Dita botërore e personave me aftësi të kufizuara/ Presidenti Begaj apelon për mbrojtjen e tyre përballë vështirësive

27
Sigal

Në ditën ndërkombëtare të Personave me aftësi të Kufizuara, presidenti i Republikës ka dhënë mesazhe në mbështetje të tyre.

Bajram Begaj thekson nevojën e përmbushjes së objektivave për zhvillim të qëndrueshëm dhe mbështetjen e kësaj kategorie.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Begaj kërkon nga institucionet që të zbatohen dhe respektohen të drejtat e tyre të garantuara me ligj, për më tepër përfshirje, punësim dhe mbrojtje sociale.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi ndryshe ka përuruar rikonstruksionin e Qendrës së Zhvillimit Rezidencial në Durrës.

Koçiu vlerësoi përkushtimin e punonjësve të kësaj Qendre për punën e tyre të përditshme në aftësimin e personave me aftësi të kufizuar dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.

“Respekt pa fund për të gjitha ju, për çdo sakrificë dhe përkushtim që bëni çdo ditë që as nuk e vë në dyshim që bëni super punë me të gjithë fëmijët këtu”.

Ministrja Kociu thekson se janë rreth 165 mijë persona që mbështeten në vit nga programi i aftësisë së kufizuar.

Edhe buxheti 2024 parashikon mbështetjen e kësaj kategorie, të cilët do të përfitojnë pagesa nga fondi prej 17.9 miliardë lekë.

Asambleja e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1992, shpalli 3 Dhjetorin “Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar”.

Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit lidhur me situatën e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha sferat e shoqërisë.