Sigal

Ndërkohë që kanë kaluar thuajse 8 vite nga vrasja në bulevardin “Dëshmorët e kombit” të 4 protestuesve të Partisë Socialiste, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, në Kuvend është depozituar një projektligj i qeverisë, sipas të cilit të vrarët më 21 Janar 2011 marrin statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, së bashku me të vrarët gjatë proceseve zgjedhore. “Shtetasit shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si dhe ata që kanë humbur jetën në krye të detyrës në mbrojtje të procesit zgjedhor, pas datës 8 dhjetor 1990”, thuhet në këtë projektligj. Në këtë status, do të vijojnë edhe ata që e kanë përfituar gjatë komunizmit, pasi në projektligj parashikohet që: “Të gjitha dekretet/vendimet e organeve shtetërore për shpalljen “Dëshmor”, të marra para hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk janë objekt rishikimi nga ky ligj”. Po ashtu ky projektligj ka disa kategori që përjashtohen nga përfitimi i këtij statusi. “Statusin “Dëshmor i Atdheut” nuk e përfitojnë personat, të cilët janë dënuar me vendime gjykate të formës së prerë për: krime kundër njerëzimit; bashkëpunim me pushtuesit e vendit; veprimtari terroriste dhe agjenturore kundër interesave të Shqipërisë; vrasje me dashje, pas datës 9 maj 1945”, – thuhet më tej. Sipas këtij projektligji parashikohet që familjarët e atyre që përfitojnë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, përfitojnë shpërblim financiar mujor, si bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët nën moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur kryejnë studimet e larta. Ndërsa shpërblimi ndërpritet kur bashkëshortja ose bashkëshorti i ‘Dëshmorit të Atdheut’ martohet përsëri.