Deklarata e fortë e Bashës: Të huajt që na dalin kundër janë të korruptuar nga qeveria e krimit

422
Ndërsa protesta e opozitës vazhdon në çadrën para kryeministrisë, kryetari i PD, Lulzim Basha i është drejtuar ndërkombëtarëve që “mbyllin sytë para krimit e drogës” Ai tha se “ata që nuk guxojnë të shohin të vërtetën, ose janë të papërgjegjshëm ose të korruptuar nga qeveria e Ramës”.
“Kriminelët në institucione i solli Edi Rama për të mbajtur pushtetin politik dhe me ato i shkatërrori institucionet, ekonominë shqiptare. Ka miq dhe dashamirës të Shqipërisë që për një aryse apo një tjetër nuk kanë informacionin e plotë. Me ta duhet të kemi durim, duhet të kemi të hapur rrugën e dialogut për të informuar mbi këto të zeza. Ka edhe të tjerë që nuk duan të informohen. Atyre, pavarësisht se nga vijnë dhe çfarë posti mbajnë, u them: që të mbyllësh sytë para krimit dhe drogës, do të thotë që je ose i papërgjegjshëm ose i korruptuar nga paratë e narkomafies Nuk lihet kauza e zgjedhjeve të lira tek ata që sollën drogën. Rruga e vetme është largimi i një orë e më parë i Edi Ramës nga karrigia e kryeministrit. Për fat të mirë të shqiptarëve nuk kanë munguar miqtë e vërtetë të Shqipërisë që i kanë dhënë mbështetje të plotë kauzës kundër drogës dhe korrupsionit qeveritar që synon shkatërrimin e zgjedhjeve të mashtruesve,” tha Basha.

Në mbështetje të kauzës së opozitës në çadër sot ishte dhe deputeti austriak Michael Hamer, i cili tha se pret një Shqipëri më të mirë me Bashën kryeministër.

“Në vitin 2011 erdha për herë të parë në Shqipëri dhe kam pasur takime me z. Berisha dhe Basha. Kam vënë re se si Shqipëria është zhvilluar nga ana ekonomike, kulturore e indistruale dhe jam i lumtur t’ju mirëpresim në BE. Pres një periudhë akoma më të mirë të vijë pasi si kryeministër të ardhshëm uroj të jetë Lulzim Basha. Nuk është një e drejtë e qytetarëve që të kenë zgjedhje të lira, por është një detyrim për ta. Siç e shihni ka ardhur momenti që besimi për qeverinë aktuale nuk është aq i madh dhe prandaj duhet gjetur një alternativë tjetër për zgjedhje të lira. E vetmja zgjidhje është qeveri teknike. Vendi im është mbështetës i fortë për Ballkanin dhe Shqipërinë. Dhe jemi për një Shqipëri evropiane sa më shpejt. Por që të hyjë në BE, Shqipëria të ndjekë detyrimet e saj, siç janë zgjedhjet e lira,” tha deputeti austriak.
Sigal