Bylykbashi: Kushtetuesja rrëzon qeverinë Rama, hap hetimet për tatimet

450
Sigal

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, fitore e parlamentarizmit

Deputeti Bylykbashi e cilëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese për lejimin e komisionit hetimor për skandalin e serverit të tatimeve, si fitore të parlamentarizmit. Ditën e djeshme, Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e saj unanim, me të cilin shpall si antikushtetues vendimin e Kuvendit për t’i mohuar opozitës të drejtën kushtetuese për hetim në skandalin e ndërhyrjes së paligjshme në serverat e tatimeve, vjedhjes dhe fshirjes se miliona të dhënave konfidenciale të bizneseve dhe qytetarëve të vendit. Edi Rama dhe Ilir Meta, të terrorizuar nga dalja në dritë e këtij skandali, urdhëruan bllokimin nga Kuvendi me forcën e kartonëve, të hetimit të tij. Me këtë vendim Gjykata Kushtetuese rikonfirmoi një të drejtë kushtetuese të opozitës. Ndërhyrja e paligjshme e njerëzve të besuar të kësaj dysheje në bazën e të dhënave të tatimpaguesve shqiptarë, kopjimi e zhdukja e miliona deklaratave tatimore është një skandal i paprecedent. Ky skandal jo vetëm minon besueshmërinë e sistemit tatimor të shtetit, por cenon rëndë të drejtat e subjekteve, i hap rrugën njerëzve të dyshes Rama-Meta për t’i bërë presion bizneseve apo për të zhdukur detyrimet e klientëve të kësaj dysheje. Sapo të hyjë në fuqi vendimi i Gjykatës, ne do të paraqesim kërkesën e re për ngritjen e komisionit hetimor e për të analizuar në thellësi, këtë skandal. Kjo është shuplaka e tretë radhazi në pak kohë nga Gjykata Kushtetuese, për këtë qeveri dhe maxhorancë që anti-kushtetushmërinë e ka bërë kryefjalë të punës së tyre. Por kjo është gjithashtu një shuplakë për Kuvendin që është kthyer në një noter dhe ekzekutor kokulur i urdhrave antikushtetues të dyshes Rama-Meta.