Deputeti Vasili i kërkon kryeparlamentarit Ruçi të japë dorëheqjen

519
Sigal

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili kërkon largimin e kreut të Kuvendit si drejtues i Grupit Parlamentar ‘Miqtë e fëmijëve’, si reagim pas përmendjes së vajzës së kreut të PD-së, Lulzim Basha, nga deputeti socialist, Taulant Balla. Deklaratat në parlament të Taulant Ballës, është rasti i dytë, që deputetët socialistë me deklarata publike tregojnë mungesë etike dhe morali, por edhe shfaqje raciste, sikurse ishte rasti i deputetit socialist Alket Hyseni, i cili fyeu personat me aftësi të kufizuar, autikët. Kryetari i Parlamentit Ruçi mbajti qëndrim, duke çuar në Byronë e Parlamentit Bashën dhe Berishën për deklaratat, ndërkohë që mbylli sytë dhe veshët, duke mos mbajtur të njëjtin qëndrim edhe ndaj deputetit Taulant Balla, meqë është i partisë së vet. Deputeti Vasili shkruan: Ruçi jep dorëheqjen nga “Miqtë e fëmijëve”, nuk dënove Ballën, që dhunoi verbalisht fëmijët. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi nuk mundet më kurrsesi të drejtojë grupin e deputetëve “Miqtë e fëmijëve”. Nën drejtimin e tij, në sy të tij si drejtues i seancës, kur Taulant Balla përmendi në mënyrë të ulët, në dhunim të çdo etike, në seancë plenare vajzën e vogël të kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Kryetari Ruçi s’lëvizi as gishtin përpara një ndyrësie të tillë publike kundër fëmijve. Është e turpshme dhe amorale që Ruçi për hir të konformizmit, besnikërisë, servilizmit dhe varësisë ndaj Partisë, jo vetëm që nuk e dëboi në çast nga salla Ballën, por as nuk e paralajmëroi. Po Ruçi ka qenë ai që ka bllokuar parlamentin, ka futur Gardën dhe ka bërë hatanë për një fjalë goje dhe ka përzënë deputetë nga salla. Ndërsa heshti, kur u përfol një fëmijë. Turp i madh që një fëmijë përdoret në mes të parlamentit, poshtërsisht e politikisht nga Balla dhe Ruçi hesht. Gramoz jep dorëheqjen nga drejtimi i ” Miqtë e fëmijëve”. Kjo është më e pakta që mund të bëje si politikan, si prind dhe si gjysh, në të kundërt s’përfaqëson më asnjërën prej tyre dhe do të të mbetet vetëm dashuria për sharlatanizmin e pagdhendur të Ballës.