“Këneta ka 0 shanse për të bindur shumicën”
Jo vetëm një fitore të 4-ërt për socialistët, por edhe një epërsi numerike bindëse është parashikimi i Edi Ramës për zgjedhjet e 11 Majit. “Do të fitosh 77 deputetë? Mund të jenë edhe më shumë. Do ta shkruaj atje te lokali në Kuç ku herën e kaluar kam lënë rezultatin.”
Nga dritarja virtuale “Sy më sy”, kritikëve që i kujtojnë humbjen, përgjigjen ua ktheu me shprehjen e tij të preferuar. “Mos e cysni nocin se sa më shumë e cysni aq më shumë do t’iu dhëmbë më 11 Maj. Prisni, duroni 30 ditë dhe pastaj do ta shihni se kujt do t’i trokasë noci te dera. E dhimbshme do jetë.”
Gongu zyrtar i fushatës për socialistët nis të shtunën, por ndryshe nga herët e tjera Rama tha se ai do paraprihet me një cikël takimesh.
“Në këtë cikël takimesh ne do të jemi së bashku me fuqinë tonë kryesore që janë gratë dhe vajzat”, tha Rama.
Në këtë dalje një mesazh pati edhe për demokratët.
“Ore mos votoni kurrë për mua e PS, por si mund të shkoni pas një të urituri që i fiket llampa 3 herë në ditë tanimë se edhe mosha tepër e thyer bën të vetën, që i ka sjellë këtij vendi halle, rrëmuja e turbullira. Rrini në shtëpi, por të dalësh e të hedhësh votën në kënetë uaa!!”