Devijimi i Vjosës, Koka: Qeveria e vendosur, s’falim asnjë litër ujë

538
Sigal

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka reagoi sot në Parlament me mundësinë e devijimit të një sasie të ujit të lumit Vjosa, duke theksuar se qeveria është e vendosur për të mos falur asnjë litër ujë.
 
Ndër të tjera Ministri Koka deklaroi se janë konventat ndërkombëtare ato që i garantojnë mos cënimin e Vjosës.
 
“Shteti shqiptar ka reaguar në kohën e duhur si për Vjosën, Prespën dhe Radikën më herët. Që në projekt-ide shtetet fqinje, kufitare, duhet të jenë pjesë e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Një gjë është e qartë dhe për këtë garantojmë gjithë deputetët e gjithë shqiptarët, se kjo qeveri është e vendosur për të mos falur një litër ujë e jo më detra, liqene e lumenj. Janë të gjitha konventat që na e garantojnë këtë dhe po ashtu edhe gjykatat ndërkombëtare. Ne jemi gardianë për të respektuar këto konventa, aq më shumë kur bëhet fjalë në raporte ndërkufitare”, siguroi ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Aktivistë të shoqërisë civile, qytetarë dhe specialistë të mjedisit, kanë këmbëngulur pranë qeverisë shqiptare që të kundërshtojë projektet e vendeve fqinje për devijimin e dy lumenjve mjaft të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, Radika për kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin dhe Vjosa për jetën në pjesën jugore të Shqipërisë.