Dështon Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, 7 deputetë të Bashës duan kryetarin, 50 deputetët e opozitës, kundër

75
Sigal

Dështon pa nisur Reforma Zgjedhore, Basha dhe Rama bëhen bashkë për të përjashtuar opozitën më të madhe në Shqipëri

Ja kalendari i punimeve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore

Deputetët që përbëjnë pjesën më të madhe numerike të opozitës në Shqipëri u shfaqën në sallën e konferencave të Kryesisë së Kuvendit të vendosur më shumë se kurrë këtë të premte kur thanë përpara mediave se nuk do të ketë funksion normal të parlamentit pa u respektuar më parë rregullat dhe pa u rishikuar gjithë anëtarësia e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Oerd Bylykbashi tha se 50 deputetë të opozitës kërkojnë të rikthehet tradita 20-vjeçare, e cila ka garantuar dy rotacione politike me votë dhe që sipas tij do të garantojë një reformë zgjedhore që do të prodhojë një stabilitet. Bylykbashi tha: “Pothuajse 50 deputetë të opozitës kanë kërkuar zyrtarisht që të rishikohet anëtarësia e komisionit dhe të rikthehet tradita 20-vjeçare, e cila ka garantuar 2 rotacione politike me votë, sepse rregullat e përbashkëta kanë garantuar zgjedhje normale në përputhje me standardet. Ne kërkojmë me forcë që të rikthejmë këtë traditë, sepse reforma zgjedhore është një nga reformat më të rëndësishme që do të prodhojë një stabilitet apo destabilitet për më shumë se një dekadë. Kërkojmë që pa vonesë, parlamenti i Shqipërisë të marrë në konsideratë kërkesën tonë që komisioni t’i kthehet normalitetit, konsensualitetit dhe funksionalitetit. Sa kohë kjo nuk do të bëhet, sepse Edi Rama nuk do dhe me ndihmën e të tjerëve do të arrijë qëllimin për të veshur komisionin me një vello bipartizanizmi, ne nuk do pranojmë dhe ky parlament do të vazhdojë të jetë mosfunksional,”- tha Oerd Bylykbashi.

Dështimi i mbledhjes së reformës zgjedhore

Mbledhja e parë e Komisionit për Reformën Zgjedhore dështoi. Deputetët e opozitës u ulën duke zënë të gjitha karriget e sallës ku do të mbahej reforma zgjedhore. Në orën kur duhej të niste deputetët e mazhorancës qëndruan në këmbë për disa minuta pasi karriget e tyre ishin të zënë. Kjo situatë bëri që fillimisht të largohej nga salla Sekretari i Përgjithshëm të Partisë Socialiste Blendi Klosi dhe më pas vendimit të tij ti bashkohet edhe bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri. Në dalje nga mjediset ku duhej të mbahej kjo mbledhje Damian Gjiknuri duke dalë para mediave akuzoi opozitën duke thënë se ajo po kryen akte vandale. Gjiknuri tha se mazhoranca do e vijojë punën për Reformën Zgjedhore, edhe nëse opozita nuk do të bëhet pjesë e saj. “Fatkeqësisht edhe atë që pretendojnë Bylykbashin nuk e kanë zgjedhur, edhe Alibeajn nuk e kanë lejuar të vijë për shkak të akteve vandale. Opozita duhet të jetë e para që do të bëjë reformën zgjedhore, në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse siç është ky komision. Patjetër që reforma do ecë dhe nëse opozita nuk do bëhet pjesë do gjehet një mënyrë që reforma të shtyhet përpara. Unë kam një mandat sikurse opozita, të vijnë”,- tha Damian Gjiknuri.

Kalendari i punimeve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore

20 janar – 31 janar 2024
Seanca dëgjimore me parti politike, OJF vendase dhe organizma ndërkombëtarë në Shqipëri në mënyrë që ata të paraqesin mendime, sygjerime dhe propozime lidhur me Reformën Zgjedhore bazuar dhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR

1 shkurt – 29 shkurt 2024
Përgatitja nga ana e ekspertëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore në bashkëpunim me ekspertët e OSBE/ODIHR dhe shqyrtimi i propozimeve mbi rekomandimet e tyre në lidhje me këto çështje:

-Regjistrimi i subjekteve zgjedhore.
-Regjistrimi i kandidatëve dhe numri i tyre për çdo zonë zgjedhore.
-Zgjedhësit dhe përgatitja e listës së zgjedhësve.
-Barazia gjinore për organet e zgjedhura dhe administratën zgjedhore.
-Shqyrtimi i propozimeve lidhur me implementimin e të drejtës së votës për shtetasit jashtë Republikës së Shqipërisë dhe skemat e mundshme të realizimit të saj.
-Regjistrimi dhe përgatitja e listës së zgjedhësve me qëndrim jashtë Republikës së Shqipërisë.
-Metodologjia e votimit për zgjedhësit me qëndrim jashtë Republikës së Shqipërisë.
-Administrimi i procesit zgjedhor dhe numërimi i votave për zgjedhësit me qëndrim jashtë Republikës së Shqipërisë. Përgatitja dhe shqyrtimi i propozimeve në lidhje me çështjet: Zona zgjedhore dhe numri i mandateve për çdo zonë, Votimi, Shpërndarja e mandateve.

1 mars – 15 mars 2024
Përgatitja dhe shqyrtimi i propozimeve në lidhje me çështjet:
-Fushata zgjedhore në mediat elektronike.
-Financimi i fushatës zgjedhore.
-Raportimi dhe monitorimi i fushatës zgjedhore.

16 mars – 25 mars 2024
Hartimi i draftit të konsoliduar të Projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”.