Dr. Ina Zhupa, zëdhënëse e PD-së: Qytetarët duan siguri për fëmijët në çerdhe

651
Sigal

“Erion Veliaj duhet të japë llogari dhe të nisë me urgjencë kontrollin për sigurinë në çerdhe dhe kopshte.” – bëri apel zëdhënësja e PD-së Dr. Ina Zhupa, për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, pas incidente të fundit të rrezikshme në dy çerdhe fëmijësh në Tiranë. Ja deklarata e plotë: Në Tiranë mbrëmë një tjetër çerdhe, në mes të bllokut, u përfshi nga flakët. Fati deshi që të mos kishte fëmijë dhe punonjës të lënduar. Për fat, edhe shpërthimi i tmerrshëm i pak ditëve më parë ndodhi, kur në çerdhen 14 nuk kishte fëmijë apo kujdestarë. Çerdhet, kopshtet, shkollat ne Tiranë nuk duhet të jenë në dorë të fatit, por të kenë standarde që garantojnë sigurinë e fëmijëve. 3 vjet më parë, Erion Veliaj, doli 31 ditë rresht në ekrane, duke inauguruar te ashtuquajturin rikonstruksion falas të 31 çerdheve të Tiranës. Por, përveç propagandës me ngjyra, Erion Veliaj nuk përmendi asnjëherë masat e marra për sigurinë në kopshte dhe çerdhe, për të cilat bashkia që ai drejton është përgjegjëse direkt. Qytetarët duan të dinë pse nuk reagon Erion Veliaj për dy rastet skandaloze të rënies së zjarrit në çerdhet e Tiranës, por vazhdon me propagandën bajate, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Në vend që të japë llogari për shqetësimin e prindërve dhe në vend që të nisë me urgjencë kontrollin e sigurisë dhe të standardeve në çerdhe dhe kopshte, Erion Veliaj fshihet pas përhapjes së lajmeve për zjarrvënie të qëllimshme. Nëse është kështu, Policia duhet të sqarojë urgjentisht këtë situatë, e cila, po të verifikohet si e vërtetë, përbën një akt terrorist, që duhet të kishte ngritur shtetin në këmbë. Por, nëse rezulton se Veliaj po përpiqet të viktimizohet, ai dhe kushdo tjetër duhet të merret në përgjegjësi penale për pengimin e drejtësisë për përhapjen e lajmeve të rreme. Qytetarët presin që, të paktën në rastin e sigurisë së fëmijëve, prokuroria të mos veprojë si një shërbëtore e verbër e pushtetit, kryebashkiakut dhe mafias së ndërtimit në Tiranë. Fëmijët në Tiranës nuk janë të sigurt me një kryebashkiak që i përdor për fasadë. Erion Veliaj nuk është kryebashkiaku që meritojmë.”