Dr. Ina Zhupa: Shuplaka e UNESCO-s ndaj qeverisë shqiptare dhe AADF-së për Drilon-Tushemisht!

51
Sigal

Nga Ina Zhupa

Fatkeqësisht ajo që kishim parashikuar ndodhi.

Në vendimin për Liqenin e Ohrit, të marrë në Sesionin e 45 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore më 13 shtator 2023, UNESCO shprehu shqetësimin e saj më të thellë ndaj miratimit të Parkut Ujor Drilon -Tushemisht pa u zbatuar rekomandimet përkatëse të misionit të vitit 2020. Ajo i kërkoi qeverisë që të ndalë menjëherë zbatimin e mëtejshëm të projektit dhe t’ia përcjellë dokumentacionin e tij UNESCO-s për t’u shqyrtuar. Përndryshe Liqeni i Ohrit do të inskriptohet në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Po kush qëndron realisht prapa Parkut Ujor Drilon-Tushemisht? Pikërisht AADF-ja!  Sikurse e pranon vetë, AADF-ja ka marrë përsipër 7 nga 15 nënprojektet e Parkut Ujor, përfshirë parkingje, dhe natyrisht Qendrën  e Vizitorëve.

Njësoj si në Butrint!

Ashtu si në Butrint, AADF-ja ka hedhur herët sytë drejt Pasurisë së Trashëgimisë Botërore të Liqenit të Ohrit. Të paktën qysh nga korriku 2018 nisën planet shkatërrimtare të AADF-së, natyrisht duke injoruar krejtësisht UNESCO-n. Në tetor 2018 ishte vetë z. Michael Granoff që inspektoi dhe miratoi projektin e Drilon-Tushemishtit, që pesë vjet më pas UNESCO e hodhi poshtë.

Si deputete dhe anëtare e Komisionit përgjegjes për trashëgiminë kulturore, reagova menjëherë pas bërjes publike nga gazetarja Luljeta Progni të projektit të AADF-së. Unë dënova gjuhën nënvleresuese ndaj UNESCO-s dhe sqarova pikat e përbashkëta me Butrintit të skenarit Ministri e Kulturës – AADF. Që ishin pikërisht:

1- Tentakulat e AADF (fondacion privat dhe interesa private)

2- Moskokëçarja dhe injorimi i kërkesave të UNESCO-s, duke e konsideruar si dorë të dytë (këshilluese që nuk e dëgjon njeri)

3- Përdorimi i metodës së copëzimit të mbrojtjes, duke hequr zona të tëra nga mbrojtja dhe duke i destinuar për ndërtime.

4- Shkatërrimi pa asnjë keqardhje i pasurisë dhe trashëgimisë kombëtare me rëndësi botërore.

Mirëpo nga Riadi i Arabisë Saudite UNESCO e demaskoi publikisht AADF-në, dhe këtë e bëri me elegance të rrallë – duke e injoruar. UNESCO ia përcolli mesazhin vetëm Shtetit Palë të Shqipërisë, pasi AADF-ja nuk mund të legjitimohet në UNESCO.

UNESCO i ra pragut të dëgjojë dera; të dëgjojë Bordi i Drejtorëve të AADF-së, përfshirë zonjat Repishti dhe Gjoni në Tiranë; të dëgjojë edhe I Ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, sidomos tani që SHBA-ja u rikthye në UNESCO dhe mbasi flamuri amerikan u ngrit në Paris nga vetë Zonja e Parë. Dr. Jill Biden në korrik të këtij viti.

Kthimi i SHBA-së në UNESCO është ndër lajmet më të mira të vitit në fushë e trashëgimisë kulturore dhe natyrore botërore, edhe pse ia bën tashmë realisht të pamundur AADF-së që ta injorojë UNESCO-n, siç ka bërë në Drilon-Tushemisht.  Dhe siç po bëjnë tani në Butrint.

Prandaj edhe i bëj thirrje pubike Prokurorisë të hapë menjëherë çështjen penale për të vendosur para përgjegjësisë ligjore të gjithë aktorët qeveritarë, lokalë apo të AADF-së, që qëllimshëm kanë shkelur rekomandimet e UNESCO-s dhe ligjet e shtetit shqiptar dhe po shkatërrojnë trashëgiminë kulturore-natyrore shqiptare.