen edhe tani në prag të listave për deputet. Kanë nisur t’u bëjnë “xhep” liderave politikë në Tiranë, me shpresën se mos u vendoset emër në listë.