Biznesi, protestë kundër biznesit. Tabaku: Si Fronti Demokratik

593
Përfaqësuesit e biznesit të madh protestuan dje përpara selisë së qeverisë dhe kërkuan vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për biznesin e vogël. Një protestë e rrallë, ku një pjesë e sipërmarrësve vendoset kundër pjesës tjetër dhe kërkon shtimin e një takse. Për këtë tubim të biznesit të madh ka reaguar edhe Partia Demokratike, duke e cilësuar si një protestë të qeverisë për vendosjen e TVSH-së te biznesi i vogël. “Dikur Fronti Demokratik dërgonte ankesa në Komitetin Qendror se beteja kundër kulakëve nuk qe në nivelin e duhur, sot shoqatat qeveritare të bizneseve angazhohen gjoja në protesta edukative për të shtyrë qeverinë në vendosjen e masave anti-informalitet. Një vijë e hollë ndan hipokrizinë e djeshme me atë të sotmen”, u shpreh deputetja Jorida Tabaku. Ajo shtoi se “Partia Demokratike është kategorikisht kundër informalitetit, por ne problemin nuk e shohim tek biznesi, ashtu si qeveria dhe shoqatat e qeverisë e shohin. Për ne informaliteti në ekonomi lindi dhe erdhi si rezultat i rritjes së taksave, represionit policor, korrupsionit e ndryshimit të shpeshtë të ligjeve që vështirësojnë rregullat tatimore. Të gjithë këto faktorë mbyllën bizneset, ulën konsumin, larguan investitorët dhe prodhuan besimin më të ulët të bizneseve në rajon. Ndryshe nga ne dhe shumica mendon qeveria socialiste e cila ka gjithë këto ditë që përpiqet të na bindë që taksat e larta dhe shtrëngimi tek bizneset e vogla do të prodhojë parajsën ekonomike që ajo propagandon”. “Duan t’i vendosin TVSH-në biznesit të vogël, një kioske që mban me jetë dhe me para një familje apo më saktësisht 100 mijë bizneseve të vogla që ofrojnë produkte dhe shërbime që sot për sot janë përjashtuar nga TVSH. Në kundërshtim me çdo vend të rajonit, qeveria dëshiron të ulë pragun e TVSH-së në 0 lekë për biznesin e vogël që prodhon 0.5% të ardhurat e PBB-së. Duan t’i heqin bukën e gojës 40% të punësuarve në vend vetëm e vetëm për të kënaqur një sektor të caktuar të bizneseve”, tha Tabaku.
Sigal