Dita Botërore e Dhuruesit të Gjakut/ Ambasadori i Spanjës: Mundësi falenderimi për heronjtë anonimë që shpëtojnë jetë

331
Vicente Canelles, Ambasador i Spanjës në Shqipëri
Sigal

Në kuadrin e Ditës Botërore të Dhuruesit të Gjakut, në datën 15 qershor, nga ora 9.30-13:00, në Muzeun Historik Kombëtar, hyrja kryesore, përballë Bankës së Shqipërisë, Ambasada e Spanjës dhe Kryqi i Kuq Shqiptar do të organizojnë Ditën e Dhurimit të Gjakut për ata që do të dëshirojnë të dhurojnë gjak.

Ambasada e Spanjës në Shqipëri dhe Kryqi i Kuq Shqiptar ftojnë këdo që dëshiron t’i bashkohet kësaj Dite të Dhurimit të Gjakut duke u paraqitur në çadrën e Kryqit të Kuq Shqiptar, fillimisht për të verifikuar nëse është i përshtatshëm për dhurim, dhe, në rast se po, të vijojë me dhurimin  e gjakut po në atë moment.

Zoti Vicente Canelles, Ambasador i Spanjës në Shqipëri është shprehur se “Në një moment kaq të vështirë si ky që po kalojmë, më shumë se kurrë kjo do të jetë një mundësi falenderimi për të gjithë dhuruesit, për empatinë dhe solidaritetin e tyre, këta heronj dhe heroina anonimë që shpëtojnë jetë çdo ditë, si dhe për familjarët e tyre dhe personelin shëndetësor.”

Si dhurimi i gjakut, ashtu edhe ai i organeve në Spanjë janë në një stad shumë të avancuar, dhe janë pjesë e jetës së përditshme të miliona spanjollëve.

Kështu, sistemi i transplanteve në Spanjë është, prej 28 vitesh rresht, lider botëror në këto lloj operacionesh. Në vitin 2019 përqindja e dhuruesve arriti në 48.9 për milion banorë, u realizuan 5.449 transplante organesh, duke arritur maksimumin historik në transplantet renale dhe ato pulmonare. Ky rezultat i rëndësishëm u bë i mundur falë solidaritetit të shoqërisë në Spanjë, bujaria e të cilës njeh vetëm rritje vit pas viti, si dhe falë punës së jashtëzakonshme të rrjetit të koordinimit dhe transplanteve në vendin tonë.

Modeli spanjoll është një pikë referimi botëror. Që prej vitit 2014 Spanja ka shënuar një rritje prej 30% të numrit të dhuruesve, deri në 2.183, dhe ka arritur nga 36 dhurues për milion banorë në 48,9 për milion aktualisht. Një arritje me vlerë për tu përmendur për vitin 2019 është ajo që Spanja, bashkë me Italinë, kanë arritur të realizojnë transplantin e dyte renal ndërkombëtar të kryqëzuar për Evropën Jugore, nëpërmjet një operacioni logjistik të komplikuar, i koordinuar nga Organizata Kombëtare e Transplanteve në të cilën bëjnë pjesë Fondacioni Puigvert i Barcelonës dhe ‘Kidney Transplant’ i Padovas.