Duhet një Reformë Zgjedhore që mundëson arritjen e standardeve në proceset zgjedhore

517
Sigal

Flet kryetari i PAD, Eduart Abazi: Nuk e meritojnë shqiptarët këtë sjellje të liderëve që i kanë zhgënjyer

Kryetari i PAD Eduart Abazi, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se zgjedhjet nuk janë të partive politike por të qytetarëve, sipas kushtetutës ato mbahen në mënyrë periodike, dhe qytetarët i presin me padurim për të korrigjuar shënjestrën e radhës, qoftë duke provuar e promovuar njerëz të rinj, Mendoj, kur nis një proces zgjedhor, çdo garues apo pjesëmarrës është një konkurrent dhe vetëm pas përfundimit të procesit dhe certifikimit të rezultateve, subjektet garues marrin statusin e pozitës dhe opozitës.

 

-Zoti Abazi, si do ta vlerësonit situatën politike në vend?

 

Fakti që nuk kishim dhe nuk kemi elita politike, humbëm shumë kohë në një tranzicion rraskapitës për shqiptarët. Për të fituar eksperiencën e nevojshme duhet të ricikloheshin disa breza politikanësh dhe jo të ricikloheshin po të njëjtit.

 

Përgjimet a do të ndikojnë në këtë fushatë elektorale për PS-në?

 

Përgjimet, tek ne ato janë indice për të mbuluar situata përmes tymnajave dhe shfrytëzohen nga ustallarët që riciklojnë veten me gjithë segmentet manipulues, përmes tërheqjes së vëmendjes së qytetarëve nga problemet jetike.

 

-Kush është fajtor për mos hapjen e negociatave?

Në gjykimin tonë kjo lidhet edhe me ecurinë e disa reformave si e drejtësisë dhe ajo zgjedhore. Shqetësim mbetet mungesa e përgjegjësisë e disa politikanëve apo segmenteve të politikës, ku për tu treguar më të “sinqertë”, më të” virgjër” ,se ç’janë në sy të perëndimorëve, nxjerrin edhe zorrët e barkut, bashkë me erën e keqe, duke ndotur ambientin dhe mbuluar me tym të zi Shqipërinë.

 

-Si i vlerësoni ju protestat e opozitës?

Në situatën ku gjendemi, sapo nisëm Reformën në Drejtësi apo nevojën e ndryshimeve të Reformës Zgjedhore, sikur i gjeti papërgatitur ndërkombëtarët. Risi do ishte që protestat duke filluar nga ajo e studentëve dhe të tjerat të zgjatura, të nxirrnin liderë të rinj, alternativa që do motivonin më shumë, do ngjallnin shpresë së pari tek të rinjtë, para se të marrin rrugën e migrimit.

 

-Mendoni se Rama do dorëhiqet?

Nuk gjykoj se Rama gjen arsye për t’u dorëhequr, në një klimë ku të gjithë i tundin letra njëri-tjetrit, duke u shfaqur si shpëtimtar i momentit, si Struci pasi fsheh kokën në rërë e nxjerr dhe pasi e shkund i duket se ka ndryshuar. Kërkesa duke përjashtuar dialogun, ishte e destinuar të dështonte që në nisje.