Ish-kryeministri Sali Berisha ka pritur sot në një takim deputetin e Forza Italia Alessandro Battilocchio, i cili mbajti edhe një fjalim në Kuvendin e zhvilluar ditën e djeshme.
Përmes një postimi në Facebook Berisha shprehet se e ka informuar Battilocchion për zhvillimet dramatike të demokracisë shqiptare dhe rënien e institucionit të zgjedhjeve të lira.
Ai shtoi se kjo situatë e ka detyruar opozitën të përshkallëzojë aksionin e saj opozitar në çdo formë dhe në çdo mjet.
Postimi i plotë:
Forza Italia, në mbështetje të përhershme të Partisë Demokratike!
Të dashur miq, pas fjalës së tij përshëndetëse në Kuvendin e datës 2 dhjetor, pata kënaqësinë të prisja në takim pranë selisë së Partisë Demokratike, Deputetin e Forza Italia, Z. Alessandro Battilocchio, Kryetar i Komisionit Hetimor të Parlamentit Italian mbi sigurinë dhe degradimin e qyteteve, si dhe anëtar i Komisionit të Çështjeve Europiane. Z. Battilocchio, gjithashtu dhe sekretar për çështjet zgjedhore pranë Forza Italia, ishte shoqëruar në takim nga Z. Bardhok Doda, kryetar i degës së Partisë Demokratike në Romë dhe Z. Indrit Hoxha, sekretar për diasporën pranë PD.
E falenderova Z. Battilocchio për fjalën e tij të përzemërt dhe për mbështetjen që Forza Italia i dha kuvendit të ditës së shtunë, duke i theksuar angazhimin tone të plotë në vijimin e marrëdhënieve historike mes dy forcave tona politike.
Gjatë shkëmbimit e informova Z. Battilocchio për zhvillimet dramatike të demokracisë shqiptare dhe rënien e institucionit të zgjedhjeve të lira. Ndërkohë që Partia Demokratike zhvilloi të shtunën të disatin proçes zgjedhor të brëndshëm gjatë dy vjeçarit të fundit, Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës jo vetëm nuk zhvillon asnjë proçes votimi për çdo nivel të saj, por prej 2013, i ka kthyer zgjedhjet demokratike në një farsë kriminale ku krimi sjell vota, e votat sjellin krimin në pushtet.
Një situatë kjo që e detyron Partinë Demokratike që përballë instalimit të këtij regjimi kriminal, të përshkallëzojë aksionin e saj opozitar në çdo formë dhe në çdo mjet që karakterizon trashëgëminë demokratike në gjenezë të historisë 30 vjeçare të PD-së.
Me Z. Battilocchio shkëmbyem sesi bashkëpunimi i shkëlqyer i shkuar nën drejtimin e Presidentit historik të Forza Italia, Z. Silvio Berlusconi, të vijojë dhe në të ardhmen nën lidershipin aktual të Sekretarit të Përgjithshëm, Z. Antonio Tajani.
Pjesë e familjes së madhe së PPE dhe pavarësisht kontektesteve kalimtare, dy partitë tona do të mbeten gjithmonë të drejtuara nga vlerat europiane dhe të miqësisë historike dhe unike që karakterizon marrëdhëniet mes dy popujve shqiptarë dhe Italian.