Endi Laci: Edhe njëherë për certifikatën për “kampionin e antikorrupsionit”

469
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Po shpreh një mendim për shkak të ndjeshmërisë që krijoi në opinionin publik të vendit  problemi  i dhënies të çertifikatës si “kalorës i antikorrupsionit” gjykatësit Dvorani nga ana e DASH. Me këtë rast  m’u kujtua një ndodhi nga një kohë e shkuar. Shumë kujt mund t’i kujtohet se aty rreth vitit 1988 në një Samit Ndërkombëtar të Organizatës Botërore të Ushqimit, që u mbajt në Meksiko Siti, Shqipërisë iu dha çertifikata  apo medalja e vendit me popullin më të ushqyer në botë. Dhe kur e mendon se prej disa vitesh deri në atë kohë populli ynë ushqehej me tollona, një farë racionimi që bënte shteti se mungonin të gjitha, po të gjitha, sendet më të domosdoshme ushqimore.

Brezi i ri dhe të huajt sot e kanë të vështirë ta kuptojnë si ishte e mundur kjo gjendje, po mjafton të themi se çdo familje, pavarësisht nga numri i personave merrte një kg mish në muaj, që ndoshta andej nga vinte ky produkt mund të mos përdorej më si ushqim për njerëzit dhe një litër qumësht në javë, pavarësisht se në familje mund të kishte dy apo tre fëmijë të vegjël. Sigurisht atë kohë asnjë prej shqiptarëve nuk i bëri  përshtypje kjo medalje se e kishin të qartë që ishte pjesë  e propagandës për shplarje truri, pak a shumë siç bëhet edhe sot me projeksionet 3D, por regjimit atë kohë i duhej më shumë për konsum të jashtëm, se  Shqipëria e shpallte veten si vendi i vetëm në botë ku ndërtohej “me sukses socializmi dhe mbrohej Marksizëm-Leninizmi”. Atë kohë shumica jonë nuk e dinte mekanizmin e marrjes të këtyre çertifikatave apo medaljeve. Në Shqipëri nuk lejohej të hynte asnjë i huaj apo komision dhe të hetonte si ushqeheshin njerëzit. Asnjërit ndoshta nuk i shkoi mendja se nga u morën këto të dhëna. Por dihej se për gjithçka gënjehej. Pas viteve ’90 mësuam për kompanitë lobiste, që veprojnë me shumicë në vendet e ndryshme, sidomos në SHBA, të cilat kundrejt një pagese  prej qindra mijëra apo edhe miliona dollarëve, marrin përsipër të kryejnë porosi të çfarëdoshme, siç ishte rasti që mësuam se ishin bërë përpjekje për lobim për “korrigjimin” e kufijve të shtetit të pavarur të Kosovës. Duke u zgjatur në këtë historinë e të kaluarës tonë e them me bindje se edhe çertifikata për zotin Dvorani nga DASH duhet të jetë “punë e suksesshme” e ndonjë kompanie lobimi. Shqipëria , siç pohonte edhe raporti i fundit i DASH, është një nga vendet ku pastrimi i parave, që vinë nga krimi i organizuar ka dalë jashtë çdo kontrolli dhe me to mund të paguhet çdo kompani lobimi, sado të jetë çmimi i shërbimit.

Prandaj unë përsëri me bindje e them se kjo çertifikatë nuk mund të jetë sygjerim apo kërkesë nga ana e ambasadës siç mund të mendohet. Sepse duke u nisur  edhe nga përvoja  të njohura, për një kërkesë të tillë nga zyrtarët eprorë, me siguri ambasada do të kishte marrë informacion të mjaftueshëm në lidhje me propozimin për personin e mësipërm, ku do mësohej lehtësisht se ai kishte qenë një hetues i ish-Sigurimit famëkeq të shtetit, komunist dhe prokuror i Diktaturës të Proletariatit, që “ priste pa mëshirë me shpatën e mprehtë të Partisë kokat e armiqve të popullit dhe agjentëve të imperializmit amerikan”. Populli i Shkodrës, më antikomunisti në vend, e njeh mirë karrierën e tij sidomos në ditët e fundit të regjimit komunist dhe, duke ardhur në ditët e sotme, në lidhje me titullin e tij si “kalorës i antikorrupsionit”, do dilte se ai nuk e kishte kaluar vettingun dhe do ishte i përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, si shumë kolegë të tij për mos justifikimin e pasurisë, sikur të mos vepronte seleksionimi politik jo i rrallë në këtë proces. Më tej do mësohej se ai kishte qëndruar  në detyrë në krye të sistemit të drejtësisë edhe për shumë vite mbasi i kishte mbaruar  mandati, se i duhej  “atyre që e mbanin të lidhur” për të çuar deri në fund veprimet e jashtëligjshme në dëm të proceseve demokratike e deri te rrezikimi i sigurisë kombëtare, duke shkelur me dashje çdo ligj kushtetues apo të zakonshëm për të lënë vendin disa vjet (precedent që nuk është ndeshur në asnjë vend të globit) pa Gjykatë Kushtetuese. Dhe më tej do të ishin lexuar përfundimet e Komisionit të Venecias në lidhje me veprimtarinë antiligjore i të çertifikuarit si “kampion i antikorrupsionit”. Do të ishte me interes për opinionin publik, por edhe për efekt transparence, që ambasada si përfaqësuese e DASH të rendiste se cilat janë “veprat e kampionit të antikorrupsion” të zotit Dvorani. Kjo do të ishte  një detyrim moral ndaj këtij populli, që ushqen  një dashuri dhe mirënjohje të pakufizuar ndaj SHBA dhe popullit tuaj amerikan.


Por mendoj dhe shpresoj se edhe pas peticionit të disa qindrave qytetarëve shqiptaro-amerikan drejtuar kreut të DASH, apo nga ndonjë intervistë  e “Zërit të Amerikës” me ndonjë nga përfaqësuesit e DASH, do të merret një përgjigje shteruese për këtë veprim që ka habitur dhe indinjuar një pjesë të madhe të opinionit publik të vendit. Për mendimin tim korrupsioni ka një kuptim të dyanshëm, është ekonomik dhe politik. Vettingu e nxorri të korruptuar të lartpërmendurin për shkak të mos justifikimit të pasurisë, por veprimet antiligjore për pengim të qëllimshëm të formimit të Gjykatës Kushtetuese, gjithnjë sipas Komisionit të Venecias, e nxjerrin edhe të korruptuar politikisht. Dhe këtu sipas mendimit tim duhet të ketë dy arsye: ose ai vazhdon të jetë një nostalgjik patologjik i sistemit të diktaturës komuniste ose ai është viktimë e shantazhimit për shkak të  ndonjë veprimi në të kaluarën e tij. Ne jemi dëshmitarë se si u çbllokua formimi i  Gjykatës Kushtetuese pas largimit të tij nga KED. Unë do të shpresoja  se zonja ambasadore Kim, siç i kërkoi autoriteteve përgjegjëse që Gjykata Kushtetuese të bëhej funksionale deri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar dhe kjo tashmë ishte e mundur se ai që e pengonte ishte larguar, po njëlloj të kërkohej ose të sugjerojë që SPAK-u të hetojë me përparësi denoncimet për prishjen e Teatrit Kombëtar, për konçesionet e mjekësisë, që e futën sistemin në kolaps të plotë, për inceneratorët, për dosjet e vjedhjes të votave, sepse në këtë rast do të shkëputen shumë vargonj që e mbajnë  të lidhur përparimin demokratik të vendit dhe  ndërtimin e  shtetit të së drejtës.