Shqipëria mikpret më 16 Tetor takimin e radhës të nivelit të lartë të Procesit të Berlinit, i pari që mbahet jashtë një vendi të Bashkimit Europian. E prezantuar në vitin 2014, si një propozim i Gjermanisë për të lehtësuar procesin e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor, nisma ka meritën që arriti të krijojë barazi në përfaqësim, të drejta e detyrime, mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, sikundër nxiti bashkëpunimin socio-ekonomik në rajon. Edhe pse larg prishtshmërive të objektivave të prezantuara në 2014, Procesi i Berlinit mbetet platforma më e rëndësishme e bashkëpunimit rajonal. Ndonëse procesi i anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është ndërprerë formalisht, deri tani nuk ka prodhuar një raport të drejtë me fuqizimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, dhe nuk ka arritur të mbyll përfundimisht konfliktet e mosmarrëveshjet dypalëshe. Momenti në të cilën gjendet Europa si pasojë e agresionit rus në Ukrainë është një dritare mundësie për një nxjtje të re drejt zgjerimit të BE-së. Procesi i Berlinit duhet të shërbejë si ndërlidhës me agjendën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke u përqendruar te sfidat reale me të cilat përballen vendet e rajonit, që kanë të bëjnë me tejkalimin e konflikteve, konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, dhe modelin e zhvillimit ekonomik e shoqëror, bazuar në rregulla mbi të cilat ka lulëzuar Europa. Vështruar nga ky kontekst, me nismën Friedrich Ebert Stiftung, diskutuam me aktorët kryesorë politik, shoqërinë civile, akademinë, sipërmarrjen dhe partnerët ndërkombëtar, hapat e mundshëm që mund të hidhen në këtë drejtim.