Deri tani vetëm fjalë…

429
Sigal

Politika në Shqipëri është vesi i një grupi njerëzish, (dhe jo pasioni) që kanë vite që po mundohen ta transformojnë në profesion por nuk po munden. Jo sepse nuk duan, por ata pra politikanët, janë robër të veseve të tyre. Robër të mashtrimit, të përsëritjes, të llomotitjes, të akuzave elektorale, të sharjeve me libër shtëpie sikur të ishin me çunat e lagjes, robër të premtimeve që veç të tilla nuk janë, robër të performancës më të shëmtuar. Vesi që ata e quajnë shpesh me mburrje “ profesioni i politikanit” nuk po i lë ata të perfeksionohen, duke mbetur larg shumë në kohë dhe vizione nga kolegët (n.q.s mund t’i quajmë të tillë) europianë. Askush nuk mund të thotë me bindje sot se, politika në Shqipëri është profesion. Aktorët e këtij zhanri të një pjese të shoqërisë sonë, ishin dhe kanë mbetur pafundësisht tek A-ja e vesit, tek fjalët, e shumta tek premtimet. Të gjithë ne pyesim sot, pse Nano nuk e mbajti fjalën kur mori pushtetin në 1997, pse Berisha nuk e mbajti fjalën kur e mori pushtetin në 2005, apo pse sot Rama nuk po e mban fjalën kur ka hyrë në muajin e tetë të pushtetit të tij. Nano për ndëshkimin e fajtorëve të fajdeve dhe trazirave të 1997, Berisha për burgosjen e Nanos me kompani që i quajti 8 vjet si  “kasta më e korruptuar në planet”, dhe Rama së fundi për “ndëshkimin e atyre që lanë bosh arkën e shtetit, autorët e 21 janarit, Gërdecit, apo dhe vendosjen e rendit dhe qetësisë në 100 ditët e para”. Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë edhe sot nga qeveria shqiptare vendosjen e shtetit ligjor, reformimin e organeve të drejtësisë dhe ndëshkimin e korrupsionit. Këtë gjë kërkoi Merkel nga Rama, edhe në takimin e pak ditëve më parë në Berlin. Por deri sot shqiptarët kanë dëgjuar vetëm fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Duket sikur janë tejngopur me fjalët e njerëzve me vese, me politikanët, dhe nuk kanë dëshirën ti dëgjojnë dhe besojnë më. Sot i shohim politikanët tek rrokin të gjejnë mënyra më kreative të paraqitjes së tyre tek njerëzit. Ajo lidhet me përdorimin e Facebook-ut, duke nisur nga paraqitja e pikëpamjeve politike, deri tek detajet e panevojshme nga jeta personale. Si askush tjetër  politikanët i janë sulur “tregut elektronik” për të reklamuar idetë, vizionin, premtimet, duke synuar të jenë sa më atraktivë me votuesin, pasi nga kjo varet karriera e tyre. Modernizimi i teknologjisë, ka kthyer vëmendjen e politikanëve tanë drejt një komunikimi të ri, për ti derdhur fjalët e tyre jo më në takimet fizike me njerëzit, por në ato elektronike siç është Facebook-u. Por ashtu si kudo tjetër, edhe në politikë, konkurrenca është e madhe, dhe fitorja bazohet në atë çfarë politikani realizon, nga fjalët tek veprat. E kundërta po sjell tepricë politikanësh. Në mbledhje qeverie, në parlament, në takime me qytetarët, biznesin, të huajt , politikanët tanë i kthehen vesit, fjalëve, premtimeve. Jo vetëm Kryeministri, por edhe ministrat, duket sikur e kanë detyrë shtëpie, të dalin për hiçmosgjë në deklarata shtypi, ku rekordin e mban Sajmir Tahiri i Ministrisë Brendshme. Fare lehtë mund të konstatosh se, edhe prurjet e reja brenda pak muajve, bëhen kopje e të vjetërve, pozantë si ata, flasin me gjestikulacione si ata, vishen si ata, premtojnë si ata, akuzojnë si ata. Më shumë se veprat, politikanët shqiptarë kanë sot fjalët, madje kanë sufiçit fjalësh, ashtu siç ka sot në tregun e politikës, sufiçit politikanësh. Por koha është dhe do të mbetet treguesi më i mirë, për të ndarë dhe për të seleksionuar rrugës shumicën prej tyre.