Deputeti i lidhur me tregtinë e armëve dhe grupe kriminale

456
Sigal

Prokuroria e Durrësit, hetime intensive për periudhën 2008-2013. Ish-deputeti, prej 10 ditësh i është ndaluar udhëtimi jashtë vendit

Gjithmonë veprimtaria kriminale ka pasur nevojë për mburojë, nga segmente të caktuara të politikës. Eksperienca e huazuar nga vendet e tjera, duket se është adaptuar mrekullisht edhe tek ne, pra grupimet dhe rrjetet e trafikut dhe ato kriminale, krijojnë mbështetje tek njerëz me pushtet, me mandat politik. Burimet nga Prokuroria e Durrësit thanë për “Telegraf” se “organi akuzës ka nisur hetimet për një ish-deputet, emri i tij po mbahet ende sekret për arsye hetimi, i dalë nga deponimet e disa të arrestuarve të akuzuar për trafik armësh dhe veprimtari kriminale të arrestuar para disa ditësh”. Bëhet fjalë për veprimtari dyshuese dhe kriminale në periudhën 2008-2013, ku ish-deputeti ka qenë i përfshirë dhe angazhuar në mbrojtjen elementëve kriminalë dhe ka marrë prej tyre vlera të mëdha monetare, gjithashtu ai ka ndikuar edhe në mospagimin e taksave në degën e Tatimeve në Durrës për disa biznese të cilat sot kanë probleme me shtetin. Hetuesit e Krimeve të Rënda janë angazhuar bashkë me prokurorët e Durrësit, në zbardhjen dhe verifikimin e deponimeve të personave të arrestuar gjatë muajit shkurt, të akuzuar për vepra të rënda kriminale, të cilët kanë nxjerrë edhe emrin e ish-deputetit i cili sot ka biznese të fuqishme në disa rrethe të vendit. Prokuroria e Durrësit ka gati për ta dërguar në gjykatë, dosjen e abuzimeve edhe me taksat për disa biznese të mëdha. Hetuesit po tregohen të kujdesshëm në verifikimin e dëshmive të marra nga të arrestuarit, të cilët njihen si kontigjent kriminal dhe lidhje me rrjete të tilla edhe në Greqi e Itali. Gjatë hetimeve, personat e arrestuar kanë përmendur edhe emra doganierësh, inspektorësh tatimorë, policësh etj. Mendohet se lidhjet e rrjetit janë me shumë persona të kompromentuar prej tyre në vite, për të lehtësuar veprimtarinë e rrjetit të trafikut të armëve. Këto të fundit siguroheshin nga burime të ndryshme edhe brenda vendit, dhe shfrytëzoheshin personat e veshur me pushtet për të krijuar dhe mbajtur lidhjet me rrjetet jashtë vendit. Prokuroria e Durrësit ka kërkuar nga operatorët celularë lejen për përgjimet e numrave telefonikë të personave të përmendur në dëshmitë e të arrestuarve dhe shumë shpejt do të kërkojë nga gjykata vendimet e saj lidhur me masat e arrestit. Sipas burimeve zyrtare dhe të sigurta nga Prokuroria , ish-deputeti, i njohur si njeri konfliktual jo vetëm në sallën e Parlamentit por edhe me drejtues të njësive vendore, ka mbi 10 ditë është vënë në dijeni, duke i kërkuar atij të mos largohet nga Shqipëria, por akoma nuk është vendosur thirrja e tij para hetuesve. Mësohet gjithashtu se emri i tij ka dalë edhe para një viti në dëshminë e një të arrestuari që u kap me një sasi armësh në periferinë e Tiranës nga policia, por nuk dihet ende se si ka arritur ta mbyllë çështjen. Hetuesit shprehen skeptikë për çështjen, pasi shprehen se “sërish mund të dalin bllof nga ndonjë vendim gjykate, si ka ndodhur gjithmonë kur njerëz me pushtet dalin të pafajshëm, dhe mbeten brenda korrierët dhe shoferët e rrjetit”.