Presidentja Jahjaga në hapjen e Samitit “Gratë në Botë”

459
Sigal

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë në hapjen zyrtare të punimeve të Samitit të Gruas “Gratë në Botë” që po mbahet në Nju Jork të SHBA-së. Në Samit po marrin pjesë një numër i madh i përfaqësuesve të organizatave të grave në botë dhe personalitete të ndryshme botërore, në mesin e të cilëve edhe ish-presidenti amerikan Xhim Karter, ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, ish-sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe, David Milliband, drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristin Lagarde dhe drejtoresha ekzekutive e Institutit për Gruan, Paqen dhe Sigurinë në Universitetin Georgetown, ambasadorja Melanne Verveer, si dhe përfaqësues të jetës publike e kulturore në mesin e të cilëve edhe aktorja Meril Strip dhe publicisti Thomas Friedman.

Presidentja Jahjaga, gjatë punimeve të Samitit, ka takuar për rreth 30 minuta ish-sekretaren amerikane të shtetit, Hilari Klinton, pastaj edhe ish-sekretarin e jashtëm britanik David Milliband si dhe drejtoreshën e FMN-së Kristin Lagarde. Ajo ka biseduar me ambasadoren amerikane Verveer për avancimin e rolit të gruas në shoqëri.
Presidentja Jahjaga, dje mori pjesë edhe në panelin ku do të diskutohet për “Gruan Paqebërëse” (Woman Peacemaker) së bashku me ambasadoren amerikane Melanne Verveer.