Ekzekutivi dhe Gjyqësori, në shërbim të mirëqenies të fëmijës së braktisur

353
Sigal

Në shërbim të interesit dhe mirëqenies për fëmijët e braktisur në Shqipëri duhet të vendoset çdo mundësi ligjore, administrative e shoqërore.

Ky është mesazhi që ka përcjellë gjatë fjalës së tij, Zv/Ministri i Drejtësisë, z. Arben Isaraj, i cili ka qenë sot i pranishëm në një takim të përbashkët mes Ambasadës Amerikane, Ministrisë së Drejtësisë dhe Komitetit të Birësimeve, me fokus adresimin e çështjes së birësimeve në vendin tonë.

“Në botën ku jetojmë shfaqen juridiksione të ndryshme që rregullojnë fushën e birësimit. Ka juridiksione që lejojnë një nga dy llojet e birësimeve, por ka dhe juridiksione të tjera që i njohin të dy llojet e birësimeve, të hapura ashtu apo të mbyllura. Një birësim i hapur lejon prindërit biologjikë për të zgjedhur prindërit adoptues të fëmijës së tyre, ndërsa një birësim i mbyllur bën që prindërit biologjikë të shmangen nga të gjitha të drejtat mbi fëmijën dhe lejon një agjenci administrative shtetërore për të kryer procesin e përzgjedhjes ”, sqaroi z. Isaraj

Më tej, Zv/Ministri Isaraj theksoi se në bashkëpunimin dhe bashkëveprimin ligjor dhe institucional midis drejtësisë shpërndarëse, që jep ekzekutivi dhe drejtësisë korrigjuese që jep gjyqësori, janë të nevojshme disa masa administrative dhe ligjore në funksion të eleminimit të zgjatjes së panevojshme të proceseve gjyqësore që zhvillohen nga seksioni i së drejtës familjare në gjykatë, efektivitetit administrativ dhe gjyqësor, që të garantojë interesin më të lartë të fëmijëve të braktisur, në gjetjen e familjeve të përshtatshme për birësim, ngritjen e kapaciteteve të ekspertëve psikologë në gjykatë që asistojnë në proceset gjyqësore me objekt biresimin, etj.

Referuar mbështetjes dhe nismave të ndërmarra nga Ambasada Amerikane, z. Isaraj u shpreh besimplotë se edhe përshirja institucionale e Ministrisë së Drejtësisë do të jetë një kontribut i vyer që  nevoja dhe mirëqenia e fëmijëve të braktisur të vihet përpara interesit të prindërve biologjikë apo birësues.

Z. Isaraj i ka shprehur mirënjohjen Ambasadorit Arvizu për të gjithë kontributin e tij institucional dhe personal duke dëshmuar respekt dhe humanizëm njerëzor ndaj një çështjeje kaq të ndjeshme.