Dr. Ina K. Zhupa: Basha dhe mesazhet e ndërkombëtarëve për shqiptarët

527
Lulzim Basha zhvilloi vizita të rëndësishme në Washington, në Bruksel dhe në Berlin. Më shumë sesa prezenca e tij aty na interesojnë mesazhet dhe mbështetja për shqiptarët. 
Nga Washingtoni ku mori pjesë edhe në inaugurimin e presidentit Donald J. Trump, takoi personalitete të rëndësishme të Kongresit, të Senatit, të partisë Republikane të cilës i përket edhe presidenti i ri. Mesazhi ishte që një erë e re ndryshimi ka ardhur për Amerikën dhe do vij shumë shpejt edhe për vendin tonë. Basha dhe personalitetet që takoi aty besojnë, se marrëdhëniet mes dy vendeve mund të rriten dhe të forcohen nën presidencën Trump. Mori mbështetjen e tyre për garën e ardhshme elektorale, si dhe për zbatimin e projektin të tij politik, për një Shqipëri të zhvilluar, për Shqipërinë e mundësive për të gjithë. Nga ana tjetër me qeverinë e drejtuar nga Rama po rrezikohen seriozisht marrëdhëniet me partnerin tonë më të fuqishëm ashtu siç ai vetë e ka bërë publike në intervistat e tij para zgjedhjes së Trump, duke e paraqitur atë si rrezik dhe si një dështim për marrëdhëniet dypalëshe. Aspak diplomatik dhe i paprecedent është fakti që kryeministri Rama ende sot nuk ka uruar presidentin Trump për marrjen e detyrës. Vota kundër interesave të NATO-s dhe SHBA në OKB më 20 dhjetor është një shembull konkret i aksioneve që vijnë pas deklaratave publike. Basha dhe Rama besojnë në një erë të re të marrëdhënieve me SHBA, njëri si partner i besuar tjetri si kundërshtar i vetë deklaruar. Ndalesa e dytë ishte Brukseli, nga ku kemi sytë për të ardhmen tonë evropiane. Basha mori pjesë në asamblenë politike të Partisë Popullore Evropiane(PPE). PPE u angazhua për ndihmë dhe mbështetje për zgjedhje të lira e të ndershme dhe fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. Mbështetja u sanksionua edhe përmes Rezolutës për Shqipërinë të miratuar me votë unanime. Rezolutë e cila kërkon zgjedhjet e lira dhe të ndershmen sipas standardeve evropiane, zbatimin e dekriminalizimit, luftën ndaj kultivimit të drogës, bashkëpunimin për reformën në drejtësi për përfitimin e gjithë qytetarëve shqiptarë. Asnjëra nga këto çështje që adreson PPE nuk ekziston sipas Ramës. Por përmes Gramoz Ruçit në parlament e quajti të pavlerë rezolutën e miratuar për Shqipërinë. Pse ka rëndësi për shqiptarët kjo rezolutë dhe mbështetje që mori Basha dhe ky angazhim i tyre? Sepse Partia Popullore Evropiane është forca kryesore politike në Bashkimin Evropian dhe ka shumicën në Parlamentin Evropian, ka Kryetarin e Parlamentit Evropian, ka Presidentin e Këshillit Evropian dhe po ashtu Kryetarin e Komisionit Evropian. Thënë ndryshe është sinjali më i qartë i vullnetit të Bashkimit Evropian. Shqiptarët kanë treguar dhe tregojnë në çdo sondazh që sytë për demokraci dhe zhvillim i kanë nga Evropa sepse e duan Shqipërinë si gjithë Evropa. Dhe Evropa (BE) po i tregon shqiptarëve që i njeh fare mirë problemet dhe vështirësitë që ka sot vendi dhe sytë i kanë drejtuar nga Lulzim Basha. Thelbi i demokracisë evropiane janë zgjedhjet e lira dhe llogaridhënia e politikës, dhe politika e lidhur me krimin dhe e zhytur në korrupsion janë të papajtueshme me vlerat evropiane. E fundit ndalesa në Berlin, ku Lulzim Basha zhvilloi takime me përfaqësues të Bundestagut dhe kancelarisë federale, me përfaqësues të CDU, partisë së Merkelit dhe fondacionit Konrad Adenauer. Pritësit gjermanë rishprehën edhe një herë mbështetjen e tyre të pandryshuar për zhvillimin dhe integrimin evropian të Shqipërisë. Gjermania si një partnere evropiane ka qenë kyçe në rrugën tonë demokratizuese për këtë ka një rëndësi të veçantë. Qëndrimet gjermane kanë udhëhequr edhe qëndrimet e Bashkimit Evropian. Mjafton të kthejmë në mendje, që kushtet e shpallura në Tiranë për hapjen e negociatave nga Kryetari e Çështjeve Evropiane Gunther Krichbaum, ishin edhe ato që më pas shprehu Parlamentin Evropian duke e lënë përsëri vendin tonë tek lista e pritjes. Krichbaum u sulmua ashpër nga Rama dhe rilindja sikur po mbante qëndrime personale dhe ishte i painformuar ndërkohë që disa ditë më pas erdhi konfirmimi nga Parlamenti Evropian që shprehej njëlloj si ai, siç ishte edhe e pritshme. Basha pati edhe një takim me Krichbaum dhe kryetar të rëndësishëm të komisioneve në Bundestagun gjerman me të cilët ndau shqetësimin dhe zotimin për plotësimin e kushteve të Shqipërisë për hapjen e negociatave. Politikanët e lartë gjermanë ripohuan qëndrimin e qartë të Bundestagut se ata presin veprime konkrete dhe rezultate të qarta në luftën kundër krimit të organizuar e drogës, dekriminalizmit të politikës, zbatimit të reformës në drejtësi dhe mbi të gjitha mbajtja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira do ta bindin Bundestagun të hapë dritën jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Ajo që ngelet kryefjala e çdo vizite, e çdo takimi me partnerët e Shqipërisë është që ata presin që shqiptarët të marrin në dorë fatet e vendit dhe ata do na mbështesin në aspiratat dhe përpjekjet tona.
Sigal