Ergys Alushi: “Deputeti që duam”!

390
Sigal

Është njësoj si të thuash “Deputeti online”!

Deputeti që duan ata lart!

Që propozohet nga poshtë me urdhër nga lart! “Deputeti që duam”, por që në fakt nuk e njeh askush as në pallat, në lagje dhe nuk ka se si ta  duan kur nuk e njohin! “Deputeti që duam’, i cili votohet jashtë dëshirës nga ata që nuk e duan, por e votojnë për detyrim të pushtetit që u siguron një vend pune, paçka se kontributet i kanë shumë herë më të mëdha se “Deputeti që duam”! Është njeriu që thotë se “unë dua të bëhem deputet!”(Kush është ai që nuk do të bëhet deputet) dhe…fap, bëhet deputet! Përshembull, edhe unë dua të bëhem deputet, por nuk më bën njeri, sepse nuk më duan ata lart! “Deputeti që duam” është njeriu i atyre lart dhe që për ta bërë deputet, e sjellin si një risi, si një tërheqje nga poshtë, por që pa dyshim, me urdhër e dëshirë nga lart!

“Deputeti që duam”!

Deputeti me lista! Deputet me listë, të emëruar, besnik të çështjes së partisë e liderit!

Kjo është demokracia që duam të ndërtojmë pas 30 vjetësh!

Kjo vetëm demokraci nuk është!

Shqipëria i ngjan një shtrati, të cilit edhe pse i ndërron mbulesat mbetet po ai, shtrat i vjetër! Si mund të pretendosh të ndërtosh demokraci në Shqipëri, kur vendi ka dalë nga një diktaturë e gjatë!

Kur nuk ekziston ende një shoqëri civile!

Kur nuk ekziston ende një shtresë e mesme!

Kur shteti është i gjithëfuqishëm!

Kur jashtë vullnetit të shtetit nuk lejohet të zhvillohet asnjë alternativë tjetër!

Kur shtypi i lirë kërcënohet nga makineria shtetërore!

Kur njerëzve që kërcënohen nga pasiguria për jetën, kanë ende frikë nga shteti, nga partia!

Kur njerëzit ndahen ende në “Ne” dhe “Ata”!

Kur liria e mendimit, e besimit dhe e fjalës, edhe pse të sanksionuara me ligj, mbeten thjesht retorikë në kafene e mjedise të vogla! Për të gjitha këto e të tjera arsye, me të cilat Shqipëria është e mbushur, rrethana të caktuara mund të shpien në rënien e demokracisë! Vdekja e një diktature nuk garanton lindjen e një demokracie! Historia vazhdon…