DASH: Shqipëria, një vend i papëlqyer për investimet e huaja

320
Sigal

Korrupsioni minon sundimin e ligjit dhe frenon ekonominë, mungesa e transparencës sidomos në prokurimet publike, bizneset hasin konkurencë të padrejtë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë një raport për investimet e huaja në Shqipëri, vend të cilin e konsideron si të korruptuar, me probleme të rënda në dhënien e tenderave dhe të prokurimeve publike. Sipas raportit të publikuar edhe në faqen zyrtare të DASH-it, për të shtatin vit me radhë, Shqipëria vazhdon të jetë një vend i papëlqyer për investimet e huaja. Raporti i DASH-it evidenton se vendi duhet të përmbushë kushte përpara konferencës së parë ndërqeveritare për çeljen e negociatave në BE. Më pas rreshton probleme të thella: Korrupsioni është një pikë nevralgjike që lidhet me mungesën e dëshirës për investime të huaja. Mungesa e transparencës sidomos në prokurimet publike. Kontrata të vështira për t’u zbatuar. Korrupsioni në qeveri dhe mbi të gjitha tenderat që janë të gjithëpranishëm. Rritja e pakontrolluar e kontratave PPP ka shkatërruar tregun dhe ka bërë të pamundur konkurencën. Mungesa të analizave kosto-përfitim të këtyre kontratave ka shkatërruar garën. Bizneset amerikane ballafaqohen me raste korruptive dhe kërkesa për pagesa të tilla. Investitorë të ndryshëm amerikanë janë përballur me çështje tregtare me entitete private dhe publike përfshirë dhe arbitrazhin ndërkombëtar. Në 2019 dhe 2020 një kompani amerikane u largua si pasojë e vendimeve të dyshimta të gjyqësorit dhe vendimmarrjes në pikëpyetje të palëve të tjera në një çështje që lidhet me investimet. Pronat vazhdojnë të jenë problem, sidomos çështja e certifikatës së pronësisë. Ka plot raste të individëve që manipulojmë sistemin gjyqësor për të marrë pronat që s’janë të tyre. Shqipëria perceptohet si një nga vendet me korrupsion të lartë. Korrupsioni endemik vazhdon të minojë sundimin e ligjit dhe të manipulojë apo frenojë zhvillimin ekonomik. SHBA nuk figuron në vendet e para për investimet e huaja direkte. Kjo tregon nivelin e ulët të investimeve amerikane në vend. Qeveria shqiptare ka kaluar disa ligje në lidhje me pronën që janë të pakoordinuara dhe jo realisht efektive. Sipas raportit të progresit të BE-së vendi ende nuk ka trajtuar siç duhet kompensimin e pronave.