Dr. Arben Braçe: Ja kë përcakton Kushtetuta për të krijuar qeverinë e re, pas zgjedhjeve të 25 prillit

313
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Padyshim, që ndryshimet e fundit kushtetuese në lidhje me modalitetin e formimit të koalicioneve ishin një shkelje e hapur e Kushtetutës

Dr. Arben Braçe, Drejtor Ekzekutiv i Institutit Ndërkombëtar për Drejtësinë dhe Zhvillimin e Qendrueshëm në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke analizuar ndryshimet e fundit kushtetuese dhe Kodin Zgjedhor shpjegon se cili do të mandatohet nga Presidenti i Republikës për të formuar qeverinë e re, që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të  25 prillit 2021 dhe kur do të mblidhet Kuvendi i ri në seancën e parë plenare. Dr. Braçe, pohon se ndryshimet e fundit kushtetuese prodhuan tërësisht një ligj antidemokratik, që nuk ofron garë të barabarë, heq të drejtën e përfaqësimit politik, nuk u jep mundësinë aleatëve të partive të mëdha që të përfaqësohen në të gjitha qarqe. Dr. Braçe thekson se prioriteti i Gjykatës së reformatuar Kushtetuese, është të shqyrtojë ankimimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke pohuar, se Dekreti i Presidentit të Republikës për të shfuqizuar zgjedhjet në 30 qershor 2019, ishte një vendim kushtetues.

Ja, intervista e plotë për telegraf.al :

Zoti Braçe, kush do të mandatohet për të krijuar qeverinë, pas 25 prillit? Partia që ka numrin më të madh të deputetëve? Apo, kush do të ketë shumicën e thjeshtë të deputetëve?

– Mbas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit, mbështetur në Kushtetutë, por edhe në Kodin Zgjedhor, qeveria e re do të krijohet vetëm me propozimin e partisë, ose të koalicionit zgjedhor që ka marrë shumicën e votave në kuvend për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Jo më kot janë përzgjedhur partitë, ose kualicionet qeverisëse që ato formojnë, për të krijuar qeverinë e re, dhe nuk i është dhënë e njëjta mundësi, thjesht cilido, që mund të ketë fituar një shumicë të thjeshtë, sepse partitë politike janë një institucion thelbësor dhe i pazëvendësueshëm për jetësimin e demokracisë, baza mbi të cilat ngrihet dhe funksionon pluralizmi politik. Ato jetësojnë procesin përfaqësues dhe legjitimues, janë subjekt kushtetues, kanë nivel të lartë mobiliteti qytetar dhe aftësi udhëheqjeje, si dhe ndikojnë në formësimin dhe funksionimin demokratik të shoqërisë dhe shtetit. Po kështu, në varësi nga numri i vendeve në parlament që fiton një parti, pra gjithmonë në rastin, kur ajo ka fituar numrin më të madh të votave, ajo mund të formojë koalicione, të bëjë marrëveshje për koalicione, të krijojë një program të qeverisjes, të përballet me probleme të panumërta dhe të luftojë për zgjidhjen e tyre.

“Mbas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit, Kuvendi mblidhet në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së Kuvendit paraardhës”

Komisioni i Venecias në opinionet e fundit, u shpreh, se duhet që partitë politike, të arrijnë në marrëveshje politike, para zgjedhjeve, për çështjen se kush duhet të mandatohet për të krijuar qeverinë e re, nëse asnjë parti nuk ka 71 mandate dhe Kodi Zgjedhor ndalon koalicionet parazgjedhore. Deri tani nuk ka marrëveshje. Mendoni se do të kemi ngërç kushtetues?

– Padyshim, që ndryshimet e fundit kushtetuese në lidhje me modalitetin e formimit të koalicioneve ishin një shkelje e hapur e Kushtetutës, duke përfituar nga mungesa dhe bojkoti i qëllimshëm i mazhorancës mbi formimin e Gjykatës Kushtetuese si dhe duke mbyllur të gjithë shtigjet në tryezat e imponuara të negociatave me forcat politike mbi draftimin e Kodit Zgjedhor, por edhe duke vendosur diktatin e mazhorancës dhe opozitën jo reale në Kuvend, për të realizuar ndryshimet kushtetuese, përsa i përket koalicioneve. Një parti duhet të jetë në gjendje që të formojë koalicione që të mundësojë realizimin e program të saj. Për shkak se është e vështirë për një parti, veçanërisht në sisteme të caktuara konkurruese, për të marrë shumicën absolute në parlament, një parti duhet që të jetë në gjendje të formojë koalicione të qëndrueshme me parti të tjera që të demonstrojë aftësi qeverisëse. Në këto kushte, nuk duhet të harrojmë, se tipari kryesor i koalicioneve politike në Shqipëri, është ndërtimi i tyre parazgjedhor. Mirëpo, ndryshimet e fundit kushtetuese të cilat prodhuan një ligj tërësisht antidemokratik, që nuk afron një garë të drejtë dhe në kushte të barabarta, ose thënë më shkoqur, heq atë të drejtë, që vetë mazhoranca e sotme, e gëzoi kur ishte vetë në opozitë dhe u fut në garë, në formën sikurse është realizuar heq të drejtën e përfaqësimit politik, aksesin për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe për t’u zgjedhur, një e drejtë e mirëfilltë kushtetuese.

Përsa i përket shqyrtimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit 2019 nga ana e Gjykatës Kushtetuese natyrisht që kemi të bëjmë me një prioritet madhor”

– Sipas ndryshimeve te fundit kushtetuese, që bëri maxhoranca, pa kosensusin e opozitës reale, si mund të konkurojnë partitë politike? Në çfarë forme të koalicioneve parazgjedhore?

– Ndryshimet e fundit kushtetuese në dukje duken që lejojnë formimin e koalicioneve, por me kushtin që ato të dalin vetëm me një listë të përbashkët, ndërkohë që partitë pjesëmarrëse të koalicionit nuk mund të përfaqësohen në të gjitha qarqet, duke monopolizuar në këtë mënyrë skenën politike nga ana e partive të mëdha dhe duke afruar një teren shumë të limituar, për opozitën, në mënyrë, që pranë të saj, të mos afrohen aleatë të shumtë si edhe realizon shkërmoqjen e votave të partive të vogla në pamundësi që ato të përfaqësohen.  Sipas këtij ligji partitë politike kanë munësi të konkurojnë në lista të përbashkëta ose më vete. Në të dy rastet ato duhet të paraqesin listën shumëemërore të kandidatëve. Kandidatët duhet të paraqiten në të gjitha qarqet, pasi ligji nuk lejon që të kandidohet në disa vende si koalicion dhe në disa vende më vete. Pra një parti mund të konkurojë, ose e vetme, ose në koalicion. Në se konkuron me koalicion, ai duhet të jetë uniform në të gjithë qarqet.  Në rastin e partive të opozitës e cila prej tetë vitesh lufton në opozitë me aleatët e saj, ndryshimet kushtetuese dhe Kodi Zgjedhor bashkë me të, nuk i japin mundësi aleatëve, që të përfaqësohen në të gjithë qarqet, sepse ligji parashikon vetëm një listë, duke atrofizuar tërësisht një pjesë të mirë të elektoratit të djathë shqiptar, por po kështu edhe pjesë të tjera të elektoratit të spektrit të majtë, votat e të cilave, ose shkojnë dëm, ose përfitohen padrejtësisht nga PS. Përsa i përket thelbit të pyetjes suaj në lidhje me mandatimin e qeverisë se re, qeveria e re do të krijohet vetëm me propozimin e partisë, ose të koalicionit zgjedhor, që ka marrë shumicën e votave në Kuvend për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.  Në këto kushte teorikisht nuk parashihet asnjë ngërç kushtetues dhe në kushtet e formimit të Gjykatës Kushtetuese tashmë kemi të gjithë mundësitë e interpretimeve prej saj për çdo rast të nevojshëm.

Meqë zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në 25 prill, me ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor dhe KQZ-ja mund t’i çertifikojë mandatet që në maj, kur mblidhet Kuvendi i ri? Po qeveria e re kur fillon mandatin e saj?

– Mbas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 Prillit, Kuvendi mblidhet në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së Kuvendit paraardhës. Në fillim të legjislaturës Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin dhe ky i fundit brenda 10-ditësh i paraqet Kuvendit përbërjen dhe programin politik të Këshillit të Ministrave.

“Ndryshimet e fundit kushtetuese të cilat prodhuan një ligj tërësisht antidemokratik, që nuk afron një garë të drejtë dhe në kushte të barabarta, heq të drejtën e përfaqësimit politik, aksesin për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe për t’u zgjedhur”

Zoti Braçe, të gjithë faktorët vendas dhe ndërkombëtar, këmbëngulën që Gjykata Kushtetuese të rifunksiononte në 1 janar 2021. Mirëpo, në axhendën e saj, çështja më e madhe, shqyrtimi i zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 nuk dihet kur do të gjykohet, ndërkohë që shumë bashki kanë që nga 30 qershori 2019 drejtohen nga kryebashkiakë të emëruar, komanduar, jo të zgjedhur. Mos vallë,  po zhgjënjehemi nga pritshmëria e Gjykatës Kushtetuese, sikurse po ndodh me SPAK?

– Natyrisht, që nuk kemi akoma shkak që të paragjykojmë axhendën e Gjykatës Kushtetuse. Presidenti i Republikës në këto tre vite ka konstatuar një numër të lartë të ligjeve të Kuvendit që bien ndesh me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtre që Shqipëria ka ratifikuar, sidomos ato që duhet të jenë në përputhje me vetë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Pra në këto kushte pritet një eficencë shumë e madhe nga ana e axhendës së Gjykatës Kushtetuese, si dhe nga ana e palëve kompetente të ngarkuara me kushtetutë, në lidhje me afrimin e kandidaturave përkatëse, për plotësimin e mëtejshëm të kësaj gjykate me anëtarë të rinj dhe plotësues të vendeve vakante, sidomos të atyre që duhet të vijnë nga Gjykata e Lartë.  Vetëm pak kohë më parë, në këtë Gjykatë kanë mbërritur një kërkim nga ana e subjektit Politik Partia Republikane në lidhje me interpretimin për pjesëmarrje të lirë nga ana e subjekteve politike në fushtatë zgjedhore në kushtet e rregullave të Pandemisë, ndërkohë që masat parandaluese frenojnë forcat opozitare, ndërsa mazhoranca, nën petkun qeverisës, gëzon kushtet e lëvizjes së lirë dhe pa kontroll.  Po kështu një kërkim tjetër është paraqitur sot në Gjykatën Kushtetuese nga PR dhe forcat aleate të opozitës të cilat padrejtësisht penalizohen nga ligji elektoral si pasojë e rendit numerik sipas të cilit ato duhet të paraqesin në listat zgjedhore kandidatët e tyre. Përsa i përket shqyrtimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit 2019 nga ana e Gjykatës Kushtetuese natyrisht që kemi të bëjmë me një prioritet madhor. Në raportet e tyre, vetë vëzhguesit e Zyrës së OSBE-së dhe ato për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), theksuan se zgjedhjet vendore të 30 Qershorit 2019 në Shqipëri, u mbajtën pa marrë në konsideratë interesat e zgjedhësve dhe tërësisht në një klimë ngërçi politik.  Kandidatët për kryetarë bashkie garuan pa kundërshtarë në 31 nga 61 bashki gjithsej dhe në këtë kontekst, zgjedhësit nuk patën mundësi kuptimplote për të zgjedhur mes opsioneve të ndryshme politike. Mungesa e drejtë e opozitës, për të mos marrë pjesë në këto zgjedhje ulën besimin tek zgjedhjet duke çuan, në pasiguri të plotë juridike.  Dekreti i Presidentit të Republikës për shfuqizimin e 30 qershorit 2019, si datë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, ishte një vendim kushtetues shumë solid që i shërbente paqes sociale, stabilitetit, dhe shmangies së përshkallëzimit të pakontrolluar të situatës, sepse zgjedhjet pa opozitën, jo vetëm minojnë stabilitetin e vendit, por gjithashtu çdo shans pozitiv që Shqipëria të bëjë hapa përpara në procesin e çeljes së negociatave me BE-në.  Në këto kushte zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën ishte një investim krejtësisht në dëm të së ardhmes europiane të vendit, që është objektivi kombëtar i të gjithë shqiptarëve. Natyrisht që i vetmi autoritet suprem që mund të shqyrtojë këtë dekret është Gjykata Kushtetuese, e cila mjaft të vërejë pjesëmarrjen e votuesve në këto zgjedhje, dhe ka fakte të mjaftueshme, për të provuar legjitimitetin e tyre. Gjithashtu nëpërmjet angazhimit dhe eficëncës së saj të mbështetur rigorozikisht në ligj, ka rastin tashmë për të rikthyer besimin e munguar tek drejtësia e shumëpritur.

– Faleminderit!