Dr. Arjan GJONÇA/ Qëllimi  i reformës në Arsimin e Lartë është cilësia dhe të largohet politika si ndërhyrje, por jo si priorite

471
Sigal

Nuk mund të ketë reformë në Arsimin e Lartë pa rritje të investimeve në arsim

Kryetari i Komitetit për reformën në Arsimin e Lartë, Dr. Arjan Gjonça, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pranon që gjendja e Arsimit të Lartë te ne është e mjerueshme në të gjitha aspektet e tij. Ndaj, komisioni për Reformën në Arsimin e Lartë, që ai kryesoi i duhet të hartonte një reformë që të prekë gjithë sistemin e Arsimit të Lartë. Zoti Gjonça, pohon që projektligji i Arsimit të Lartë është gati për t’u diskutuar, dhe ka bindjen që “Tre vitet e para, duke filluar nga shtatori i 2015, do të jenë të rëndësishme se çdo institucion dhe çdo individ duhet të fillojë të mendojë se si e gjen vetveten në këtë reformë dhe se ku dëshiron të shkojë”. Dhe pas tyre fillon faza e unifikimit dhe avancimit drejt një universiteti të tipit të ri të pavarur. Zoti Gjonça pohon që nuk mund të ketë reformë në Arsimin e Lartë, pa rritje të investimeve në Arsim. Qëllimi i reformës, sipas Dr. Gjonça është që të rritet cilësia në Arsimin e Lartë dhe të largohet politika si ndërhyrje, por jo si prioritete. 

 -Z. Gjonça, si e vlerësoni gjendjen e Arsimit të Lartë në Shqipëri?

– E para faleminderit për intervistën dhe më vjen mirë që ka interes në shtyp dhe publik për reformën e Arsimit të Lartë. Gjithashtu, është e rëndësishme që t’i sqarohen dhe t’i tregohet publikut me transparencë rrugëtimin që po bën dhe duhet të bëjë Arsimi i Lartë në Shqipëri. Unë jam shprehur shpesh që, po nuk e thamë të vërtetën ashtu siç është, sado e hidhur të jetë ajo, edhe gjasat për të përmirësuar Arsimin e Lartë do të jenë shumë të vogla. Për mua gjendja e Arsimit të Lartë është e mjerueshme në të gjitha aspektet e tij. Nuk është mirë që të përgjithësohet për çdo individ apo institucion, por në përgjithësi ky është realiteti mbizotërues.

– Ju, cilat aspekte do të përmendnit?

– E para cilësia, si në mësimdhënie, edhe në punë kërkimore shkencore, lë për të dëshiruar. Ky standard i ulët reflektohet edhe tek studentët dhe diplomat që marrin ata. Problemet fillojnë që nga zbatimi i ligjit dhe i rregullave institucionale e deri tek standardet e mësimdhënies, apo infrastrukturës mësimdhënëse, që kanë këto institucione. Ju, më shumë se unë, e keni evidentuar për publikun problematikën e madhe të këtyre institucioneve dhe është e vështirë që të analizohet të gjitha. Kjo na detyroi ne, si Komision për reformimin e Arsimit të Lartë, që të mendojmë jo për një reformë të pjesshme, por tërësore, që prek të gjitha hallkat e këtij sistemi.

– Ju kryesoni grupin e Refomës për Arsimin e Lartë në RSH, a mundet që sot të pohojmë “Arsimi i Lartë është futur në reformim? “

– Kanë filluar masat e duhura për përmirësimin e Arsimit të Lartë, një pjesë të drejtuara nga qeveria, dhe një pjesë nga komisioni ynë. E para, vetë zbatimi i ligjshmërisë, që çoi në mbylljen dhe pezullimin e disa institucioneve të Arsimit të Lartë, ishte një hap i rëndësishëm paraprak. Po kështu hartimi dhe diskutimi i reformës sonë ishte një tjetër hap i rëndësishëm, që kontribuon në këtë proces të gjatë të reformimit. Një tjetër masë shumë e rëndësishme është edhe fillimi i procesit të akreditimit me një agjenci serioze britanike. Këto ditë është bërë gati edhe ligji i mbështetur në reformën tonë për t’u diskutuar në universitete, qeveri dhe parlament. Pra, procesi i reformimit ka filluar. Ndërsa arsimi do një periudhë të gjatë kohe të konsiderohet i reformuar.

 – Çfarë i sjell reformës së pretenduar fakti që ju jeni me një përvojë në universitetet angleze?

– Me lejoni t’iu korrigjoj në pyetjen tuaj. Reforma nuk është e pretenduar se ajo, siç thashë, është e prekshme dhe këto ditë kthehet në ligj. Pra, është një reformë reale. Përsa i përket përvojës dhe kontributit tim, dua të theksoj që çdo individ përfaqëson vetveten dhe institucionin nga ai vjen. Edhe në rastin tim, nuk është ndryshe. Unë përfaqësoj rrugëtimin dhe eksperiencën time modeste në Arsimin e Lartë në disa institucione, që kam punuar si në Britani të Madhe, Gjermani, apo edhe Shqipëri. Ndoshta ndryshe nga një akademik tjetër, unë kam avantazhin që jam marrë me hartimin e politikave sociale në disa nivele, si kombëtare dhe ndërkombëtare dhe them që kjo ka qenë edhe një nga arsyet që jam përfshirë në këtë reformë. Por, dua të theksoj që nuk ishte vetëm ardhja ime dhe puna ime që krijuan premisën për një reformë të pavarur. Dua të theksoj se puna dhe kontributi i anëtarëve të këtij komisioni, që vinin në një eksperiencë të madhe akademike ndërkombëtare dhe kombëtare ishin gjithashtu të rëndësishme në këtë proces.

– Kur do të marrë jetë kjo reformë e sugjeruar prej jush? 

– Reforma ka disa faza të saj. E para, është ajo e hartimit të reformës dhe diskutimit mbarë publik që iu bë asaj. Kjo fazë përfundoi, unë do e konsideroja me sukses, sepse u diskutua në çdo nivel dhe mendimet dhe sugjerimet e kolegëve dhe studentëve u përfshinë në dokumentin final zyrtar të reformës. Në këto momente që flasim është përgatitur edhe ligji mbi këtë reformë, që besoj se shumë shpejt, pas diskutimit, do të paraqitet në parlament. Në momentin që hyn ligji që fuqi, fillon dhe implementimi i risive që sjell kjo reformë. Tre vitet e para, duke filluar nga shtatori i 2015, do të jenë të rëndësishme se çdo institucion dhe çdo individ duhet të fillojë të mendojë se si e gjen vetveten në këtë reformë dhe se ku dëshiron të shkojë. Në këto tre vite ne mendojmë që do të shëndoshet Arsimi i Lartë në Shqipëri dhe pas tyre fillon faza e unifikimit dhe avancimit drejt një universiteti të tipit të ri të pavarur. Unë e shoh reformën si një fëmijë të porsalindur, që në fillim duhet të fillojë të ecë me ndihmë, pastaj vetëm dhe vetëm kur të jetë i sigurt do fillojë edhe të vrapojë. Pra rrugëtimi për të reformuar Arsimin e Lartë është i gjatë.

– Universiteti privat i pasreformës me kë do rriskojë më shumë në elementët e reformimit?

– Unë nuk besoj se ka riskim, por reformim. Të gjitha universitetet duhet të aplikojnë të njëjtat standarde të mësimdhënies, punës kërkimore shkencore dhe infrastrukturës për kryerjen e tyre. Në këtë drejtim, në ato institucione që dëshirojnë të mbeten me fitim, duhet të kenë parasysh që këto standarde janë të panegociueshme dhe rigorozisht të kontrolluara. Mekanizmat e brendshëm dhe të jashtëm për këtë kontroll do të jenë, jo vetëm detyrime ligjore, por edhe elemente rigorozisht të monitorueshëm. Unë personalisht mendoj që në fushën e edukimit nuk ka dhe nuk duhet të ketë fitim dhe në këtë frymë, këtyre institucioneve do t’u krijohet mundësia të kthehen në institucione të Arsimit të Lartë jo fitimprurës. Kjo është një risi e kësaj reforme.

– Aprovimi i një dokumenti themelor për Reformën a mund të cenohet nga mosvotimi i ligjit që e mbështet dhe mungesa e një fature financiare të rubrikuar në buxhetin e arsimit?

– Kjo është një pyetje e rëndësishme, por që ka dy pjesë kryesore te saj. E para, mosaprovimi i këtij ligji. Unë them që ky ligj do të aprovohet, jo vetëm se qeveria, që e kërkoi këtë reformë, ka një maxhorancë në parlament, por edhe për faktin që kjo reformë është bërë duke marrë parasysh mendimin akademik, që ka ofruar opozita e këtij vendi. Dua të theksoj që opozita deri në këtë moment është sjellë korrekte me procedurën e reformës. Nga ky moment, i kërkoj që të respektojnë produktin, që ka qenë jo vetëm një produkt ku kanë kontribuar të gjithë pedagogët dhe studentët në vend, por, njëkohësisht, një produkt ku mendimi intelektual i opozitës ka qenë prezent.

Pjesa e dytë e pyetjes suaj ka të bëjë me një mundësi për mosfinacim. Këtu ke të drejtë, që kjo reformë, në qoftë se nuk bëhet paralelisht me rritjen e buxhetit për Arsimin e Lartë, është e destinuar të dështojë. Në kushte aktuale financimi në Arsimin e Lartë është më i ulëti në rajon dhe i pakrahasueshëm me financimin në vendet europiane që aspirojmë të bëhemi një ditë.

– Ju jeni tani me një përvojë në universitetet angleze, sa mund të pohojmë që edhe reforma e pretenduar sjell modelin anglo-sakson në Shqipëri?

– E kam shpjeguar që nuk bëhet fjalë për model anglo-sakson, por për sisteme edukimi të vendeve të caktuara. Ne në këtë fushë nuk flasim për modele, por sisteme. Një sistem i arsimimit të larte ka tre elemente kryesore: Hallka e parë e një sistemi janë institucionet e Arsimit të Lartë, publike apo private, universitetet apo akademitë, fakultetet dhe departamentet e tyre, pedagogë e studentë. Hallka e dytë janë organizmat që financojnë dhe menaxhojnë Arsimin e Lartë, që mund të jetë shteti, privati, industria, bashkia, donatorë e të tjera institucione. Hallka e fundit janë rregullat që e rregullojnë veprimtarinë dhe sjelljen në institucionet e Arsimit të Larte dhe individëve në Arsimin e Lartë, qofshin pedagogë apo studentë, investitorë apo financues. Kombinimi i këtyre tre aspekteve përbën sistemin. Në këtë prizëm, çdo sistem është unik, si ai anglez, amerikan, francez apo italian. Madje, ka edhe sisteme të ndryshme brenda një vendi. Në reformën që ne rekomanduam në Shqipëri, u mbështetëm kryesisht në sistemin britanik, duke pasur parasysh disa faktorë favorizues. Së pari, është padyshim një nga sistemet më të suksesshëm në botë, pra është sistemi që prodhon më shumë punë kërkimore shkencore për investim publik në të dhe nga diplomat më të njohura dhe më të suksesshme në botë.  Së dyti, është një sistem që i ka mbijetuar kohës dhe krizave të ndryshme ekonomike për arsye të autonomisë së tij, si në aspektin organizativ edhe financiar. Së treti, është një sistem që e ka shumë të lidhur punën kërkimore shkencore dhe mësimdhënien në çdo institucion, çdo departament dhe në çdo individ. Së katërti, është një sistem që ka mbetur publik, pra nuk ka fitim për individë apo grupe individësh nga sistemi. Të mos harrojmë që sistemet nuk kopjohen, por implementohen, në përshtatje me kushtet specifike. Në këtë prizëm, tradita universitare në Shqipëri u respektua dhe u mishërua në reformë.

-Çfarë ndodh me akreditimin? Ishte premtuar të kryhej brenda vitit që shkoi.

-Akreditimi ka filluar dhe mendohet që do të kryhet brenda 6 muajve të ardhshëm. Është e vërtetë që u premtua të fillonte vitin e kaluar, por ka pasur arsye objektive për vonesën. E para, negocimi me agjencinë britanike nuk ka qenë i lehtë, sipas dijenisë sime, por më kryesorja është fakti që masat e tjera të marra nga qeveria morën kohën e duhur, përpara se te fillonte akreditimi. E kam fjalën për verifikimin dhe zbatimin e ligjit. Përpara se të fillojë kontrolli i cilësisë dhe standardeve, duhet të kontrollohet dhe të implementohet zbatimi i ligjit. Ky aspekt mori më shumë kohë se ç’e kishte menduar qeveria. Por edhe një herë dua të theksoj që ky akreditim është në proces dhe universiteteve u është kërkuar të fillojnë procesin e përgatitjes.

– Ministria e Arsimit dhe Sportit ka kontraktuar më 18 dhjetor 2014  Agjencinë Britanike të sigurimit të Cilësisë “Quality Assurance Agency for Higher Education”, (QAA). Çfarë funksioni do të kryejë kjo agjenci kur në Shqipëri funksionon Agjencia e Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe Këshilli i Akreditimit të Arsimit të Lartë që tashmë ju drejtoni?

– Akreditimi që bën kjo agjencia britanike është një moment në vazhdimësinë e punës që bën agjencia shqiptare APPAL. Nga pikëpamja shkencore, do ta krahasoja me një vlerësim periodik (crossectional) në krahasim me vlerësimin e vazhdueshëm (longitudinal) që bën agjencia shqiptare. Pra, kjo agjenci do bëjë këtë akreditim, që është “one-off” dhe ky akreditim përsëri në bazë të ligjit shqiptar do të kalojë në Këshillin e Akreditimit për vendimmarrjen përfundimtare. Marrja e kësaj agjencie është bërë për dy arsye. E para, për të rritur besueshmërinë në procesin e akreditimit, e dyta për të rritur standardin e këtij procesi. Në këtë kuadër, kjo do t’i shërbejë edhe vetë agjencisë shqiptare APPAL, se do të vendosen standarde të reja për akreditim në vend.

– Si e vlerësoni ju faktin se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka pezulluar procesin e anëtarësimit të Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Larte në ENQA (rrjeti i agjencive europiane të arsimit të lartë) dhe tashmë ajo kontrakton një agjenci tjetër, e cila është anëtare e ENQA?

– Nuk jam në dijeni të bllokimit të APPAL-it për tu anëtarësuar në ENQA. Ky është qëllimi përfundimtar i kësaj reforme për këtë agjenci, që të bëhet pjesë e ENQA-s dhe të jetë një agjenci e pavarur, siç edhe e kemi parashikuar në reformën dhe ligjin e ri.

–  A mund të na sqaroni si  do të realizohet akreditimi  nga QAA në vetëm 6 muaj. Sa i besueshëm është ai dhe sa e ndihmon arsimin shqiptar?

– Pjesa e parë e pyetjes suaj nuk më takon mua t’i përgjigjem, sepse QAA ka procedurat e saja, por mund të them që ata aplikojnë të gjitha aspektet e kontrollit, që nga kontrolli i dokumentacionit tek intervistat me pedagogë e studentë e deri tek vrojtimet direkte. Por siç e thashë, kjo nuk është një pyetje që mund t’i përgjigjem unë. Përsa i përket besueshmërisë, bëhet fjalë për një nga agjencitë më serioze në botë, me një eksperiencë në një nga vendet me Arsimin e Lartë më cilësor në botë, por mbi të gjitha, që ka një eksperiencë në akreditim në shumë vende të tjera, si ky i yni.

– A jeni në dijeni të faktit që përfaqësuesi i studentëve në Këshillin e Akreditimit që ju drejtoni është bërë në kundërshtim me statutin e KA-së, pasi nuk është bërë si propozim i Këshillit Kombëtar?

– Jo nuk jam dhe nuk e di pse duhet të isha se unë jam i emëruar siç është edhe vetë studentja në këtë pikë. Di vetëm të them që në dy mbledhjet e para kontributi i studentes në fjalë ka qenë shumë i rëndësishëm në vendimet që ka marrë Këshilli.

– Ju keni përmendur në draftin që u diskutua me universitetet nevojën për financim. Po qeveria vetë, si e ka përmbushur këtë objektiv? Sa % e PPB-së, është për Arsimin dhe sa % është për universitetet? Kur dimë që ky buxhet nuk përmbush as 10 muaj rrogë?

– Kjo është një pikë shumë e rëndësishme dhe që duhet vazhdimisht t’i përmendet qeverisë. Unë e përmenda edhe më parë, që nuk mund të ketë reformë në Arsimin e Lartë pa rritje të investimeve në arsim. Shifrat e buxhetit të këtij viti nuk kanë ndryshuar nga vitet e mëparshme. Unë shpresoj që në buxhetin e ardhshëm të rritet investimi në Arsimin e Lartë se është në kufijtë minimal.

– Ligji aktual e njeh sistemin part-time dhe shkollën doktorale. Mos hapja e tyre a përbën shkelje ligjore për qeverinë?

– Nuk jam shumë i qartë për pyetjen që bëni. Mesa di unë, shkolla doktorale nuk është mbyllur. Është vonuar akreditimi për arsye të plotësimit të kushteve nga vetë universitetet, por nuk ka mbyllje. Edhe ligji i ri do e njohë  sistemin part-time, por me kushte që ai të jetë i njëjtë në program dhe formën e studimit me sistemin full-time, por i vetmi ndryshim të jetë në shtrirjen në kohë. Standardet janë të njëjta.

– A do të ketë një reformë për pranimet në Universitet, pra do reformohet matura shtetërore?

– Patjetër që do ketë. Nuk mund të reformosh Arsimin e Lartë dhe të mos reformosh të gjitha hallkat e arsimit. Nga pikëpamja e Arsimit të Lartë, nëqoftëse nuk përmirësohet arsimi i mesëm ne nuk kemi përmirësuar standardet dhe kriteret hyrëse në Arsimin e Lartë. Kjo, mesa di unë, është një reformë në proces dhe unë e konsideroj po aq të rëndësishme sa edhe reforma e Arsimit të Lartë.

– Si mundet një akademik me përvojë në Angli të besojë tek suksesi në Reformimin e Arsimit të Lartë  në Shqipëri, drejt kërkimit shkencor, në kushtet e  një buxhetimi 2.8% të GDP?

– Dua t’u jap një shembull nga Britania, ku unë punoj, si dhe nga Gjermania, ku punoja. Avantazhi i suksesit në punën kërkimore shkencore nuk është vetëm tek financimi, por mbi të gjitha tek pavarësia që duhet të ketë akademiku në kryerjen e kësaj pune kërkimore shkencore, që nga momenti që fillon karrierën e tij. Është e vërtetë që fusha të caktuar si mjekësia apo fizika dhe disa inxhinieri, kërkojnë një infrastrukturë të madhe për punë kërkimore shkencore, por kjo nuk është e nevojshme në fushat e shkencave shoqërore. Sistemi britanik nuk është më i financuari në botë, por ka produktin shkencor shumë cilësor. Për mua, thembra e Akilit është pavarësia e botës akademike për të bërë punë shkencore. Natyrisht që kjo kërkon rritje financimi, por nuk është e kushtëzuar nga kjo.

– Mendoni se me këtë Reformë ju do i siguroni shqiptarët nga ndërhyrja dhe komandimi i politikës në Arsimin e Lartë shqiptar?

– Ky është qëllimi përfundimtar, që të rritet cilësia në Arsimin e Lartë dhe të largohet politika si ndërhyrje, por jo si prioritete. Çdo qeveri duhet të ketë prioritetet e saja dhe këtë duhet ta bëjë kur të vijë në pushtet. Ajo që ne duam,

dhe themi që e arrijmë me këtë reformë, është largimin e politikës nga vendimmarrja në këto universitete.

Avantazhet dhe dobësitë e  universiteteve publike

– Cila është epërsia dhe cila është dobësia e universitetit publik?

– Shiko, unë nuk dua të analizoj universitetet në vend se do ishte e padrejtë, por do të veçoja disa tipare të rëndësishme. E para një nga avantazhet e universiteteve publike është tradita e madhe që kanë. Po të mbështeten në këtë traditë dhe të ndërgjegjësohen për nevojën e ndryshimit them që do jenë në rrugën e duhur për reformim. E dyta unë do të veçoja kapacitetet ekzistuese në këto institucione, që janë shumë të afta por mendoj që nuk ka pasur mekanizma shtytës që këto kapacitete të vihen në lëvizje dhe të kontribuojnë në maksimumin e mundshëm. Si avantazhi dhe dobësia janë të mishëruara tek vetë pedagogët. Pra edhe dobësia e këtyre institucioneve qëndron tek vetë pedagogu. Në këto vitet e fundit shoh një rënie në një gjumë letargjik, një lloj pesimizmi, ku pedagogu në përgjithësi nuk është as i interesuar të zhvillojë vetveten dhe institucionin ku ai kontribuon por edhe i mungojnë insentivat për tu përpjekur për ndryshim. Mendoj se reforma e re, që ka në qendër pedagogun dhe studentin, do krijojë mundësitë, mjetet dhe shtysat e duhura për të përfituar nga kapacitetet maksimale që kemi ne në këto universitete.

Vizioni i universitetit publik të së ardhmes

– Universiteti shtetëror i pasreformës me kë do rriskojë më shumë në elementët e reformimit?

– Nuk më pëlqen fjala shtetëror se duket sikur shteti i përfshin të gjitha dhe merr përsipër gjithçka dhe autonomia dhe pavarësia e këtyre institucioneve duket se nuk ekziston. Edhe vetë Kushtetuta jonë përdor fjalën publik. Universiteti publik i pavarur i së ardhmes do të jetë një institucion, që jo vetëm do të ketë një autonomi të madhe, por deri në pavarësi në shumë drejtime të jetës universitare. Autonomia akademike do jetë shumë e theksuar, që nga vendosja e vetë kritereve për pranimin e studentëve, dhënies se titujve dhe promovimit, përcaktimit të rritjes dhe drejtimit të vetë universiteteve e shumë të tjera. Po kështu, do të kenë autonomi financiare, ku përveç kontributit të shtetit në financime do të jenë në gjendje të krijojnë të ardhurat e tyre nga burime parësore dhe dytësore, si dhe në mënyrën sesi do t’i përdorin këto të ardhura. Po kështu, do të rriten edhe autonomia organizative dhe ajo e personelit. Por me autonominë do të rriten edhe përgjegjësitë. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u theksuar. Reforma parashikon një ndryshim balance në punën e pedagogut në këto institucione. Parashikon një rritje të kohës në punën kërkimore shkencore në krahasim me mësimdhënien, por edhe kontributin administrativ. Nga ana tjetër, ky universitet duhet ta shohë studentin dhe të ardhmen e tij si të qenësishme dhe parësore në punën e përditshme. Studenti duhet të jetë i përfshirë në disa vendime të rëndësishme për mbarëvajtjen e këtyre institucioneve, kur bëhet fjalë për të ardhmen e tyre. Gjithashtu, universiteti i së ardhmes duhet të jetë më efektiv në përdorimin e të ardhurave, më i ndërgjegjshëm për realizimin e misionit dhe më i përgjegjshëm ndaj shoqërisë sonë.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA