Ish-e dashura e Charles McGonigal, Allison Guerriero ka dhënë një intervistë për gazetën britanike, “Daily Mail”, ku ka rrëfyer jetën seksuale me ish-agjentin e diskredituar të FBI, por jo vetëm. Rrëfimi i saj vjen në kohën kur McGonigal është dënuar me 50 muaj burg për të ashtuquajturën dosje ruse, ndërsa pret dënimin me 30 muaj burg për dosjen shqiptare. Ndërkohë, ish-e dashura e McGonigal ka rrëfyer se si ai e përdori një festë ditëlindje me të, për të marrë qesen me dollarë nga shqiptari Agron Neza. Në fillim të tetorit, çifti do të dilte për të festuar ditëlindjen e saj, por festimet u ndërprenë për shkak se në Nju Jork erdhi shefi i FBI, Christopher Ëray. “Kështu që ne vendosëm të dalim ose më 5 tetor ose 6 apo 7 tetor,”- tha Guerriero. Sipas dokumenteve të gjykatës, më 5 tetor 2017, McGonigal mori 80 mijë dollarë nga Agron Neza në një parkim restoranti në Nju Jork. Guerriero thotë se nuk e mban mend mirë se çfarë ndodhi atë natë, por mendon se festimet për ditëlindjen e saj ishin një tymuese për të mbuluar marrjen e parave. Më vonë, ajo zbuloi në apartamentin e saj një qese me kartëmonedha 100 dollarëshe. “Mendja më shkoi se mos ishin pagesa për ndonjë informator të fshehtë apo ndonjë agjent të fshehtë, që operon në terren. Paratë ishin në një qese të zezë me shkronja ari, të llojit që merren në dyqan pijesh alkoolike. Qesja nuk ishte e fshehur, ishte pranë derës kryesore,”- tha ajo. Gazeta thekson se McGonigal i është lutur gjykatës që të mos ia rëndojë dënimin me 30 muajt e dosjes shqiptare. Ndërkohë vendimi jepet më 26 shkurt. Ish-e dashura e Charles McGonigal, Allison Guerriero, para disa kohësh në një intervistë ekskluzive për emisionin “Review” në Euronews Albania ka deklaruar se, McGonigal bisedonte shpesh me kryeministrin e Shqipërisë. Ajo tha se, nuk e dinte arsyen e takimit mes Ramës e McGonigal, por që të dy flisnin shpesh në telefon dhe se ishin miq.