Eduard Selami në Tiranë: Ja partia ime!

637
Sigal

INTERVISTA/ Ekskluzive me Eduard Selamin, ish-kryetar i Partisë Demokratike në fillim të viteve 1990

Dje pasdite ka mbërritur në Tiranë ish-Kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami, i cili prej më shumë se 15 vjetësh jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I shkarkuar në mënyrë jo demokratike nga kreu i selisë blu, momenti i përzgjedhur nga Selami për këtë vizitë ka ngjallur kërshëri dhe diskutime, ndërkohë që, thuajse ka filluar fushata për zgjedhjet e 23 Qershorit.Por a do të angazhohet ai në politikë dhe me kë? Eduard Selami mbetet një nga figurat emblematike të lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990 dhe të Partisë Demokratike edhe pse i ka munguar politikës aktive shqiptare prej afro shtatëmbëdhjetë vjetësh. Si një nga themeluesit dhe ish-Kryetar i Partisë Demokratike, Selami mbetet një figurë gjithnjë tërheqëse për gazetarët dhe mediat, edhe pse deri më tani ka folur kryesisht nga Shtetet e Bashkuara. Dje ai mbërriti për disa ditë në Tiranë dhe intervistën e parë po e jep për gazetën “Telegraf”. Është një vizitë krejtësisht private për të uruar babain e tij, Aqif Selamin, për 85-vjetorin e ditëlindjes, por gjithsesi biseda me të kalon menjëherë tek politika, te ditët e dhjetorit ‘90, por edhe për përparimet dhe dështimet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, te zhvillimet aktuale dhe zgjedhjet e pritshme, ku dëshmon se i njeh mjaft mirë zhvillimet politike në vend. Eduard Selami tregoi dje se, simpatizon vetëm Partinë Demokratike, dhe se nuk i përket asnjë force tjetër politike në vend. Zërat e përhapur se do të bashkohet me partinë e Bamir Topit i konsideron thjesht thashetheme të pabaza.

 – Zoti Eduard, duke ju uruar mirëseardhjen në Shqipëri, dua t’ju pyes se cili është motivi i kësaj vizite në Tiranë kësaj radhe

– Është thjesht një vizitë private. Im atë, Aqifi, mbushi 85 vjeç dhe unë erdha ta uroj për ditëlindjen. Por edhe të mos ishte ky rast, unë do të vija, sepse vij në vendin tim, në shtëpinë time, takoj miqtë e mi që fatmirësisht i kam të shumtë dhe nuk më harrojnë. Unë nuk i kam ndërprerë për asnjë moment lidhjet me atdheun tim dhe jam në dijeni të të gjitha zhvillimeve që ndodhin këtu. Prandaj dhe nuk ka pse të keqinterpretohet apo të motivohet me zhvillime të tjera. Unë nuk pres ftesa për të ardhur në Shqipëri.

 

– Flitet se ju kini ardhur për t’u angazhuar në politikë, meqë po afrojnë dhe zgjedhjet e 23 Qershorit. Madje, ju kanë “anëtarësuar” në partinë e Bamir Topit si një nga krerët e saj. Sa e vërtetë është kjo?

– Nuk ka asgjë të vërtetë. Janë thjesht thashetheme gazetash. Unë deklaroj se nukdo të hyj në politikën aktuale dhe në asnjë parti politike. Ua thashë pak më parë se kjo është një vizitë private, do të qëndroj vetëm disa ditë dhe s’ka të bëjë me jetën politike aktuale në Shqipëri. A, po të më pyesni se cilën parti preferoj, do t’ju them se unë si një nga nismëtarët e lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 dhe ndër themeluesit e Partisë Demokratike pëlqej dhe mbështes vetëm Partinë Demokratike, pavarësisht nga zigzaget, sukseset dhe dështimet e saj. PD-në mund ta kritikosh për shumë gjëra, por kjo, nuk do të thotë t’i mohosh meritat. Dhe meritat, arritjet e saj gjatë këtyre më shumë se dy dekadave, si kur ka qenë në opozitë dhe tani që është në pushtet, janë të pamohueshme, nuk mund të vihen në dyshim.

– Sidoqoftë, PD-ja ka 8 vjet në pushtet. A nuk është i nevojshëm një rrotacion politik në zgjedhjet e 23 Qershorit?

– Kjo është tjetër çështje. I takon këtij populli të vendosë me votë të lirë dhe demokratike se, cila parti do të jetë ajo që do të drejtojë vendin për katër vitet që vijnë.Por fakti që PD ka përballë një opozitë që nuk shpalos një alternativë bindëse qeverisëse, natyrisht që është në favor të këtij koalicioni qeverisës. PS është trashëgimtare e ish-Partisë së Punës dhe pjesa më progresiste e saj, që unë mendoj se është LSI-ja i është bashkuar PD-së.

– Përmendët lëvizjen e dhjetorit 1990. Cila është përshtypja e Eduard Selamit për atë lëvizje pas më shumë se njëzet vjetësh?

– Është një kohë që është e vështirë të harrohet dhe që s’ka për t’u harruar për vlerat që solli. Ajo është një lëvizje për të cilën tashmë janë ezauruar vlerësimet që janë bërë për të. Ajo është padyshim lëvizja më e fuqishme dhe më progresiste e 100- vjetëve të fundit të historisë së popullit shqiptar. Them më progresiste sepse ajo lëvizje e orientoi Shqipërinë drejt vlerave perëndimore dhe demokratike. Kjo aspiratë qëndronte në themel të idealeve të studentëve që e nisën atë lëvizje si dhe të gjithë intelektualëve dhe popullit që e mbështeti fuqimisht atë.Poky ideal ishte një ideal i përtërirë i atyre që themeluan dhe ngritën shtetin shqiptar, një ideal që u ndërpre me Luftën e Dytë Botërore që ishte një tragjedi e pashembullt. Vendosja e diktaturës komuniste ishte një goditje e dytë që varrosi shpresën e shqiptarëve për ndërtimin e një Shqipërie demokratike, perëndimore dhe europiane në të njëjtën kohë. Në Shqipëri u instalua diktatura më e egër në Europë, mbase më e egër edhe se në Korenë e Veriut. Shumë njerëz tani mund të thonë se i erdhi koha të përmbysej regjimi komunist. Unë s’jam i këtij mendimi. Shembulli i Koresë së Veriut dhe Kubës edhe sot e kësaj ditë e hedhin poshtë këtë tezë dhe flasin në favor të lëvizjes sonë. Koha është gjithmonë ajo që fakton dhe tregon gjithçka, prandaj studentëve të dhjetorit u takon merita dhe nderimi i madh për atë përmbysje. Ata i kanë bërë një nder shumë të madh Shqipërisë dhe popullit të tyre. Personalisht për mua, si për pjesën dërrmuese të shqiptarëve na lidh me ato ideale të pastra dhe idealizëm që ishte kudo, me shpresën e madhe për një Shqipëri si gjithë Europa, por në veçanti mirënjohja i shkon edhe popullit të Tiranës që i dha jetë asaj lëvizjeje.

– Sapo cituat parullën më të famshme të atyre ditëve dramatike: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Por Europa po na refuzon sistematikisht për t’u bërë pjesë e saj. Pse ndodh ky refuzim?

– Kjo lidhet me shumë faktorë. Disa mund të fajësojnë Partinë Demokratike, port ë tjerë fajësojnë opozitën. Pse opozita nuk i voton tre ligjet që janë vënë si kusht për statusin? Pse vihet si kusht Fieri? Ç’lidhje ka Fieri me një interes madhor kombëtar si marrja e statusit? Unë nuk shikoj asnjë lidhje dhe mendoj se është një sebep për të penguar integrimin e vendit. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe që mendoj se do t’i faturohet kësaj opozite. Unë mendoj se janë bërë shumë gjëra të mira në këtë vend dhe ky është një proces që vazhdon. Shqipëria është në proces për t’u bërë si Europa. Mua më pëlqen të jem optimist për këto procese që po vazhdojnë. E them këtë pasi për herë të parë për më shumë se njëzet vjet pandërprerje kemi një sistem demokratik që funksionon, pavarësisht ndonjë aksidenti apo ngecje aty-këtu. Dhe kjo është e natyrshme për një vend ku ka munguar për një kohë aq të gjatë kultura demokratike. Por unë mendoj se mundësitë janë më të mëdha, mundësitë jo duke u bazuar në kritere të rrepta, por dhe me kriteret më tolerante. Sepse është për të ardhur keq që kanë kaluar më shumë se 20 vjet dhe Shqipëria akoma nuk ka plotësuar kushtin e parë për një shoqëri që funksionon mbi vija mbrojtëse të një demokracie funksionale, që ka probleme me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që ka shumë probleme me funksionimin e institucioneve të pavarura etj..

– Ju përmendët disa cene të demokracisë shqiptare. Unë po ju shtoj dhe disa të tjera: Si e shikoni- fjala vjen -uzurpimin e të gjitha pushteteve nga PD-ja, si KLD, KLSH, SHISH etj.?

– Shiko, ky është një problem. Të gjithë ata që marrin pushtetin punojnë dhe luftojnë për konsolidimin e pushtetit të tyre.Por nuk është vetëm faji i tyre. Prandaj dhe është opozita, që të shmangë abuzimet me pushtetin. Këto pushtete që ju thatë se janë marrë nga PD-ja janë votuar në Parlament. Çfarë bëri opozita që ato të mos ndodhnin? Ja pra pse nuk duhet ta fajësojmë vetëm PD-në për këtë.

– Për këto mangësi dhe për këtë prapambetje që sapo përmendët, është fajësuar shpesh klasa politike, e cila për hir të së vërtetës duhet thënë se ka manifestuar një mentalitet të prapambetur. Ju a jeni i këtij mendimi?

-Po. Madje, unë mendoj se çështja është më komplekse se kaq. Unë e kam veçuar dhe e kam thënë duke bërë përgjegjëse klasën politike, se është ajo që po mban peng ëndrrën e shqiptarëve, për të bërë një demokraci funksionale dhe për ta bërë Shqipërinë si Europa. Është kjo klasë politike që ka shkaktuar vonesat dhe pengesat. Mendoj kështu pasi klasa politike ka vrarë konkurrencën, ajo është si të thuash sektori më i prapambetur në vend. Shqiptarët kanë ecur shumë më përpara, iniciativa e lirë ka bërë shumë përpara, sidomos në këto 10-15 vitet e fundit, pasi kemi pasur edhe një mbështetje të madhe nga ndërkombëtarët, si rrallë herë në historinë tonë. E them këtë jo se jemi aleatë të një aleance perëndimore, por se jemi pjesë e Aleancës më të fuqishme dhe më përparimtare në botë, jemi aleatë të Shteteve të Bashkuara, që janë demokracia më e madhe shtetërore. Fatkeqësisht klasa politike, shpesh herë na ka zhgënjyer për të qenë promotorë përshpejtues të demokracisë që kërkohet. Që një shoqëri të eci përpara, elita duhet të eci gjithmonë një hap përpara. Fatkeqësia është se jo vetëm nuk është në avangardë, por shpesh ka qenë në bisht të situatave.

– Megjithatë, ne kemi arritur një sërë suksesesh si anëtarësimi në NATO, liberalizimin e vizave dhe këtu klasa politike ka pjesën e saj të meritës, apo jo?

– Pa diskutim, këto janë arritje shumë të mëdha. Padyshim që klasa politike ka merita në këtë drejtim. Është ajo që i ka udhëhequr këto ndryshime dhe këtë ecje përpara. Shqipëria sot ka ndryshuar. Në Shqipëri ndihet era e ndryshimit gjithandej. Kur unë jam kritik,  jam kritik ngaqë dua që të bëhet më shumë dhe mund të kishim ecur më përpara. Ndryshimet, progresi ekonomik duken me një sy të lirë. Askush nuk e mohon këtë. Anëtarësimi në NATO është goxha përparim. Tirana sot është një qytet perëndimor, një qytet europian me kuptimin e plotë të kësaj fjale. 20 vjet më parë numëroheshin me gishtat e dorës makinat në bulevarde. Ky ishte realiteti. Sa ka bërë njëri, sa ka bërë tjetri, nuk mund të bëjmë llogarira këtu, por realisht kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Kjo ndihet që në aeroport, duket në gjithë Tiranën që ka marrë një pamje krejt të re dhe që ndryshon vazhdimisht. Dëshira e njerëzve është se duhet të ecim më shpejt në rrugën e ndryshimeve dhe në këtë drejtim politika duhet të jetë e para dhe në ballë.

– Aktualisht, këtu kemi disa ngërçe politike ndërkohë që jemi para zgjedhjeve të 23 Qershorit. A mendoni ju se ne nuk jemi në gjendje të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme?

-Po, shqiptarët ka ardhur koha që të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë mendoj se ka ardhur koha që të bëjmë zgjedhje me standarde europiane. Kështu besoj dhe shpresoj të jenë dhe zgjedhjet e 23 Qershorit. Në një intervistë që kam dhënë te “Zëri i Amerikës” kam theksuar se, Shqipëria ka kaluar periudhën e kontestimeve për zgjedhjet e lira në vend. Në këtë pikë duhet të ketë patjetër një zgjidhje përfundimtare. Këtë vit Shqipëria e ka këtë shans ta dëshmojë këtë pjekuri. Sepse nuk mundet që të kemi demokraci funksionale pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa një drejtësi të pavarur, po kështu dhe funksionimi i parlamentit. Të gjitha këto mendoj se, janë probleme serioze, që jo vetëm u ka ardhur koha, por u ka kaluar koha, sepse të gjitha këto janë themeli i demokracisë, me këto duhet të matet progresi. Këto janë sfidat e politikës shqiptare. Janë probleme serioze për një demokraci funksionale.

– Si e shpjegoni një mbijetesë të mentalitetit komunist në politikë dhe në shoqërinë shqiptare ende edhe pas njëzet vjetësh?

– Kjo është komplekse. Por unë mendoj se dy janë arsyet kryesore. E para, mungesa e traditës demokratike dhe, e dyta, unë bëj me përgjegjësi klasën politikën shqiptare, komoditeti që të jep mungesa e konkurrencës. Asnjë parti politike shqiptare nuk funksionon në mënyrë demokratike sot. Kjo është e dëmshme për një shoqëri të përparuar demokratike. Kjo është një nga arsyet kryesore që politika dhe shoqëria ecin me hapa të ngadaltë. Nëse ne do të duam një përshpejtim, patjetër që duhet të kërkojmë të kemi një reformim të strukturimit të forcave politike mbi baza demokratike perëndimore. Sa kohë që nuk funksionon kjo, kemi për të ecur me hapa të ngadaltë.

– Juve flisni me simpati për Partinë Demokratike dhe duket sikur harroni faktin se si ju shkarkuan si Kryetar të saj në mars të vitit 1995. Apo jo?

– Jo, unë nuk e kam harruar atë ngjarje. Por qysh në fillim ua bëra të qartë se këto janë zigzaget, në të metat e kësaj force politike. Por ato nuk janë gjithçka. PD-ja ka merita dhe këto merita janë më të mëdha se dështimet dhe të metat e saj. Prandaj dhe unë vazhdoj ta ruaj simpatinë për këtë parti dhe them se ajo aktualisht është forca më progresiste politike në vend. Shiko, unë kam lexuar dhe mendoj se e njoh mirë lëvizjen politike në Shtetet e Bashkuara. Në vitet e para të demokracisë amerikane janë bërë gabime të tilla, madje dhe ndaj Xhorxh Uashingtonit. Edhe në Angli janë bërë e bëhen gabime. Por askush nuk mund të thotë se, këto vende nuk janë demokratike. Madje janë demokracitë më të përparuara të botës.

– Përveç kësaj kemi edhe një sëmundje tjetër si shoqëri shqiptare, siç është korrupsioni. Ç’do të thoshit për këtë dukuri?

-Po, këtu ka korrupsion moral, politik dhe personal. Mua më duket gjë pozitive denoncimi i korrupsionit, por që të luftohet ai duhet të funksionojnë të gjitha shtyllat e demokracisë, prokuroria dhe gjyqësori në veçanti. Në këtë aspekt duhet kapërcyer aspekti i konstatimeve. Prandaj sa kohë që nuk funksionojnë institucionet demokratike, sa kohë që nuk ka gjykata të pavarura, lufta kundër korrupsionit do të mbetet një propagandë elektorale.

– Në mbyllje të kësaj interviste po ju pyes drejtpërdrejt: Kur do t’i riktheheni politikës aktive, në PD a në ndonjë parti tjetër?

– Unë e ndjek çdo moment shpirtërisht politikën shqiptare dhe përpiqem të jap kontributin tim me sa mundem, brenda hapësirave që më krijohen. Edhe kur isha Kryetar i Partisë Demokratike, edhe tani kërkoj emancipimin e politikës shqiptare, demokratizimin e saj, ecjen më të vrullshme përpara në demokraci. Kjo mendoj se është më e rëndësishme se sa pjesëmarrja apo jo e një personi.

– Ju faleminderit!