Dy demokratët e njohur shkodranë: Basha të largohet, ‘Foltorja’ e Berishës na riktheu shpresën

211
Sigal

Qashif Hoxha dhe Benjamin Nako janë dy nga figurat më të njohura të Partisë Demokratike në Shkodër, aktivistë të saj që nga themelimi 30 vjet më parë. 

Hoxha është veprimtar i hershëm dhe anëtar i bordit këshillues të degës së PD në kryeqendrën e veriut, ndërsa Benjamin Nako, anëtar i Kryesisë së degës lokale.

Dy aktivistët e djathtë folën në emisionin e ‘Autochthonous’ të gazetarit Simon Shkreli për krizën që po kalon Partia Demokratike. 

Ata ndajnë të njëjtin qëndrim kur shprehen: Lulzim Basha duhet të largohet, PD nën drejtimin e tij u shndërrua në opozitë fasadë. Foltorja e ish-kryeministrit Sali Berisha shprehen Qashif Hoxha dhe Benjamin Nako i ka rikthyer shpresën demokratëve.

Qashif Hoxha: PD në këto vite që në drejtimin e saj ka ardhur zoti Basha, prej 2013, ka qenë në një agoni totale, pa aksion politik, një opozitë fasadë, me aksionet politike të marra në mënyrë autokratike dhe shumë të gabuara si dorëzimi i mandateve, mosmarrja pjesë në zgjedhje, marrëveshja pas çadrës. Këto bënë që PD të humbasë besimin në publik, e bëri një parti pa frymë, pa vizion. Dhe ia bëri më të lehtë qeverisjen Edi Rama. Foltorja ishte një diell, që mobilizoi edhe njëherë, ngjalli një frymë opozitare të vërtetë. Nga një njeri që në këto 30 vite me dritëhijet e tij ka qenë figura qendrore e Shqipërisë, por kur ka qeverisur kanë qenë vitet më të bukura të demokracisë por edhe për mirëqenien e shqiptarëve e proceset e integrimit euroatlantik. Basha i humbi shpresën dhe besimin PD-së e me marrëveshjet okulte po e çonte drejt asgjësimit. 11 dhjetori data e Kuvendit të PD do të jetë një ditë e lavdishme në historinë e pluralizimit shqiptar, sepse në atë ditë do të rithemelohet PD, por edhe do të marrim vendime që kanë të bëjnë me një demokratizim të PD në ato përmasa që të bëhet e denjë që bën pjesë te grupi i Partive Popullore Europiane dhe me aksionin e vet politik do të trondisin themelet e qeverisjes së narkoshtetit shqiptar që ka arritur rekorde të keqqeverisje dhe që nuk e ka merituar mandatin e tretë.

Benjamin Nako: Në PD ishte krijuar një situatë ku zërat kundër nuk lejoheshin. Situata e mbushi kupën. Kjo nismë e doktor Berishës duhej të ishte ndërmarrë që në 2017. Ne e pamë kur nuk rikandidoi në Tiranë në 2015. Jo se nuk ka dashur, por ligji i sondazheve e ka nxjerrë me shumë pikë poshtë dhe frika për humbjen si aleat kryesor i tij, bëri që të mos kandidonte. Me keqardhje e them. Unë jam anëtar i PD prej 30 vitesh, kam një jetë të tërë. Pra, ky ndryshim duhet të kishte nisur që në 2017. Por megjithatë duhet t’i themi faleminderit doktor Berishës. Pas Mbretit Zog nuk ka figurë më të ndritur, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, Rruga e Kombit janë gjëra për këtë vend që janë histori, që vijnë shumë rrallë. Dhe për 8 vite arriti shumë. Unë e shoh nga kontaktet me njerëzit, u është ngjallur shpresa dhe opozitarizmi. Kanë një njeri që ata do t’i drejtojë në protesta të fuqishme pa kompromis kundër këtij pushteti që i ka marrë frymën çdo sektori të jetës në këtë vend.