Xhevat Mustafa: 19 shkurti 1951, atentat i vërtetë apo skenar i fshehtë?

94
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në kuadrin e 70 vjetorit të Masakrës ndaj 22 martirëve antikomunistë më 26 shkurt 1951

Edhe procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politke të Komitetit Qendror të PPSH-së ndihmon për t’i shtuar e përforcuar dyshimet. Enver Hoxha me shokë e shoqe, ishin mjeshtra për skenarë e për të aktruar me dramaticitet dhe shqetësime të forta… Dëshpërimi, zemërimi, egërsimi, kërcënimet…e tyre ishin thjesht sa për propagandë dhe hipokrizi për shqiptarët dhe servilizëm për “vëllezërit sovjetikë”, sidomos për shokun Stalin.

Edhe sot pas 70 vjetësh, edhe pse janë botuar libra për këtë ngjarje, përsëri ka kundërshti e debate mbi të vërtetën e plotë të këtj atentati, që i shërbeu diktatorit Enver Hoxha dhe turmës së zagarëve të tij si sebeb për masakrën e 26 shkurtit ndaj 22 personaliteteve intelekuale, të fushave të shkencës, letërsisë, tregtisë, ushtrisë. Mes tyre ishte vetëm një femër, shkencëtarja Sabiha Kasimati, shoqe klase në Liceun e Korçës, e dashuruar prej Enver Hoxhës dhe e refuzuar prej saj. Padyshim historianët e mirënjohur Uran Butka dhe Kastriot Dervishi janë më të angazhuarit dhe më voluminozët me vepra dhe shkrime studimore kushtuar këtij atentati dhe Masakrës ndaj 22 figurave antikomuniste. Është e natyrshme që të dy mos të jenë 100% të një mëndjeje për gjithçka e të kenë kundërshti apo mendime ndryshe për disa detaje, rrethana, fakte, të dhëna…Por, bashkohen për dy autorët kryesorë të këtij atentati dhe për pjesëmarrjen e tyre në oraganizatën e quajtur “Bashkimi  Kombëtar”, drejtuar nga Sejfulla Shima. Kjo organizatë kishte dalë nga ”Grupi i Rezistencës” apo “Fronti i Rezistencës”, pasi u zbulua ( jo plotësisht) se ky grup apo front kishte rënë në duart e Sigurimit të Shtetit enverian. Sipas të dy historianëve, autorët kryesorë të këtj atentati janë toger Qazim Laçi, 27 vjeç, lindur në Pukë, banues në Tiranë. dhe  Hysen Llulla, 25 vjeç, lindur në Krujë, por me banim në Tiranë, në lagjen e “Tabakëve”në Tiranë. Për të pasur një informacion më të detajuar, sidomos nga lexuesit e moshave të reja, ndihmon një kronikë tejet e shkurtër për këtë atentat, shkëpëtur nga një shkrim  i gjerë i historanit Kastriot Dervishi.

 

“Në orën 19.30 Hysen Llulla dhe Qazim Laçi dolën nga shtëpia e këtij të fundit dhe u nisën me biçikleta drejt legatës sovjetike në rrugën e Kavajës në Tiranë. Të dy do bënin një xhiro që do zgjaste 30 minuta e do ktheheshin pa u dyshuar nga askush. Qazim Laçi i veshur ushtarak, ecte i pari, por nuk mbante armë. Hysen Llulla që udhëtonte pas tij, mbante me vete një revolver dhe dy bomba si dhe dinamit. Ishte një natë e errët dhe e frikshme. Rruga krejt e zbrazët sikur po i priste ta thyenin heshtjen e asaj nate. Qazimi kaloi legatën dhe shkoi në drejtim të shtëpisë së oficerëve, afër ambulancës së madhe. Hyseni ngeli prapa, sepse ndezi një cigare, në mënyrë që ta përdorte për ndezjen e fitilit. Qazimi ngurroi, e hetoi rastin si të papërshtatshëm, pasi një makinë po shkarkohej aty pranë shtëpisë së oficerëve. Pikërisht në këtë kohë Hyseni hedh dinamitin. Qazimi pa Hysen Llullën të ecë me shpejtësi të madhe në drejtim të tij, duke u larguar nga legata. Duke kujtuar se atë e kanë kuptuar Qazimi iu bashkua Hysenit dhe të dy vazhduan me shpejtësi nëpërmjet rrugës së Radio Tiranës, që të çon në rrugën e Kavajës. Vijuan të ecin deri sa mbërritën te pallatet buzë Lanës, vend ku dëgjuan shpërthimin, që ndodhi në legate”. Po sipas historanit Dervishi: “Organizata u zbulua rastësisht. Ky zbulim lidhej me faktin se njëri nga anëtarët, Mark Zef Pali nuk i kishte shkëputur lidhjet me dy elementë të Sigurimit si “Fiku” dhe “Angazhonjësi”. Ua tregoi këtyre me sinqeritet si ishte puna. Sigurimi u vu në ndjekje të anëtarëve të organizatës. Hysen Llulla nuk ra në dorë të tyre dhe u vra në përpjekje. Të tjerët u arrestuan midis datave 3 mars – 3 prill 1951. Gjykata e Lartë Ushtarake më 9.10.1951, me dyer të mbyllura, dënoi me vdekje: Qazim Laçin, Sejfulla Shimën, Rustem Thaçin, Zenel Rikën, Ali Voglin, ndërsa për Mark Zef Palin, Ramiz Voglin, Riza Shehun dhe Adem Kastratin, dënimi me vdekje u kthye në burgim të përjetshëm. Reshit Shima u vra në dhomën e torturave, Riza Pengili u pushkatua përpara derës së shtëpisë, ndërsa Hysen Llulla, kryetari i grupit që hodhi dinamitin në oborrin e Ambasadës Sovjetike, u vra kur desh t’i ikte arrestimit”. Edhe nga këto informacione konçize, shumëkujt mund t’i lindin plot dyshime, rezerva, pikëpyetje për seriozitetin dhe sinqeritetin e ideimit, përgatitjes, organizimit dhe kryerjes së këtij atentati. Për nga mënyra se u krye ai mund të cilësohet edhe si tepër i nxituar apo amatoreske. Shprehur më shkurt, mund të bëhet hapur pyetja: Ishte atentat i sinqertë dhe  i vetëdijshëm  apo skenar i fshehtë…mbuluar keq me gjethe fiku?

Për mua personalisht, për deri sa Grupi i Rezistencës apo Fronti i Rezistencës pranohet se kishte rënë në duart e Sigurimit enverian, më me shumë gjasa është që kjo ngjarje të ishte një skenar për të bërë një masakër masive për eleminimin e 22 intelektualëve dhe tregtarëve e për t’ i futur edhe më shumë tmerrin popullit. Pas atentatit pati dëme të pakta materiale e jo viktima në njerëz…Mos vallë ky akt, i ideuar dhe nisur si shprehje apo aksion i qëndresës antikomuniste, për një rrethanë aksidentale, dekonspirimi paraprak nga një pjesëmarrës i organizatës,  njeri “naiv” apo tejet “i sinqertë” me elementë të Sigurimit si “Fiku” dhe “Angazhonjësi”, u shndërrua si “gricje” apo “gërvishtje”, sa për të provokuar kundërveprimin barbar të 19- 21 shkurtit dhe 26 shkurtit? Nga përvoja disa shekullore e shërbimeve sekrete dhe e atentateve është dëshmuar, ka dalë mesazhi apo mësimi se edhe rrethanat aksidentale nuk janë krejt aksidentale! Nga historitë e njohura, të shkruara apo ekranizuara nëpër filma, janë të shumtë rastet apo shembujt, që dëshmojnë se jo 100% e atentateve të dështuar janë për shkaqe të rastësishme apo aksidentale! Shprehur më hapur: unë, subjektivisht, anoj nga pista e dytë, pra e një skenari të dekonspiruar apo sabotuar nga një apo dy njerëz të infiltruar nga sigurimi! Për këtë ma shton bindjen edhe fakti se jo rastësisht dy të infiltruarit apo dekonspiruesit, u asgjësuan edhe fizikisht, me më shumë gjasa, për të mos lënë dëshmitarë të gjallë për të vërtetën lakuriqe të  këtij “atentati”. Të jemi të qartë: me këto rezerva e dyshime nuk po bëhet inkriminimi i përgjithshëm, i të gjithë organizatës “Bashkimi Kombëtar” apo defaktorizimi i saj në jetën politike të viteve të fundit 1940 dhe fillimit të viteve 1950. Shumica e anëtarësisë së saj, pa asnjë mëdyshje, meriton respekt e mirënjohje! Nuk vihet aspak në dyshim edhe veprimtaria e saj pozitive antikomuniste dhe sensibilizuese për demokraci, brenda hapësirës dhe mundësive që pati. Për fatin e keq të tyre apo për mungesë vigjilence, arritën të futeshin  në gjirin e organizatës edhe 1-2 të infiltruar nga Sigurimi! Dihet se në vitet 1945-1956, në shumicën e “bandave të diversantëve” dhe të grupeve antikomuniste, Sigurimi kishte mundur të fuste njerëz të tij. Kështu ka shumë gjasa të ketë ndodhur edhe me këtë grup anti-komunist. Nuk duhet harruar se pas këtij “atentati”, u vranë 22 intelektualë dhe personalitete elitarë antikomunistë! Nuk kërkon shumë vramendje për të kuptuar se ky “atentat” u shfrytëzua si sebeb apo alibi për masakrën ndaj 22 martirëve të 26 shkurtit 1951! Të shton dyshimet për skenar edhe një detaj tjetër.”Atentati” u organizua dhe u krye me pako dinamiti e jo më bomba, që bëjnë dëme më të mëdha. Edhe proçesverbali i mbledhjes së Byrosë Politke të Komitetit Qendror të PPSH-së ndihmon jo pak për t’i shtuar dhe përforcuar dyshimet. Enver Hoxha me shokë e shoqe, ishin mjeshtra për skenarë dhe për të aktruar me dramaticitet dhe shqetësime të forta! Prandaj, mund të mendohet se dëshpërimi, zemërimi, egërsimi, kërcënimet…e tyre ishin thjesht sa për propagandë dhe hipokrizi për shqiptarët dhe servilizëm për “vëllezërit sovjetikë”, sidomos për shokun Stalin. Mund të mos përjashtohet kategorikisht se Enver Hoxha, Mehmet Shehu  etj, kishin vendosur me kohë që të mbyllnin një sy e një vesh ndaj “atentatit” ndaj ambasadës së Bashkimit Sovjetik.

Plot, historianë dhe qytetarë të thjeshtë, edhe miku im Kastriot Dervishi, me skrupulozitetin e historanit, që operon vetëm mbi bazën e fakteve dhe dokumenteve zyrtare, por, që kanë edhe rrezikun të përpunohen, sipas versionit zyrtar, mund të kundërshtojnë. Sipas tyre, regjimi enverist nuk do të lejonte t’i prekej një fije floku askujt nga personeli i ambasadës sovjetike. Por, njëherazi, shumëkujt, mes tyre edhe mua, me të drejtë, mund të na vërshojnë pyetjet: Pse të mos kryhej atentati pikërisht këtu, ku do të kishte jehonë më të madhe e më të gjërë si dhe arësye më të shumta e më të forta për raprezalje? Pse jo, edhe në marrëveshje me KGB, për një atentat në atë formë të nxituar, me ato dëme të pakta materiale e me sigurinë se nuk do të kishte brenda ambasadës asnjë viktimë nga personeli? Pse të mos mendohet se ky atentat do të shfrytëzohej për një nga goditjet më masive e me jehonë në vend ndaj figurave të njohura, disa edhe intelektualë elitarë apo nga më të shquar të trurit shqiptar në atë periudhë? Përse në 2-3 ditët pas kësaj ngjarjeje të bujshme u arrestuan thjesht për terror rreth 200 vetë dhe u ekzektuan 22 njerëz, që nuk kishin as dijeni dhe as lidhje me Grupin dhe “atentatin”?

Unë u shpreha si publiçist. U takon historianëve barra apo misioni të japin përgjigjen e saktë, të plotë dhe përfundimtare nëse më 19 shkurt 1951 patëm atentat të vërtetë e të sinqertë apo një skenar të fshehtë, një praktikë e shpeshtë  për regjimin diktatorial të Enver Hoxhës.