Bizneset shqiptare, kundër anëtarësimit me dhunë në Dhomën e Tregtisë, taksa është “gjobë” e paligjshme

511
Sigal

 Gazeta Telegraf/

Organizatat përfaqësuese të
Biznesit në Shqipëri si: Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata e Investitorëve të
Huaj në Shqipëri, Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri, Shoqata “Bashkimi
Tregtar i Shqipërisë, Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri, Dhoma Britanike e
Tregtisë, Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve,  shprehin
shqetësimin e tyre dhe të të gjithë anëtarëve të tyre, pjesë e komunitetit
shqiptar dhe të huaj të biznesit në vend, lidhur me ndryshimin e ligjit për
Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë të miratuar gjatë seancës së fundit
parlamentare në Kuvend. Organizatat theksuan se, rezultatet e Indekseve të
ndryshme të Biznesit në vitet 2015-2016 treguan se shqetësimi kryesor për
klimën e biznesit në vend ka qenë niveli i taksave. Edhe në Raportin Global të
Konkurrueshmërisë, i cili u botua këto ditë, niveli i taksave zë vendin e dytë
në listën e faktorëve më problematikë për biznesin. Pikërisht në këtë kohë, ky
ndryshim i ligjit shton një pagesë më tepër për bizneset, e cila rrit barrën
fiskale mbi biznesin, dhe vepron për të frenuar rritjen ekonomike në vend. Ata
shtuan se me gjithë përpjekjet nga biznesi për të shtuar transparencën dhe
përgjegjshmërinë e palëve, procesi dhe ligji i miratuar nuk pasqyroi
konsultimet e zhvilluara në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese.

 

Takimi me
grupin parlamentar të PD

 

Shoqatat e biznesit shqiptar e të huaj, u takuan
sot me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, për të diskutuar mbi ligjin
për Dhomën e Tregtisë, që detyron të gjitha bizneset, të mëdha apo të vogla, që
të anëtarësohen në Dhomën Publike të Tregtisë. Deputeti i PD Edmond Spaho,
nënkryetari i PD-së, tha pas takimit se “klima e biznesit është mbytëse, ka
represion nga organet tatimore e doganore. Rritje e pashpjegueshme e barrës
fiskale vit për vit, që vlerësohet rreth 400 milionë dollarë. Ne i shpjeguam
bizneseve se do të mbajmë premtimin e taksës së sheshtë dhe TVSh-së 15%. I
shprehëm përfaqësuesve të botës së biznesit, se për sugjerime të tjera të na i
paraqesin dhe do të përpiqemi të ndërrojmë klimën ndaj biznesit, pasi biznesi
është faktori numër 1 për hapjen e vendeve të punës”, deklaroi deputeti Spaho.
Ndërsa një nga përfaqësuesit e biznesit, deklaroi: “Kundërshtojmë anëtarësimin
e detyrueshëm. Është ligj antikushtetues dhe një ligj që nuk ka përfshirë
bizneset. Nuk detyrohet dot biznesi që të jetë anëtar i një dhome ku nuk merr
asnjë shërbim dhe ku nuk përfaqësohet”. Ligji detyron të gjitha bizneset, të
mëdha apo të vogla, që të anëtarësohen në Dhomën Publike të Tregtisë dhe është
nismë e Ministrisë së Ekonomisë dhe mbështetet nga Dhoma e Tregtisë dhe
Industrisë. Sipas tij, anëtarësimi nënkupton që çdo biznes do të paguajë kuotën
e detyrueshme vjetore për Dhomën, e cila do të vendoset nga Asambleja e këtij
institucioni. Ministria thotë se, ligji do të fuqizojë Dhomën Publike të
Tregtisë dhe Industrisë, që sot, sipas saj, ndodhet në vështirësi financiare.

 

Fakti/
Viktima të kësaj zhvatjeje, do të jenë 151 mijë biznese shqiptare e të huaja

 

Janë rreth 151 mijë biznese që do të jenë të detyruara
nga 1 janari, që të paguajnë për anëtarësimin e detyrueshëm në Dhomat e
Tregtisë, pas miratimit të ligjit të ri të Dhomës së fundmi nga Kuvendi. Sipas
të dhënave të INSTAT, për “Ndërmarrjet  aktive sipas qarqeve  dhe
formës ligjore”, deri në fund të vitit 2015 ishin rreth 133 mijë biznese
persona fizikë dhe juridikë të regjistruar në vend (përjashtuar fermerët). Duke
shtuar dhe rreth 18 mijë biznese që janë hapur këtë vit, sipas të dhënave të
Qendrës Kombëtare të Biznesit, në total numri i tyre është në rreth 151 mijë.
Rreth 121 mijë biznese janë persona fizikë, që do të paguajnë nga 1000 lekë në
vit, sipas përcaktimit në ligjin e ri, pra rreth 900 mijë euro. Barrën më të
lartë do ta kenë subjektet juridike, që do të detyrohen të paguajnë është jo më
pak se 3. 000 (tremijë) lekë dhe jo më shumë se 100. 000 (njëqindmijë) lekë, pa
dhënë një përcaktim të qartë se si do bëhet ndarja, por duke ia lënë në dorë
Asamblesë së dhomës sipas kategorizimit.  Janë rreth 30 mijë subjekte
juridike në vend, sipas INSTAT, që do të duhet të paguajnë maksimalisht deri në
2.9 miliardë lekë, apo rreth 21 milionë euro. Në total, nëse të gjitha bizneset
do të paguanin për anëtarësimin e detyrueshëm në dhomën e tregtisë, ata do të
shpenzonin më tepër maksimumi rreth 3 miliardë lekë, apo 22 milionë euro në
vit, krahas detyrimeve të tjera që i paguajnë shtetit.