“Çakulli elektoral u zhduk me shiun e parë”, Ardit Çela në Urën e Kuçit: Në 25 prill vota kundër mashtruesve të rilindjes, për një kapitull të ri

Ditën e sotme, drejtuesi politik i LSI-së në Qarkun e Beratit, Ardit Çela ishte në Urën e Kuçit, nga ku ka denoncuar faktin se çakulli i hedhur nga qeveria është zhdukur me shirat e rënë ditët e fundit.

“Banorët i paguajnë kokërr më kokërr taksat e shumëfishuara të rilindjes ndërkohë që nuk marrin asnjë shërbim. Paguajnë për gjelbërim e për pastrim, paguajnë për ndriçim, paguajnë me paratë e djersës e të gjakut çdo detyrim ndaj shtetit, ndaj rilindjes në bashki e në qeveri, ndërkohë që marrin mbrapsht vetëm tallje, harresë, mospërfillje e arrogancë.”,- shprehet Çela në reagimin e tij të shpërndarë në rrjetet sociale.

NOA


Reagimi i tij i plotë:

Ishim sot në Urën e Kuçit. Çakulli elektoral i rilindjes u zhduk me shiun e parë. Të lënë në harresë për vite me radhë, duan t’u hedhin hi syve banorëve me dy kamiona çakull. Banorët i paguajnë kokërr më kokërr taksat e shumëfishuara të rilindjes ndërkohë që nuk marrin asnjë shërbim. Paguajnë për gjelbërim e për pastrim, paguajnë për ndriçim, paguajnë me paratë e djersës e të gjakut çdo detyrim ndaj shtetit, ndaj rilindjes në bashki e në qeveri, ndërkohë që marrin mbrapsht vetëm tallje, harresë, mospërfillje e arrogancë. Toka të bekuara nga Zoti. Njerëz fisnikë që e duan punën, e që me punë nga mëngjesi deri në darkë mbajnë familjet e tyre. Shteti i ka harruar. I ka lënë pa rrugë, pa shërbime, pa mbështetje. Në 25 prill, referendum popullor, një kapitull i ri, ndryshim radikal. Vota kundër mashtruesve të rilindjes.