Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Mjeshtër i Madh” kampionët e arteve marciale, Besford Dorezi dhe Arbis Vjerdha

529
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Një ditë pas dekorimit nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kampioni i arteve marciale, Besford Dorezi një intervistë për Telegraf është shprehur se gjatë karrierës së tij ka arritur shumë rezultate por shteti nuk i ka dhënë asnjë ndihmë.

Ditën e djeshme, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi dy nga sportistët tanë të shquar të arteve marciale, të cilët me rezultatet e tyre të larta dhe profesionalizmin kanë spikatur në disiplina të ndryshme sportive si Kick Box dhe Thai Box në kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare. Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Besford Dorezi “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shquar në sportin e Judos. Sportist kampion, me rezultate të shkëlqyera në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”. Po me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti Meta dekoroi zotin Arbis Vjerdha “Për kontributin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e sportit të Kick-Boxit dhe Thai Boxit. Sportist kampion me rezultate shumë të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”. Në fjalën përshëndetëse gjatë ceremonisë solemne të organizuar me këtë rast, në prani të familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të sportit, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Është kënaqësi, që në vazhdimësi të nderojmë personalitete të sportit, që kanë ngritur lart vlerat dhe imazhin e kombit tonë, si dy sportistët dhe kampionët e spikatur, nga dy sporte të rinj të Artit Luftarak, Kick Box e Thai Boxing dhe Judo. Sportet luftarake, që shpesh quhen ‘Arte marciale’, kanë kaluar në procesin e modifikimit, fisnikërimit dhe humanizimit dhe janë vënë në kornizat e frymës dhe të parimeve sportive. Besford Dorezi është ndër të parët ushtrues të sportit të Judos.  Ai ka konkurruar me ekipin e klubit sportiv “Dinamo”, si dhe me shoqatat sportive “Don Bosko” dhe ‘Albania Sport’. Aktualisht ai vazhdon të konkurrojë me klubin sportiv “Studenti”.

Besford Dorezi është kampion absolut në të gjitha moshat për vite me rradhë, duke fituar shumë tituj kampion kombëtarë, por edhe të Republikës. Po kështu ai është anëtar i ekipit kombëtar të Judos dhe ka marrë pjesë në gara të rëndësishme ndërkombëtare. Arbis Vjerdha është një nga sportistët më të talentuar, që ka dhënë një kontribut të çmuar në ngritjen dhe masivizimin e sportit të Kick Box-it dhe Thai Boxing në Shqipëri. Rezultatet e tij janë shembullore në këtë sport, duke arritur nivelet më të larta, si Kampion Bote, Kampion Europe, Kampion në Lojrat Mesdhetare dhe fitues i shumë trofeve prestigjoze. Arbis Vjerdha ka ngritur flamurin kombëtar për 20 vite dhe ka përfaqësuar me dinjitet vendin tonë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Me pasionin, përkushtimin dhe talentin e tyre, ata u bënë kampionë të shkëlqyer, duke nderuar jo vetëm ngjyrat e klubeve të tyre, por dhe flamurin kombëtar.

Me rezultatet e tyre të merituara ata janë bërë një shembull frymëzimi në masivizimin e këtyre sporteve, sidomos tek të rinjtë e të rejat. Kick Boxing dhe Judo janë disiplina sportive të vështira, por në themelin e tyre janë sporte, që ndikojnë në zhvillimin e trupit dhe shpirtit, u mësojnë të rinjve shumë cilësi pozitive të nevojshme, si disiplinën, forcën, këmbënguljen, respektin dhe ndershmërinë. Këto sporte në vendin tonë, janë të kërkuara nga rinia, prandaj është detyrë e Federatave dhe shoqatave të këtyre sporteve, të punojnë pa u lodhur për promovimin e vlerave të tyre dhe të jenë të angazhuar, për t’i dhuruar sportdashësve,  gara të ndershme e rezultate sa më të larta. Ndërkohë është edhe detyra jonë, e institucioneve shtetërore dhe të qeverisë për t’i mbështur sa më shumë. Dëshiroj me zemër që këto sporte të kenë mbështetje në të gjitha mjediset, të ketë solidaritet, të ketë korrektësi dhe respekt. Faleminderit dhe suksese në të ardhmen, njëkohësisht edhe këtyre sporteve sa më shumë kampion, nën shembullin frymëzues të Arbisit dhe të Besfordit. Faleminderit!”

Ja intervista e plotë e kampionit Besford Dorezi për telegraf.al : 

Flet rekordmeni i xhudos, Besford Dorezi: Në 25 vite eksperiencë jam shpallur kampion në të gjitha grupmoshat

-Kur e keni filluar këtë sport të vështirë por edhe të bukur pak të njohur në Shqipëri?

-Sportin e Xhudos e kam filluar që në moshën 10-vjeçare në Zvicër, ku dhe kam dalë kampion për moshën dhe kam marrë ccertifikimet e para si Gradën KYO.

-Mund ti përcjellësh lexuesit disa nga rezultatet tuaja?

– Rezultatet e mia kanë qenë gjithmonë shumë të larta për më shumë se 20 vite kampion Kombëtar. Shumë herë jam shpallur sportisti më i mirë, kampion i kupës së Republikës. Pra në shumë vite nuk kam pasur konkurrencë të fortë.

 

-Dikur sportist sot trajner, çfarë të rinjsh keni nxjerrë me rezultate të larta?

-Aktualisht trajner kam nxjerr xhudistin tim Jon Vrenozi me titullin Kampion Ballkani që është një arritje shumë e madhe. Pra një kampion i padiskutueshëm që dominon për disa vite. Kemi punuar pa orar me muaj të tërë për të arritur këtë rezultat. Falë punës erdhi dhe titulli.

-Sa vite eksperiencë kemi në këtë sport kaq interesant?

-Kam më shumë se 25 vite eksperiencë në këtë sport ku jam shpallur kampion në të gjitha grupmoshat. Ndeshjet me xhudistë të huaj kanë qenë të panumërta duke patur parasysh numrin e madh të aktiviteteve ndërkombëtare. Kam shumë rezultate dhe jashtë vendit.

-Federata dhe shteti a të kanë ndihmuar në këtë nismë kaq të bukur?

-Vëmendja nga Federata dhe shteti ka qenë një zero e madhe sepse nuk na kanë dhënë asnjë kontribut pasi kanë patur hallin e dietave të veta, apo të përfshijnë familjare në lista rrogash.

-Si ndiheni me titullin e lartë që ju dorëzoi Presidneti Meta?

– Emocionet për këtë titull që mu akordua nga Presidenti janë shumë të medha. Është një vlerësim për të gjithë djersën e derdhur këto 25 vite karrierë. E falënderoj në mënyrë të veçantë Presidentin Meta për faktin që tregon vëmendje për sportistë apo artistë të cilët kanë dhënë vlera dhe kontribute në Shqipëri. Është një nder shumë i madh!