Dështon Reforma Zgjedhore/ Nuk ka marrëveshje në Këshillin Politik. PS nuk pranon “Qeveri Kujdesare” dhe verifikimin e kartave në zgjedhje

312
Sigal

Përfaqësuesi  i ambasadës së SHBA-së në Tiranë takohet  në mbrëmje me drejtuesit e Këshillit Politik

Nuk ka marrëveshje  në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore

Pas 4 orësh mbledhje  të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, mbrëmë afër mesnatës, u bë e ditur se nuk ka konsensus, ndërsa  mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord që nuk dakortësohen për asnjë nga çështjet. Brenda afatit të 31 majit nuk ka asnjë marrëveshje për Reformën Zgjedhore teksa mbledhjet do të vijojnë përtej afatit. Por Këshilli Politik do të vijojë mbledhjet pas 31 majit, ku e radhës do të jetë sot.

Propozimi i Opozitës për Reformën Zgjedhore

Mazhoranca dhe Opozita në Këshillin Politik nuk po gjejnë ende dakordësi sa i takon çështjes së identifikimit  biometrik të votuesve, depolitizimit të administratës zgjedhore si dhe ndryshimit të sistemit zgjedhor. Burime pranë PD-së bëjnë me dije, se në tryezën e bisedimeve u shtrua edhe çështja e qeverisë kujdestare dhe roli i gjykatës kushtetuese. Sipas propozimit, qeveria kujdestare e zgjedhjeve ka për detyrë të sigurojë asnjanësi dhe paanshmëri të institucioneve të administratës publike në procesin zgjedhor.

Konsensusi”  për Reformën Zgjedhore

Tre janë pikat ku janë ndalur prej ditësh palët dhe nuk po gjejnë zgjidhje, identifikimi biometrik i votuesve, depolitizimi i administratës zgjedhore si dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor. Nëse nuk arrihet konsensusi pasi afati real për t’u miratuar në Kuvend është 30 qershori dhe nga 1 korriku fillon implementimi.

Ora 20:00  -Opozita dorëzon propozimet – Opozita i ka dorëzuar që mbrëmë propozimet për garancitë e votës në zgjedhje, duke e çuar deri në fund pjesën e angazhimit të saj me reformën zgjedhore. Pjesë e këtyre propozimeve janë edhe qeveria kujdestare për zgjedhjet dhe roli i gjykatës kushtetuese. Diskutimi i tyre ende nuk ka nisur, por është e rëndësishme që të gjitha çështjet janë mbi tavolinën e bisedimeve.

Ora 20:10  –Bylykbashi dhe Gjiknuri me përfaqësuesin e ambasadës së SHBA-ve. Ndërkohë, në orën  20:10,  Bylykbashi dhe Gjiknuri janë ndarë veçmas  për rreth 30 minuta për të diskutuar me përfaqësuesin e ambasadës amerikane.

Ora 21:00  –Përfundon takimi i Bylykbashit dhe Gjiknurit me përfaqësuesin e Ambasadës së SHBA-së.

Ora 21:00  –Pas takimit me dyshen Gjiknuri-Bylykbashi  me përfaqësuesen e ambasadës amerikane ka hyrë edhe Petrit Vasili.

Qeveri Kujdesare për të zhvilluar zgjedhjet parlamentare

“100  ditë përpara ditës së zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë, miraton përbërjen e Qeverisë Kujdestare të Zgjedhjeve, e cila pas betimit përpara Presidentit të Republikës, fillon ushtrimin e detyrës për të garantuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me funksion të posaçëm ndalimin e përdorimit  të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore. Ky rregull zbatohet deri në hyrjen në fuqi të marrëveshjes  për  anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Qeveria Kujdestare  e  Zgjedhjeve ka për detyrë:

-të sigurojë asnjanësi dhe paanshmëri  të institucioneve  të administratës publike në procesin zgjedhor;

-të sigurojë barazinë e trajtimit midis kandidatëve dhe partive të ndryshme në lidhje me burimet administrative;

-të sigurojë barazi ndërmjet të gjithë subjekteve zgjedhore, duke mbrojtur nga keqpërdorimi i mundshëm i burimeve administrative për qëllime politike.

Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve  në zgjedhje,  burime të organeve apo enteve publike, në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër, ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia. Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të “burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi  i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar  brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar  në fushatë zgjedhore. Gjatë fushatës  zgjedhore ndalohet  marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në institucionet apo entet publike, me përjashtim të rasteve të përligjura, apo rasteve të parashikuara në  nenin 5/2 të këtij ligji. Konsiderohen raste të përligjura rastet kur lëvizja apo lirimi nga puna vjen si rrjedhojë e shkeljeve, sipas legjislacionit përkatës, ose marrja në punë bëhet brenda structures  dhe organikës në fuqi përpara fushatës zgjedhore nga institucioni apo enti publik, në përmbushje të misionit të tij. Bëjnë përjashtim rastet e emergjencave për shkak të ngjarjeve të paparashikuara që diktojnë marrjen në punë.

Zgjedhje vendore  në tetor – nëntor  2020?

Reforma zgjedhore pritet të miratohet në konsensus të gjerë politik,  me qëllim që së shpejti të zhvillohen zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, meqë parlamenti funksionon vetëm me 123 deputetë dhe opozita nuk merr pjesë, pavarësisht  se disa deputetë  prezantohen  në Parlament  si “opozitë parlamentare”.  Zgjedhjet e reja parlamentare është edhe një nga 15 kushtet që BE-ja  ka ndaj Shqipërisë për hapjen e negociatave. Mirëpo kryeminsitri  Rama nuk dëshiron që të zhvillojë  zgjedhje të parakohshme  parlamentare, duke qenë i sigurtë që do të humbasë. Kryeminsitri Rama mund të përdorë  trukun politik, të zhvillojë zgjedhje të reja vendore, meqënëse  disa bashki nuk kanë kryebashkiakun  e zgjedhur, por edhe se në zgjedhjet e 30 qershorit nuk mori pjesë opozita. Qëllimi i kryeministrit  Rama për të zhvilluar zgjedhje të reja  vendore në tetor-nëntor 2020, është që të testojë  elektoratin, përpara  zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të zhvillohen në prill -maj 2021. Me Kodin e ri Zgjedhor, që pritet të miratohet, 15 tetor deri në 15 nëntor, me gjasë në 1 nëntor,  do të mbahen zgjedhjet vendore.