Damian Gjiknuri: Shqipëria ka zgjedhur të jetë vend i BE-së dhe pjesë e NATO-s

122
Sigal

Në Tiranë u zhvillua, konferenca me temë “Sfidat e sigurisë dhe riformimi i gjeopolitikës”, me pjesëmarrjen e drejtueseve të institucioneve të linjës dhe të ftuarve të huaj nga vendet e rajonit dhe më gjerë. I pranishëm në këtë konferencë, Sekretari i Përgjithshëm, i PS-së Damian Gjiknuri, solli në vëmendje gjeneralin James L. Jones, si një zë të fuqishëm, që ka ditur të japë perspektivë për ngjarje globale. Gjiknuri theksoi se, “eksperienca e tij dhe roli që ai ka pasur dhe sidomos në pozicionin e tij në North Atlantic Council, janë një pikëpamje e vyer për t’u ndarë dhe me kolegët këtu në rajon, se çfarë perspektivash ne do të zgjedhim, që paqja dhe siguria dhe në këtë pjesë të Europës të jetë e sigurt, por mbi të gjitha perspektiva e zhvillimit ekonomik dhe demografik të jetë e qartë”. “Po shikojmë një botë tjetër arabe që dikur ka qenë shumë me Shtetet e Bashkuara, por tashmë nuk do të zgjedhë pozicionim, përkundrazi shikon oportunitetet e saj për të përfituar nga kjo situatë”, u shpreh Gjiknuri. “Shqipëria dhe vende të tjera të vogla gjenden në udhëkryqin se çfarë zgjedhjesh do të bëjmë. Zgjedhja është e qartë, ne kemi zgjedhur të jemi vend i Bashkimit Europian, kemi zgjedhur të jemi pjesë e NATO-s, pjesë e të njëjtës infrastrukturë sigurie.”, deklaroi ai. Gjiknuri tha se, Ballkani Perëndimor dhe vendet tona duhet të bashkëpunojmë më shumë, të mos e marrim paqen të mirëqenë, të shikojmë që siguria nuk është një gjë që mbetet aty. “Unë mendoj që nga forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe përfshirja e këtij rajoni me se s’bën qoftë dhe për arsye gjeopolitike, qoftë për arsye gjeostrategjike, çfarëdolloj emri t’i themi, në Bashkimin Europian, është e vetmja e ardhme e sigurtë e këtij rajoni. Ndryshe, rrugët e tjera do të jenë të pasigurta. Dhe natyrshëm që demokracia të zhvillohet, do zhvillim ekonomik”, deklaroi ai.