Emërimi i 12 ushtarakëve në postin e prefektit, Zyhdi Kroj i kundërpërgjigjet Zaimit

493
Mesditën e së mërkurës kryeministri largoi nga detyra 12 prefektët aktualë duke i zëvendësuar ata me 12 ushtarakë në rezervë. Lidhur mbi këtë emërim pati reagime të shumta si nga opinionistët ashtu edhe nga ish-kolegët e ushtarakëve. Disa prej ushtarakëve e konsideruan këtë emërim një farsë dhe të tjerë e quajtën të drejtë. Në këtë replikë u gjend koloneli Pëllumb Zaimi, i cili foli ashpër për ushtarakët e emëruar dhe Zyhdi Krojin e Thoma Kondurin, Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë që e konsideruan një veprim dinjitoz të shefit të qeverisë. 

Kroji i është kundërpërgjigjur Zaimit. Ai foli për gazetën “Telegraf”. “Në vendet anëtare të NATO-s, oficerët dhe gjeneralët në rezervë, konsiderohen rezerva njerëzore. Ato, përveç përfshirjen në operacione humanitare, paqeruajtëse dhe luftarake, përdoren sipas nevojave edhe në pozicione të tjera jashtë profilit të tyre. Duhen theksuar arsyet pse i konsiderojnë të tillë. Për natyrën e shërbimit që kanë kryer ata dallohen nga specialistët e fushave të tjera për seriozitetin në punë, respektin dhe korrektësinë ndaj ligjeve dhe rregullave, organizimin e punës e kërkesën e llogarisë, sakrificën e përkushtimin për zbatimin e misionit të ngarkuar. Nisma e qeverisë për emërimin e 12 oficerëve dhe gjeneralëve në rezervë, në postin e Prefektit ( nuk është ndonjë post i lakmuar), meriton vlerësim dhe mbështetje. Çuditërisht në opinionet e shfaqura disa civilë bëjnë vlerësime pozitive, por del një Pëllumb Zaimi, njeri anonim në strukturat ushtarake që i konsideron ata “agjentura të Rilindjes dhe të panjohur për ushtarakët”. Por harron të thotë se promovimi i tyre në këto poste është bërë nga qeveria Berisha dhe, sipas meje, kjo është tërësisht normale. Përkundër opinionit të tij, të 12 kolonelët e gjeneralët njihen për opinionin ushtarak, si personalitete me kulturë e formim ushtarak plot eksperiencë në punë, të kualifikuar jashtë shtetit dhe me tituj shkencorë. Unë i njoh disa prej tyre, ndaj urimi im është: Ta përmbushin maksimalisht pritshmërinë e kryeministrit, për të treguar se ka edhe shumë të tjerë që mund të aktivizohen në sektorët ku është e nevojshme prezenca e tyre. Zoti Zaimi përmend pa asnjë lidhje, se unë marr rrogën nga Ministria e Mbrojtjes. Le të verifikojë borderotë dhe shpenzimet dhe do të befasohet, se në shumë raste kam vajtur me shpenzimet e mia dhe me borxhe. Me kompetencën e një megalomani e cilëson Thoma Kondurin, agjent politik të Greqisë dhe të Janullatosit etj. Por nuk është ai Thomaj për sa i përket fesë ortodokse si qindra ushtarakë të tjerë, nuk është faji i Thomait se babai gjyshi e stërgjyshi janë delvinjotë autoktonë, se Delvina është pjesë e Shqipërisë dhe jo pjellë e fantazisë së tij tësëmurë. Unë i bëj thirrje zotit Zaimi mos akuzoni kolegët tuaj se herën tjetër do të përballeni në dyert e gjykatës.”, tha Zyhdi Kroj 
Sigal